Ballina Kulturë “Diaspora shqiptare dhe çështja e Kosovës 1912–2008”, temë diskutimi mes akademikëve të...

“Diaspora shqiptare dhe çështja e Kosovës 1912–2008”, temë diskutimi mes akademikëve të Tiranës dhe Prishtinës

0
10

“Diaspora shqiptare dhe çështja e Kosovës 1912–2008” ishte tema e konferencës shkencore mbajtur në Prishtinë dhe organizua nga Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, në bashkëpunim me Institutin e Historisë, Tiranë, pjesë e Akademinë së Shkencave të Shqipërisë, dhe Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Shkup.

Nga Instituti i Historisë, Tiranë (ASHSH), morën pjesë drejtori i këtij instituti prof. dr. Hamit Kaba, akad. Marenglen Verli; akad. Beqir Meta; prof. dr. Romeo Gurakuqi, prof. Ledia Dushku, prof. asoc. Gjon Boriçi, dr. Eduart Caka, prof. asoc. Sali Kadria, dr. Eralba Çiraku, dr. Jorina Verli.

Konferencën e hapi drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, Teuta Shala-Peli. Ajo e vuri theksin në rolin jetik të diasporës si zë i çështjes kombëtare në botë dhe në fund të fjalës së saj e vlerësoi veprimtarinë për rëndësinë që ka në ndriçimin e çështjeve kombëtare.

Drejtori i Institutit të Historisë, Tiranë, prof. dr. Hamit Kaba, në fjalën përshëndetëse nënvizoi se diaspora ka qenë katalizator për ruajtjen e identitetit dhe interesave kombëtare. Ai theksoi ndër të tjera nevojën e studimeve të plota gjatë gjithë historisë shqiptare si faktorë urëlidhës i shqiptarëve me shtetin amë.

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe prof. dr. Skënder Hasani, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (Shkup). Ai vlerësoi rolin e diasporës si bartëse e kujtesës kolektive, si dhe për ndikimin në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare.

Prof. dr. Hamit Kaba mbajti kumtesën me temën “Emigracioni shqiptar në SHBA gjatë Luftës së Ftohtë, raportet me vendin e lindjes dhe origjinën.

Akademiku Marenglen Verli mbajti kumtesën me temën “Konferenca e paqes e Parisit dhe qëndrimet e diasporës dhe komiteti MKK për çështjet e Kosovës. Akademiku Beqir Metaj mbajti kumtesën me temën “Qëndrimi i federatës panshqiptare “Vatra” ndaj zhvillimeve në Shqipëri në Shqipëri në vitin 1921.

Prof. dr. Romeo Gurakuqi mbajti kumtesën me temën “Delegacionet e qeverisë së Durrësit dhe qeverisë së Tiranës në Bisedimet e Paqes në Paris 1919-1921.  Prof. asoc. Gjon Boriçi referoi studimin për problematikat e diasporës dhe emigracionit politik shqiptar në periudhën e luftës së ftiohtë 1945-1959.

Prof. Ledia Dushku mbajti kumtesën me temën “Atdheu jashtë kufijve, diplomacia e diasporës dhe strategjitë e mobilizimit kombëtar 2012-2020”.

Gjithashtu, paraqitën kumtesa: dr. Eduart Caka për mërgatën e shqiptarëve të Egjiptit dhe diasporën shqiptare të Amerikës; prof. asoc. Sali Kadria për kolonitë shqiptare të Egjiptit dhe pikëpamjet përfaqësuese të tyre për çështjet kombëtare; dr. Eralba Çiraku paraqiti kumtesën “Dokumente diplomatike për dëbimin dhe masakrat serbo-malazeze ndaj popullsisë shqiptare në vitet 1912-1913; dr. Jorina Verli paraqiti kumtesën me temën “Emigracioni politik dhe diaspora për çështjen Kosovës midis dy luftërave botërore-rasti Bedri Pojani”.

Gjatë katër seancave të kësaj konference, rreth 50 studiues trajtuan rolin dhe kontributin e diasporës shqiptare në raport me çështjen kombëtare dhe zhvillimet e Kosovës gjatë periudhës 1912–2008.