Qindra gra janë arrestuar vitet e komunizmit për akuza si tentativë arratisjeje, agjitacion e propagandë si dhe armiq të popullit, ndërsa mijëra të tjera janë persekutuar se kanë pasur burrin në burg politik, ose kanë vuajtur kampeve të internimit.
Jolanda Karbunara ishte njëra prej tyre, e bija e diplomatit Dionis Karbunarës nga Vlora. Kur e arrestuan të atin, Jolanda ndodhej në Shqipëri, ndërsa e ëma me dy fëmijët e mëdhenj në Itali. Jolanda u rrit nga gjyshja dhe që nga mosha 14 vjeç, kur gjyshja ndërroi jetë, banoi te kushërinjtë. Jolanda ishte lindur në Napoli nga dy prindër shqiptarë. Vendosi të jetonte në Shqipëri, por ky vendim i kushtoi shtrenjtë në diktaturë, kur vuajti gati 14 vite burg. U arrestua kur ishte 22 vjeçe për spiunazhe ndaj Italisë dhe SHBA-ve, që nuk i kishte kryer e as kishte mundësi t’i kryente.
Jashtë la vajzën e vogël vetëm 13- muajshe, e cila ishte 15 vjeç kur e ëma doli nga burgu. Në Shqipëri figuronte si e bija e Dhionisit, ndërsa në Itali si e bija e Brunos. Më 1936-1939 ndjek shkollën e murgeshave. Më 1939-1944 ndoqi gjimnazin dhe mbaroi një vit në Universitetin Mjekësor po në Napoli. Kishte dy shtetësi, italiane e shqiptare. Në vitin 1946 erdhi në Vlorë sepse mamaja e saj figuronte ende e martuar me Dhionis Bashin (i cili kish qenë 20 vjet funksionar i konsullatës italiane në Vlorë dhe ishte dënuar për arsye politike), më të cilin kish një djalë Mikelen e një vajzë Fofin.
Mamaja e Jolandës, Margarita Kolea, kishte mbetur në Napoli qysh në vitin 1929. Margarita që ishte martuar në Itali me Brunon, mori deklaratën e divorcit dhe u largua në Itali. Fëmijët mbetën këtu. Jolanda punoi edhe infermiere. Nuk iku në Itali me mamanë e saj se u dashurua dhe martua me Kostandin Anastasin. Ndahet me të në fillim të vitit 1949. Martohet më pas me Ibrahim Tafmizin. Kishte një vajzë. Ndahet edhe nga burri i dytë. Në vitet 1950-1951 banoi në Tiranë, e vetmuar e në shtëpi të ndryshme.
Arrestimi
Në korrik 1951 u arrestua sepse nuk pranonte të ikte nga Tirana. U burgos 28 ditë dhe u dëbua në Durrës. Banoi te një shoqe austriake, Marcela Karli dhe punoi në kooperativën e konsumit, prej nga ku u largua se doli 6000 lekë deficit. Në shkurt 1952 vjen sërish në Tiranë për të punuar në kooperativën e leshpunuesve. U arrestua më 22.2.1952, kur ishte vetëm 22 vjeçe. E shkëputën nga vajza që ishte 13-muajshe. Në procesin gjyqësor quhet Jolanda Bashi (Karbunara). Arrestimi i saj u kërkua nga punëtori operativ i Sigurimit, toger Dhimitër Andoni i Degës së 5-të (që njihej këtë kohë si Reparti nr.3011) i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit. Akuzohej se kishte “zhvilluar spiunazh në favor të klikës së De Gasperit”. U pyet nga operativi që e arrestoi. Në thelb kërkohej të pranonte që ishte informatore e legatës italiane në Tiranë.
Pavarësisht se akuza bën fjalë “për të dhëna të rëndësishme”, nuk doli asnjë përcaktim se çfarë mund të ishin këto të dhëna. Aktakuza u miratua nga nënkomandanti i Repartit nr.3011, major Dhosi Progri dhe ndihmësministri i Punëve të Brendshme. Mbi bazën e saj, prokurori, toger Kulla Kullaj, ngre akuzat në bazë të neneve 3/10, 4, 8 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946, se ishte “rekrutuar nga spiunazhi amerikan”, takime me misionin amerikan dhe më vonë vënie në shërbim të legatës italiane; si dhe nenit 8 të ligjit nr.781, datë 17.11.1949 “Mbi fajet penale kundra pasunis” (për 6000 lekët deficit). Gjykata Ushtarake Tiranë, me vendimin nr.167, datë 25.6.1952, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 18 vjet privim lirie, punë të detyruar, heqjen e të drejtave zgjedhore për 3 vjet dhe zhdëmtimin e 6000 lekëve për arkën e shtetit. U la në fuqi me vendimin nr.349, datë 31.7.1952 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. U lirua më 30.11.1965 nga Punëtoria Qendrore e Artizanatit në moshën 35-vjeçare. Vdiq më 21.3.2006 në Tiranë.