Është gjetur gjurma më e vjetër e plotë e gishtërinjve, duke hedhur dritë të re mbi kuptimin tonë për Neandertalët .
Gjurma e gishtit u la në një shkëmb që u zbulua së fundmi në strehën shkëmbore San Lázaro në Segovia të Spanjës dhe “pozicioni strategjik” i gjurmës sugjeron se specia ishte e aftë të krijonte art. Shkencëtarët kanë prova se kjo zonë dikur ishte e populluar shumë nga neandertalët.
Shkëmbi mbi të cilin u la gjurma e gishtit 43,000 vjet më parë i ngjan një fytyre, sipas ekspertëve, dhe për këtë arsye është një provë e mëtejshme se Neandertalët shfaqnin “sjellje simbolike” ose aftësinë për të menduar për gjërat në një mënyrë abstrakte.
Një burrë neandertal besohet se ka vënë pigment të kuq, mineralin e kuq okër, në gishtin e tij për të pikturuar një hundë mbi guralec. Guri është rreth 15 centimetra (6 inç) i gjatë dhe ka atë që mund të interpretohet si gropëza në formë vetullash dhe një gojë, me pikën e kuqe që shërben si hundë në mes.
“Ky zbulim përfaqëson provën më të plotë dhe më të vjetër të një gjurme gishtash njerëzore në botë, që i atribuohet pa mëdyshje Neandertalëve, duke theksuar përdorimin e qëllimshëm të pigmentit për qëllime simbolike”, tha Këshilli Kombëtar i Kërkimeve të Spanjës (CSIC) në një deklaratë të përkthyer.
Studimi u botua në revistën Archaeological and Anthropological Sciences dhe përshkruan zbulimin e shkëmbit në vitin 2022.
Provat shkencore sugjerojnë se njerëzit modernë dhe neandertalët u kryqëzuan dhe një pjesë e ADN-së së neandertalëve është ende e pranishme tek shumë njerëz sot. Neandertalët u zhdukën rreth 40,000 vjet më parë, dhe megjithëse nuk kemi një përgjigje përfundimtare për arsyen pse u zhdukën, besohet gjerësisht se një kombinim faktorësh ka kontribuar në zhdukjen e tyre. Këta përfshijnë konkurrencën me Homo sapiens, ndryshimin e klimës dhe ndoshta kryqëzimin me Homo sapiens.