“Shqipëri” – “Jugosllavi” 57 vite më parë, dueli nën tingujt e këngëve revolucionare dhe takimi i Ramiz Alisë me ekipin, në Konvaleshencën e Ushtrisë në Durrës
Nga Uvil Zajmi
Në vijim të udhëtimit tonë me ekipin kombëtar të futbollit për Eliminatoret “Euro ’68”, dhe drejt sfidës historike të 17 dhjetorit ’67 ndaj Gjermanisë Federale në Tiranë, ndalesa e radhës është përballja Shqipëri-Jugosllavi, më 14 maj të atij viti, një sfidë krejt ndryshe me atë të Dortmundit, luajtur një muaj më parë: Tejet delikate, impenjative, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe shumë në atë politik, një ndeshje që nuk duhej humbur dhe ky kusht kërkohej medoemos. Për këtë ishin angazhuar të gjithë, nga stafet teknike, futbollistë, deri te drejtuesit e lartë të shtetit, madje edhe publiku i pranishëm në stadium.
Por, si u zhvillua ajo, cila ishte prag-sfida, si e kujtojnë atë protagonistët që zbritën në “Qemal Stafa” të dielën e asaj dite maji, të një gjysmë shekulli më parë? Si e rikthen Niko Xhaçka atë 90-minutësh, nisja nga Durrësi direkt për në ndeshje dhe orientimi, për të mos i dhënë dorën kundërshtarit? Apo dueli Frashëri-Xhaiç, i paharruar për kohën, dhe këngët revolucionare që u kënduan në stadium?
HISTORIA E SHKURTËR E PËRBALLJES
Ky ishte takimi i parë midis dy përfaqësueseve në një eveniment kaq madhor europian, pas ndeshjes së zhvilluar në Tiranë për Ballkaniadën e 1946-ës, Shqipëri-Jugosllavi 2-3, asaj pas një viti, po në Tiranë, Shqipëri-Jugosllavi 2-4 dhe Shqipëri-Jugosllavi, 0-0, në Beograd më 27.6.1948, për Kampionati e Europës Qendrore. Pas njëzet vitesh, një përballje e tillë e sërish në “Qemal Stafa” dhe nga ’46-ta, ishte prezent vetëm Loro Boriçi, kapiten i kombëtares, kampione të Ballkanit, tashmë trajner i përfaqësueses, si dhe Ratko Mitiç, futbollist i njohur, titullar në dy takimet e tjera ndaj Shqipërisë, edhe ky trajner i kombëtares jugosllave, në këtë ndeshje.
Madje, midis tyre kishte edhe miqësi. Ajo, që e kishte paraprirë këtë përballje, mbetej vetëm Ballkaniada në basketboll, zhvilluar në Tiranë në dhjetorin e ’65-ës, në veçanti sfida përcaktuese për trofeun, Shqipëri-Jugosllavi, (Në Pallatin e Sportit “Partizani), që u zhvillua me një rivalitet, e fituar me katër pikë nga jugosllavët, në sekondat e fundit.
PRAG-SFIDA, SITUATË E TENSIONUAR
Prag-sfida ka si start festën e 1 Majit. Manifestimin e Madh Fiskulturalo-Sportiv të Rinisë së kryeqytetit që zhvillohet në stadiumin “Dinamo” më datën 9 maj, ku ishte i pranishëm edhe udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha. Pastaj përgatitjet për Kongresin e Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë. Natyrisht, situata politikisht është e nderë, ndonëse marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve, të ndërprera në ’48-tën, janë rivendosur në ’55-ën, por në vite situata nuk ka ndryshuar, madje momente tensioni, tentojnë të shfaqen edhe në atë takim futbolli.
Ishte koha kur në Shqipëri kishte filluar një “revolucion” i ngjashëm me atë kinez, i shoqëruar me ashpërsimin e luftës se klasave, vendimin për ndalimin e besimeve fetare, luftën kundër burokracisë, qarkullin e kuadrit etj. Stadiumi është i mbushur disa orë para takimit dhe Tirana e, gjithë Shqipëria sportive, e prisnin me kuriozitet e padurim të madh këtë takim, me shpresën për një rezultat pozitiv. Kjo vinte edhe nga motivimi i lojtarëve, fusha dhe spektatori, si element mbështetës, por edhe nga barazimi 1-1 me Irlandën e Xhorxh Bestit, në nëntorin e ’65-ës në “Qemal Stafa”. Në aspektin statistikor, kjo ishte ndeshja e dhjetë që zhvillonte skuadra kombëtare, në një kompeticion zyrtar europian.
PAS GJERMANISË FEDERALE, NDRYSHON FORMACIONI
Pas ndeshjes dhe humbjes në Dortmund, me rikthimin e skuadrës në Shqipëri, vijohet me ndeshjet e Kupës së 500-vjetorit të “Skënderbeut”. Në takimin me Jugosllavinë, trajnerët Loro Boriçi e Lym Alla, ruajnë bazën, me “Partizan” – “17 Nëntorin”, me të cilët janë edhe Koço Dinella i “Dinamos”, Zan Rragami i “Vllaznisë”, Todo Vaso i “Skënderbeut”, e, Jorgaqi i “Labinotit”. Skuadra është grumbulluar në Durrës, në Konvaleshencën, në plazh, ku përgatitet për ndeshjen. Por formacion anti-jugosllav, ka disa ndryshime: nuk aktivizohen Skënder Hyka e Bahri Ishka të “17 Nëntorit” e, Sabah Bizi i “Vllaznisë”, në gjendje shëndetësore jo të mirë.
Në skuadër rikthehen kapiteni Lin Shllaku e, Medin Zhega, ndërsa surprizë është riaktivizimi i Lorenc Vorfit, sulmuesi i djathtë i “Dinamos”, protagonist në takimet e Kupës Ballkanike, një lojtar “robust”, i fortë. Bashkë me të edhe Niko Xhaçka, rikthehet në formacion, një sulmues krahu edhe ky i “17 Nëntorit”, që shquhet për formë të mirë, me detyrë të ndalojë daljet në sulm të Fazllagiçit. Atë javë nuk luhet Kupa e 500-Vjetorit dhe në faqet sportive, nuk ka publicitet të veçantë për këtë takim. Në prag të takimit, gjendja në grupin e 4-t, i vetmi me tri skuadra, (nga tetë grupet e tjera) është: Republika Federale Gjermane dhe Jugosllavia me 2 pikë, Shqipëria, 0 pikë.
Skuadra jugosllave erdhi në Shqipëri, pasi kishte triumfuar 1-0 një javë më parë ndaj Republikës Federale Gjermane, një ndeshje e zhvilluar në Beograd, ku me një gol të Josif Skoblar, kishte mundur 1-0 Gjermaninë. Me këtë formacion: Panteliç, Fazlagiç, Jusufi, Brnçiç, Rasoviç, Holcer, Meliç, Becejak, Hasanagiç, Skoblar, Xhaiç. Ndërsa për takimin ndaj Shqipërisë, trajneri Rajko Mitiç, kishte marrë të tjerë lojtarë, duke ndryshuar thuajse gjysmën e skuadrës: Nuk vijnë portieri Pantelic i “Vojvodinës”, Fahrudin Jusufi i “Eintraht”, Mustafa Hasanagiç i “Partizanit” dhe Josip Eskobar i “Olimpik” Marsejës. Për ndeshjen e Tiranës, ai merr portierin e “Radnickit”, Knezeviç, që vetëm në atë takim luan me kombëtaren, Becejak, Petar Nodovezën e “Hajdukut”, Stefan Lamza të “Dinamos” së Zagrebit dhe Zlaven Zambata, sulmuesin e “Dinamos”, fitues i Kupës së Panaireve, me këtë klub.
Skuadra jugosllave ishte nënkampione e Europës, në edicionin e parë, atë të vitit 1960: Pasi kishte eliminuar Francën në gjysmëfinale 5-4 (konsiderohet ndeshja më e bukur e historisë së futbollit jugosllav), humbi 2-1 finalen me Bashkimin Sovjetik. Në edicionin e Botërorit 1962, shkon deri në gjysmëfinale, ndërsa në eliminatoret e “Euro 1964” nuk arriti të kualifikohet. Skuadra ka në përbërje sulmuesin e majtë, Dragan Xhaiç të “Cervena Zvezdës”, që në fazën finaleve “Itali ’68”, do të ishte shënuesi më i mirë, duke qenë i treti i “Topit të Artë” në atë sezon, pas Xhorxh Best e Bobi Çarlton.
NDESHJA, NJË I NXEHTË TROPIKAL
Takimi u zhvillua në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, të tejmbushur, në mesditën e nxehtë të së dielës së 14 majit 1967. Në stadium ishte vendosur një baner i madh ku shkruhej: “Të gjitha votat për kandidatët e frontit”, që do të zhvilloheshin në ditët e para të qershorit. Para fillimit, gjatë kohës që skuadrat janë duke bërë nxehjen, në tribunën anësore nga kodrat e liqenit, në një podium të improvizuar, këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare, këndojnë këngë revolucionare, për të elektrizuar atmosferën. Altoparlanti buçet me tingujt e këngës; “Në njërën dorë kazmën/ atdheun ndërtojmë,/ në dorën tjetër pushkën,/ fitoret i mbrojmë”, por që kjo formë u kritikua nga tribuna qendrore.
Në ora 16:00, skuadrat dolën në fushë me këto formacione:
SHQIPËRIA: Mikel Janku (“Partizani”), Fatmir Frashëri (“17 Nëntori”), Teodor Vaso (“Skënderbeu”), Justin Kazanxhi (“17 Nëntori”), Ali Mema (“17 Nëntori”), Ramazan Rragami (“Vllaznia”), Lin Shllaku (“Partizani”), Lorenc Vorfi (“Dinamo”), Panajot Pano (“Partizani”), Mehdin Zhega (“Dinamo”), Niko Xhaçka (“17 Nëntori”). Trajner: Loro Borici.
JUGOSLLAVIA: M. Knezeviç (“Radnicki”), M. Fazlagiç (“FC Sarajevo”), M. Brnçiç (“Dinamo” Zagrebit), V. Becejaç (“Partizani” Beograd), B. Rasoviç (“Partizani” Beograd), D. Holcer (“Hajduk” i Splitit), V. Meliç (“Sosho”), P. Nadoveza), Z. Zambata (“Dinamo” Zagreb), S. Lamza (“Dinamo” Zagreb), D. Xhaiç (“Cervena Zvedza” Beograd). Trajner: Rajko Mitiç.
Gjyqtarë: C. Xanthoulis (Qipro), S. Mavrojenis, A. Kuniaides.
Kronikë: Ndonëse pritej që Xhaiç, ndër lojtarët më në formë, në vitet e shpërthimit, të ishte protagonist, ndëshkimi erdhi nga një lojtar i panjohur, si Zlaven Zambata, sulmues i “Dinamos” së Zagrebit, i aktivizuar në këtë ndeshje nga trajneri Mitiç, i cili realizoi dy herë me kokë nga afër, pas dy harkimeve nga krahët, në minutat 22 e 54.
Ndërkohë, gazeta “Sporti Popullor” e të martës vijuese (jo si ndaj Gjermanisë, kur kujtohet të shkruajë pas dy javësh!), pa autor, por me “Korrespodent vullnetar”, publikon artikullin me titull; “Lojë e dobët e ekipit tonë përfaqësues”, i cili është shumë kritik ndaj lojës, paraqitjes së lojtarëve të kombëtares, që kanë zhgënjyer interesimin e publikut. Vetëm në një rast në fund-lojë, minuta 86, Zhega ka depërtuar në zonë, topi është ndaluar me dorë nga mbrojtësi Brnçiç, por arbitri ka dhënë goditje dënimi jashtë zone!
Ndërkohë, ndeshja u transmetua si zakonisht nga Radio-Tirana dhe u komentua nga Anton Mazreku e Ismet Bellova, ndërsa është dhënë edhe nga Qendra Eksperimentore e Radio-Televizionit, nën komentin e Alfons Gurashit, pasi Skifter Këlliçi në atë periudhë, ishte transferuar me punë në Berat. Pas dy ndeshjeve, renditja ishte: Jugosllavia 4 pikë; RF Gjermane 2 pikë dhe Shqipëria 0 pikë. Takimet e radhës ishin: 7 tetor, RF Gjermane-Jugosllavi; 12 nëntor, Jugosllavi-Shqipëri dhe 17 dhjetor, Shqipëri-RF Gjermane. Në Shqipëri, aktiviteti futbollistik rifillonte me fazën e dytë të kampionatit, që kishte si epilog përjashtimin e “17 Nëntorit” e “Partizanit”, me “Dinamon” kampione në tavolinë. Por, edhe me Kinën e madhe të Mao Ce Dunit, që ka lëshuar në hapësirë bombën me hidrogjen, një sukses i madh ky edhe për Shqipërinë mike!
Niko Xhaçka: Byroja na tha të mos jepnim as dorën
Lojtar tipik i shpejtë krahu, driblues, titullar e protagonist me numrin 7 te “17 Nëntori”, Niko Xhaçka i rikthehet sfidës me Jugosllavinë, në të cilën ka luajtur me numrin 11. Në një intervistë ekskluzive për ne, ish-futbollisti i shquar, tregon disa nga detajet pikante të asaj ndeshjeje, të një tensioni të madh.
Zoti Xhaçka, pse do ta fillosh nga Roma?
Sepse ka një detaj historik: Nga Gjermania, mbërritëm në Romë dhe skuadra u sistemua në hotel “Siracusa”, afër stacionit Termini. Të nesërmen në mëngjes, trajneri Alla dhe përgjegjësi i ekipit, Besim Fagu, kërkuan të takohen me Naim Kryeziun, ish-futbollisti i kombëtares shqiptare i periudhës së para vitit 1944, që kishte luajtur me ekipet italiane. Pas pak ata u takuan në hollin e hotelit, ku isha i pranishëm edhe unë, pasi Lymi më mori si lojtar krahu, ashtu siç luante edhe Kryeziu, te Roma. Qëndruan aty, pastaj u larguan së bashku, ndërsa ne futbollistët, kujtoj se dikush pa derbin “Lacio” – “Roma”, të tjerë shkuan në kinema. Kur u kthyem në Tiranë, takimi me Kryeziun u bë problem, pasi drejtuesve të shtetit, nuk u kishte pëlqyer ky takim, që siç flitej kishte të bënte edhe me mosardhjen e Kryeziut e Lushtës, në Ballkaniadën e ‘46- ës.
Ishte Boriçi që të riktheu në skuadër?
Pas humbjes me Zvicrën, u dha një orientim për të marrë në skuadër lojtarë të fortë fizikisht, më me eksperiencë, ndaj e pësuam ne, që konsideroheshim të rinj, kjo vetëm për dy takimet në Zvicër dhe Irlandë. Më larguan mua, Vorfin dhe Kasmin, por me marrjen e kombëtares, Boriçi na riktheu në formacion, duke më aktivizuar në dy sfidat e radhës në Dortmund e Tiranë. Nuk e di edhe sot, se si Boriçi më afroi mua, sepse dihej mentaliteti i Boriçit, për futbollistët shtatshkurtër…! Kryesisht preferonte lojtarët me fizik të gjatë, e të fortë.
Pas Gjermanisë, tjetër humbje…?!
Po të shohësh takimin në Dortmund, nga ana cilësore, kemi luajtur mirë dhe nuk ishte një lojë mbrojtëse. Kam mendimin se aty u gabua në disa vendosje taktike. Edhe për një fakt: Gjatë qëndrimit në Dortmund, na vinin telegrame të panumërta, të cilat na i lexonin, ku të gjithë shprehin dëshirën dhe shpresën për një rezultat pozitiv duke krijuar një situatë psikologjike jo normale. Ndërsa ndeshja me Jugosllavinë, u humb për mungesë eksperience, pa shumë takime ndërkombëtare, edhe për situatën, një takim i cili u trajtua pak më shumë në aspektin politik, se sportiv.
Çfarë u fol për taktikën?
Jugosllavia ishte skuadër shumë e fortë dhe kishte diferencë me ne, që ishim të ngurtësuar, madje nuk erdhëm një ditë më parë te “Donika”, siç ishte tradita, pasi skuadra u mbajt larg kryeqytetit. Edhe gjatë analizës, pas Boriçit foli Zyber Konçi, për mënyrën si luante kundërshtari, pasi si punonjës i FSHF-së, kishte ndjekur takimin Jugosllavi-Gjermani, 1-0. Për në stadium jemi nisur direkt nga Durrësi. Unë kam luajtur kundër kapitenit Fazllagiç, lojtar i shpejtë, i fortë fizikisht, aktiv sidomos me daljet në sulm. Nga ajo ndeshje kujtoj përballjen Frashëri-Xhaiç, e paharruar, sidomos loja e këtij të fundit, një futbollist, fama e të cilit sapo kishte shpërthyer dhe e kërkonin klubet prestigjioze në Europë.
Cila ishte atmosfera në prag të asaj ndeshjeje?
Kujtoj se në Konvaleshencën e Ushtrisë në Durrës, kanë ardhur për të na takuar sistematikisht drejtues të lartë të shtetit, deri anëtarët e Byrosë Politike, si Ramiz Alia. Interesimi ishte i jashtëzakonshëm edhe për vetë marrëdhëniet politike që ishin në ato vite. Nuk harroj kur na këshilluan: Nuk duhet të keni asnjë kontakt me ta, mos pranoni dhënien e dorës në fund të ndeshjes. Por kur ajo mbaroi, Fazllagiç erdhi drejt meje dhe më zgjati dorën. Hezitova për një çast, hodha vështrimin nga tribuna dhe kur pashë që njerëzit po largoheshin, u përshëndeta duke i dhënë dorën, por me frikë. Në atë takim, në tribunën qendrore ishin thuajse të gjithë drejtuesit e shtetit, me përjashtim të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut.
Zoti Xhaçka, kjo ishte e fundit për ju?
Po, pasi në shtator më mobilizuan në zborin 6-mujor pasuniversitar në qytetin e Burrelit. Vetëm një muaj kam luajtur në Kategorinë e Dytë. Kjo më dëmtoi në karrierën time, si me “17 Nëntorin” edhe me kombëtaren, pasi isha në formë dhe qëndrimi pa luajtur, por duke shërbyer si efektiv i Repartit të Këmbësorisë Burrel, ndryshoi të ardhmen time si futbollist. M’u desh një kohë e gjatë të rifitoja atë që kisha humbur gjatë një gjysmëviti, pa aktivitet.