Ballina Kosovë Hoti: Vendi s’mund të mbetet pa institucione, dështimi për shumicë parlamentare kërkon...

Hoti: Vendi s’mund të mbetet pa institucione, dështimi për shumicë parlamentare kërkon zgjedhje të reja

36
0

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar lidhur me situatën politike të krijuar pas dështimit për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve. Ai ka theksuar se krizat politike janë të mundshme në një demokraci, por thellimi dhe zgjatja e tyre përbën papërgjegjësi nga ana e partive politike, pasi sjellin kosto për qytetarët dhe bizneset.

Hoti ka rikujtuar se, ndonëse partia e parë ka të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar Kuvendi dhe për të formuar Qeverinë, kjo nuk mund të realizohet pa siguruar shumicën parlamentare, një rregull themelor i sistemit kushtetues të Kosovës dhe i përbashkët me shumicën e demokracive perëndimore.

Hoti ka bërë të ditur se LDK-ja, e vetëdijshme për rezultatin zgjedhor dhe pozicionin në opozitë, ka propozuar një qeveri kalimtare gjithëpërfshirëse me mandat të kufizuar, por kjo nismë nuk ka gjetur mbështetje të gjerë politike. Ai ka kërkuar që partitë të ulen urgjentisht për të rënë dakord për një datë të re zgjedhjesh, duke theksuar se vendi nuk mund të mbetet pa institucione.

Postimi i plotë:

Krizat politike në një demokraci mund të ndodhin, por është papërgjegjësi e forcave politike nëse ato thellohen dhe zgjasin, duke krijuar kosto për çdo qytetar dhe biznes.

Pavarësisht të drejtës që ka partia e parë që del nga zgjedhjet për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit dhe për të marrë e para mandatin për formimin e Qeverisë, institucionet e reja që duhet të dalin nga zgjedhjet nuk mund të formohen pa u siguruar shumica parlamentare. Ky është një rregull elementar i sistemit tonë kushtetues, i cili është i ngjashëm me shumicën e sistemeve kushtetuese të demokracive perëndimore.

Pas 27 dështimeve për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, është e qartë se partia e parë ka dështuar të formojë shumicën parlamentare. Rrjedhimisht, ajo duhet ta pranojë këtë dhe të kërkojë konsultime me partitë e tjera për modalitetet kushtetuese të daljes nga kriza politike.

LDK-ja, në mungesë të krijimit të një shumice parlamentare dhe duke e bërë të qartë se, për shkak të rezultatit zgjedhor, do të qëndrojë në opozitë pa u bërë pjesë e asnjë lloj shumice parlamentare, ka propozuar një qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare, me mandat dhe kohë të kufizuar. Ky propozim kërkon konsensus nga të gjitha forcat politike, konsensus i cili duket qartë se nuk ekziston.

Rrjedhimisht, është detyrim i forcave politike që të ulen sa më parë dhe të bien dakord për një datë të re zgjedhjesh. Vendi nuk mund të lihet pa institucione. Nëse forcat politike nuk arrijnë të merren vesh për të formuar shumicën parlamentare, atëherë fjalën duhet ta ketë sërish sovrani.