Ballina Sport Vendos Ronaldo, Portugalia përmbys 1-2 Gjermaninë në Mynih dhe shkon në finalen...

Vendos Ronaldo, Portugalia përmbys 1-2 Gjermaninë në Mynih dhe shkon në finalen e Ligës së Kombeve

44
0

Portugalia siguroi një tjetër finale madhore në arenën ndërkombëtare, pasi eliminoi Gjermaninë në “Allianz Arena” me një përmbysje 1-2 në Ligën e Kombeve. Edhe njëherë kjo ndodhi falë një paraqitjeje të shkëlqyer në pjesën e dytë dhe një goli vendimtar nga kapiteni Cristiano Ronaldo.

Ndeshja nisi me intensitet të lartë, por pjesa e parë u mbyll pa gola, megjithëse të dyja skuadrat prodhuan raste të rrezikshme për shënim.

Gjermania kaloi e para në epërsi në minutën e 48-të, kur Florian Wirtz finalizoi saktë pas një asisti të Joshua Kimmich. Megjithatë, reagimi i Portugalisë ishte i menjëhershëm dhe vendimtar.

Francisco Conceiçao barazoi rezultatin në minutën e 63-të me një supergol, kjo pas një aksioni të mirë që u finalizua me asistimin e Ruben Dias. Vetëm pesë minuta më pas, në skenë doli njeriu i madh i mbrëmjes, Cristiano Ronaldo, i cili shënoi golin e përmbysjes pas një asistimi perfekt nga Nuno Mendes.

Me këtë fitore, Portugalia siguron një vend në finalen e Ligës së Kombeve, ku do të përballet me fituesin e duelit mes Spanjës dhe Francës, që zhvillohet sot më 5 qershor.