Një tjëtër ngjarje e rëndë ku ka mbetur viktimë një 30-vjeçare rumune është regjistruar në Itali. Trupi i masakruar i Maria Denisa Paun, e njohur edhe si “Adas” u gjet më 4 qershor në një zonë të pyllëzuar pranë një shtëpie të braktisur në Montecatini Terme. Viktima mësohet se është eskortë rumune 30-vjeçare që jetonte në Romë. Trupi i saj i gjymtuar ishte fshehur midis shkurreve. Sipas raportimeve trupi ishte pa kokë dhe i djegur pjesërisht.
Denisa ishte zhdukur natën e 15 majit në Prato. Disa orë pas gjetjes së trupi Karabinierët arrestuan një 32-vjeçar rumun, Vasile Frumuzache. Ai punonte si roje sigurie dhe konsiderohej i armatosur e shumë i rrezikshëm.
Frumuzache e ka pranuar autorësinë e krimit, duke deklaruar: “Ajo po më shantazhonte, prandaj e vrava.” Sipas hetimeve të Prokurorisë së Pratos dhe Karabinierëve të Firences, nën drejtimin e prokurorit Luca Tescaroli, Denisa u vra natën e zhdukjes së saj në dhomën 101 të një rezidence në rrugën Ferrucci në Prato, ku ajo priste klientët. Një kamerë sigurie regjistroi autorin duke hyrë në rezidencë në orën 22:50 me një çantë të zezë dhe duke qëndruar aty për më shumë se dy orë.
Rreth orës 01:05 të mëngjesit, kamera e regjistroi sërish teksa largohej me valixhen e bardhë të Denisës. Brenda saj ndodhej trupi i pajetë i gruas, i cili më pas u transferua në bagazhin e Golfit të autorit. Trupi u gjet mëngjesin e 4 qershorit, në një zonë të pyllëzuar jo larg klubit “Le Panteraie”, falë gjurmimit të GPS-it të makinës së autorit, i instaluar nga kompania e sigurimeve. Vetëm disa metra më tutje, u gjet edhe valixhja e bardhë.
Urdhër-arresti për Frumuzache u lëshua mbi bazën e pamjeve të kamerave, analizës së të dhënave telefonike dhe pozicionimit GPS. Prokuroria dyshon se ai ka vepruar i vetëm, por motivi përfundimtar i krimit mbetet ende nën hetim.