Ballina Kronika “Po kërkoja ekzekutorët e familjes, kam bërë vetë prokurorin e gjyqtarin”, Alibej...

“Po kërkoja ekzekutorët e familjes, kam bërë vetë prokurorin e gjyqtarin”, Alibej rrëfehet në GJKKO: Ja si i kontrolloja lëvizjet e rivalëve me sistemin TIMS, Suel Çela kujtonte se…

53
0

Vijon dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Erion Alibej, në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”, ku ai ka rrëfyer me detaje se si përmes rrjeteve të informatorëve dhe teknologjisë shtetërore, kishte ndërtuar një skemë monitorimi për rivalët e tij në botën e krimit.

Në seancën e fundit, Alibej deklaroi se Ardian Çollaku ishte burimi i tij më i besuar dhe përmes tij kishte mësuar për herë të parë se kush ishte Dashnor Dumani. “Ai më tregoi që vëllai i tij kishte grabitur një kambist në lagjen Kala”, tha Alibej.

Më tej, ai shtoi se kishte pasur akses në sistemin TIMS dhe e përdorte për të kontrolluar hyrje-daljet e personave që konsideronte të rrezikshëm për jetën e tij. “Kisha hyrje-daljet, fotot dhe lëvizjet e të gjithëve — nga Çopjat te Qosja, tek Dumani”, u shpreh ai, duke shtuar se kishte filluar të humbte besimin tek institucionet e drejtësisë në Elbasan.

Ai përmendi edhe një takim të dyshimtë mes Abedin Mamës, Ardi Veliut dhe Tonin Vocajt në Elbasan, që përkoi me ndërrimet e drejtuesve të Policisë, duke nënkuptuar ndikim të paligjshëm në zinxhirin drejtues.

“Unë po kërkoja ekzekutorët e familjarëve të mi. Kam bërë vetë hetuesin, prokurorin, gjyqtarin dhe i kam vënë në dispozicion drejtësisë çdo informacion”, tha Alibej, duke nënvizuar se që pas vetëdorëzimit, personi i parë që kishte informuar ishte drejtuesi i prokurorisë Leonard Palushi.

Në paraburgim, prokurori Ridvan Suka — i cili po hetonte vrasjet e familjarëve të tij dhe çështjen e Xhoni Rustës — ishte takuar me të. “I tregova gjithçka që dija, nuk doja luftë, sepse pas meje ishin shumë familje që shikonin vetëm mua”, përfundoi ai.