Ballina Europë A është kjo vajza e fshehtë e Putinit? Dalin detajet, ja si...

A është kjo vajza e fshehtë e Putinit? Dalin detajet, ja si dhe kush e zbuloi identitetin e saj dhe ku po strehohet

11
0

Një nga figurat më të diskutueshme të ditëve të fundit në skenën kulturore franceze është një vajzë e re që punon si menaxhere e dy galerive të njohura arti në Paris, por që mediat e pavarura dhe artistët në mërgim e identifikojnë si Elizaveta Vladimirovna Krivonogikh, vajza e dyshuar e Presidentit rus Vladimir Putin.

Zbulimi ka shkaktuar polemika të mëdha në rrethin e artistëve që angazhohen kundër luftës në Ukrainë. Elizaveta, e njohur me pseudonimin “Liza Rudnova”, është menaxhere pranë asociacionit “L”, që drejton dy galeritë pariziene, Studio Albatros dhe L Gallery.

Pikërisht këto galeri janë kthyer në hapësira ekspozimi për artistë rusë dhe ukrainas që janë shprehur kundër luftës në Ukrainë dhe regjimit të Kremlinit. Ky fakt, për shumë vetë, e bën të papranueshme praninë e dikujt që dyshohet të jetë bijë e një prej arkitektëve të luftës.

Denoncimi i parë publik erdhi nga artistja ruse në mërgim, Nastja Rodionova, e cila përmes një postimi në Facebook rrëfeu se kishte dëgjuar zëra për identitetin e vërtetë të “Liza Rudnovës”.

Ajo thotë se e kishte verifikuar këtë informacion përmes një takimi me presidentin e asociacionit “L”, Dmitrij Dolinskij, i cili i kishte pohuar se menaxherja quhej Elizaveta Rudnova, një emër që shumë media të pavarura e lidhin me vajzën e fshehtë të Putinit.

Sipas një hetimi të vitit 2020 nga platforma ruse investigative Proekt, Elizaveta ka lindur më 3 Mars 2003 dhe është vajza e Svetlana Krivonogikh, një ish-pastruese nga Shën Petersburgu që për një kohë të gjatë thuhet se ka qenë partnere intime e Vladimir Putinit.

Që prej kësaj periudhe, Krivonogikh është bërë pronare e resorteve luksoze, aksionere në Bankën Rossija dhe zotëruese e pasurive të paluajtshme në Moskë dhe në ishullin Kamennyj, një pasuri e vlerësuar nga mediat në mbi 100 milionë Dollarë. Hetimet e mëparshme kanë zbuluar se Elizaveta përdor pseudonimin Rudnova që prej vitit 2010, një mbiemër që mund të jetë një homazh për mikun e ngushtë të Putinit, Oleg Rudnov, i vdekur në vitin 2015.

Në vitin 2023, televizioni ukrainas TSN raportoi se Elizaveta studioi në ICART School of Management and Art në Paris duke përdorur një pasaportë me mbiemrin Rudnova, të njëjtën datë lindjeje dhe numër telefoni si Krivonogikh.