Pas disa ditësh shqetësimesh për gjendjen shëndetësore të Rey Manajt, sulmuesi i Kombëtares shqiptare është rikthyer sot në stërvitje me ekipin. Lajmi vjen si një lehtësim për trajnerin Sylvinho dhe gjithë tifozët kuqezi, vetëm pak ditë përpara sfidave të rëndësishme të Europianit.
Manaj kishte munguar në seancat stërvitore për tre ditë pasi kishte përfunduar në spital si pasojë e një helmimi, që i kishte shkaktuar temperaturë të lartë dhe probleme të përgjithshme fizike.
Fatmirësisht, gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm dhe pasditen e sotme ai është parë duke kryer stërvitje të plotë me pjesën tjetër të skuadrës, çka sinjalizon se është gati për t’u rikthyer në fushë.
Ky zhvillim është një lajm pozitiv për stafin teknik dhe për pritshmëritë e tifozëve, që shpresojnë te kontributi i sulmuesit në ndeshjet e radhës të Kombëtares.