Ballina Politika Debati për Spaçin/ Berisha: Rama po përpiqet të mbulojë me suva gjëmën...

Debati për Spaçin/ Berisha: Rama po përpiqet të mbulojë me suva gjëmën e diktaturës

15
0

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj ndërhyrjeve të planifikuara në godinat e rrënuara të burgut famëkeq të Spaçit, një nga simbolet më të errëta të persekutimeve politike gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha e cilësoi projektin si një përpjekje të Kryeministrit Edi Rama për të “shuar gjurmët e tmerreve” që kanë ndodhur në atë kamp burgimi.

“Është një përpjekje e Edi Ramës për të mbyllur me suva dhe me bojë gjëmën e tmerrshme që ka ndodhur në atë kamp ndaj qindra dhe mijëra shqiptarëve”, u shpreh Berisha.

Sipas liderit të opozitës, rikonstruksioni i Spaçit ka si qëllim zbutjen dhe relativizimin e krimeve të regjimit komunist.

“Është përdorimi i një preteksti për të shuar gjurmët, për të mbrojtur xhelatët e diktaturës. Është një shkelm i dytë për atë kalvar që ka ndodhur në atë kamp. Rama mendon se me suva do të mund të shuajë veprën e etërve të tij barbarë,” deklaroi Berisha.

Ai shtoi se ky veprim është dëshmi e qartë, sipas tij, e mënyrës se si pasardhësit e sistemit komunist përpiqen të rishkruajnë historinë dhe të relativizojnë të kaluarën.