Ballina Opinion Vazhdimi i Kuvendit pas zgjedhjeve është një marrëzi shqiptare

Vazhdimi i Kuvendit pas zgjedhjeve është një marrëzi shqiptare

31
0

Nga Ervis Iljazaj

Kushtetuta e Shqipërisë përcakton se Kuvendi nuk mund të shqyrtojë projektligje të reja 60 ditë përpara përfundimit të mandatit të tij. Sipas llogarive kjo datë është data 8 korrik. Kështu që, deri më datë 8 korrik Kuvendi i Shqipërisë mund të aprovojë ligje dhe të kryejë çdo funksion që i takon sipas Kushtetutës. Pas kësaj periudhe, e deri në kostituimin e Kuvendit të ri, një i tillë mund të mblidhet vetëm në raste të jashtëzakonshme. Edhe pustheti ekzekutiv kalon në një fazë tranzitore, dhe pushteti i tij reduktohet ndjeshëm dhe bën vetëm administrimin e punëve të zakonshme për një shoqëri.

Këtë periudhë tranzitore, si për Kuvendin, si për qeverinë e kanë parashikuar shumë kushtetuta të vendeve europiane që kanë një formë qeverisëse parlamentare si Shqipëria. Logjika e kësaj norme është fakti se presupozohet që përpara dy muajve janë organizuar zgjedhjet parlamentare të radhës, dhe duke qenë kështu, deputetët e legjislatuarës së vjetër nuk kanë më legjitimitet politik për të aprovuar ligje apo për të kryer funksionin e tyre sepse qytetarët kanë votuar dhe kanë zgjedhur përfaqësuesit e rinj. Prandaj, Kuvendi në periudhën dy mujore mund të mblidhet vetëm për raste të jashtëzakonshme.

Madje, ka vende të caktuara që këtë periudhë e kanë edhe më shumë se dy muaj për t’i lënë hapësirë shtetit të organizojë zgjedhjet dhe të përgatitet për legjislaturën e re.
Në shumicën e rasteve, ose ndoshta në të gjitha rastet, në momentin që zhvillohen zgjedhjet parlamentare, parlamenti nuk mblidhet më. Kështu ka qenë edhe në Shqipëri kur zgjedhjet zhvilloheshin në periudhën e verës që korrespondonte me dy mujorin që parashikon Kushtetuta jonë.

Mirëpo kësaj here, duke qëne se zgjedhjet u zhvilluan në maj, pra shumë më herët se dy muaj përpara përfundimit të mandatit, Kuvendi i Shqipërisë po vazhdon punimet normalisht deri në 8 korrik. A është normale që deputetë në fundin e mandatit, ku shumë prejt tyre edhe nuk janë rizgjedhur nga qytetarët shqiptarë të vazhdojnë të marrin vendime dhe të aprovojnë ligje që ndikojnë në jetën e qytetarëve shqiptarë dhe të ardhmen e vendit?

Sigurisht që këtu ka një anomali kushtetutese dhe demokratike për disa arsye.

E para, sepse në fund të mandatit Kuvendi nuk ka legjitimitet politik dhe moral të aprovojë ligje për të ardhmen duke qenë se qytetarët kanë mandatuar deputetë të rinj.

E dyta, shumë prej deputetëve aktualë nuk janë zgjedhur për legjislaturën e re dhe nuk kanë legjitimitet të vendosin për ligje dhe çështje që ndikojnë jetët tona.

E treta, duke qenë se shumë prej tyre nuk kanë mandat për legjislaturën e re nuk kanë asnjë përgjegjësi përpara qytetarëve dhe mund të votojnë çfarë do lloj ligji pa dhënë asnjë llogari.

Dhe e fundit, në momentin që është votuar për legjislaturën e re nuk ka kuptim demokratik dhe kushtetutes që parlamenti i vjetër të vazhdojë të mbilidhet dhe të zhvillojë punimet sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Jo më kot, shumë parlamente europiane kanë vendosur afatin tranzitor me momentin e zhvillimit të zgjedhjeve, madje që nga fillimi i fushatës dhe deri në kostituimin e parlamentit të ri.

Të kuptohemi, Kuvendi i Shqipërisë është duke zbatuar Kushtetutën dhe nuk po bën asnjë shkelje, por vazhdimi i punimeve të tij edhe pas zgjedhjve është një çështje që duhet adresuar në të ardhmen. Sepse kështu, nuk ka as kuptim politik dhe as demokratik.