Nga Ylli Manjani
Rrethi vicioz.
***
D.m.th, përtej “zotësisë” së Ramës dhe “fajit” të Saliut, janë disa pyetje që kërkojnë përgjigje pak më të thelluara.
1. Pse shqiptari rend gjithmonë tek më i forti, tek më laci, tek ai që të rreh?
2. Pse shqiptarit i del gjithmonë, po gjithmonë “fajtor” ai që flet, ose ai që s’ka gjë në dorë, ose i sëmuri, i dobëti, viktima?
3. Pse shqiptari beson më shumë një polic, ambasador, apo një zyrtar të huaj sesa atë që voton vetë?
4. Pse shqiptari shitet lirë te tregu i votave dhe nuk investon asnjëherë me besim se do ndërtojë diçka në të ardhmen?
5. Pse beson më shumë tek falli dhe jo tek shkenca; tek legjendat dhe jo tek faktet; tek mrekullia dhe jo te mjekësia?
6. Pse për çdo gjë të gabuar që bën vetë fajin e ka gjithmonë dikush tjetër?
7. Pse të gjithë ata që vdesin janë “të mirë”, ndërkohë që kur gjallonin urreheshin?
8. Pse ka gjithmonë arsye që të justifikohet bashkjetesa me të të keqen? A mos ndoshta e nuk është dakordësuar shoqëria me ndarjen “e mirë dhe e keqe”?
9. Pse çdo fenomen paqësor social shitet më mirë kur prezantohet si “luftë”? Në fakt fjalori ynë e ka fjalën “luftë” më të përdorshmen, ndërkohë që lufta e vërtetë s’na pëlqen fare..
D.m.th, pse shqiptari i ndarë në tre fé, kur vjen puna tek vendimmarrja politike më shumë sesa zotin, beson “më të zotin”?
Po gjithmonë kështu… Kur mendoj se si shqiptarët hodhën në kosh besimin te zoti për Stalinin, Enverin po e po, nuk ngjan hiç mirë kjo punë…
Jam për analiza të thelluara social-politike të shoqërisë jo thjesht me konkluzione empirike të tipit “kështu e do ky milet”.
Cilido që do të merret me politikë dhe me ndërtim institucionesh, duhet të njohë mirë shoqërinë.
Po analiza të thelluara që të na ndihmojnë të njohim veten nuk kemi për fat të keq. Prandaj dhe preferojmë ti biem shkurt, fajin e ka politika dhe, kur e votojmë i bie që votojmë fajin.
E kështu fillon nga fillimi loja vicioze, ku kthehemi gjithmonë tek e njëjta pikë ku e nisëm…