Nëntë persona u plagosën gjatë një fluturimi nga Berlini drejt Milanos, pasi avioni u përfshi nga turbulenca të forta mbi Gjermaninë jugore, për shkak të stuhive në zonë.
Sipas dëshmitarëve për gazetën Bild, tronditja ishte aq e fortë sa disa pasagjerë u hodhën përpjetë, duke goditur çatinë e avionit. “Nuk kam qenë kurrë kaq e frikësuar në jetën time. Mendova se avioni do të ndahej në dysh ose do të përmbysej”, rrëfeu një pasagjer.
Turbulencat kapën disa pasagjerë pa rrip sigurimi, përfshirë një nënë me foshnjën që ndodhej në tualet në momentin e goditjes. Disa udhëtarë pohuan se nuk u paralajmëruan në kohë për të vendosur rripat, çka sipas tyre e përkeqësoi situatën.
Avioni me 179 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë ekuipazhi bëri një ulje emergjente në aeroportin e Memmingenit, në Gjermaninë jugore. Tre nga të plagosurit u dërguan në spital, përfshirë një fëmijë dyvjeçar me mavijosje, një grua me dëmtime në kokë dhe një pasagjere me dhimbje shpine. Të tjerë u trajtuan në vend.
Pas incidentit, aeroplani qëndroi në pistë për disa orë, ndërsa kapiteni kërkoi ndihmë mjekësore para uljes emergjente. Kompania ajrore, sipas Daily Mail, organizoi një fluturim zëvendësues për në Milano dhe kërkoi ndjesë për ngjarjen.