Ballina Bota Nga Miami te Mumbai, qytete të tëra rreth globit po zhyten me...

Nga Miami te Mumbai, qytete të tëra rreth globit po zhyten me shpejtësi alarmante, përmbytjet tashmë pjesë e pandarë e jetës së banorëve

15
0

Njëzet e dy vjet më parë, kur Erna qëndronte përpara shtëpisë së saj në veri të Jakartës, dritaret ndodheshin në nivelin e gjoksit të saj. Sot, ato janë në nivelin e gjunjëve. Shtëpia është zhytur gradualisht në tokë, dhe me të edhe jeta e saj.

“Kur kishte përmbytje ekstreme, përdornim kanoe – uji nuk ndalej dhe mbulonte katin përdhes”, thotë 37-vjeçarja, e cila prej fëmijërisë ka jetuar në një nga zonat më të prekura të kryeqytetit indonezian.
Jakarta është një nga qytetet që po zhytet më shpejt në botë. Rënia e tokës e kombinuar me ngritjen e nivelit të detit e kanë kthyer qytetin në një pikë kritike të krizës klimatike. Gati gjysma e qytetit ndodhet aktualisht nën nivelin e detit, dhe përmbytjet janë bërë më të shpeshta dhe më shkatërrimtare.

Shtëpia e Ernas, ndërtuar në vitet 1970, ka çarje në mure dhe dysheme që është ngritur dhjetëra herë me shtresa betoni, në përpjekje për ta kthyer nivelin në origjinal. Në disa vende, trashësia e dyshemesë ka arritur një metër – por shtëpia vazhdon të zhytet, dhe familja nuk ka mundësi të zhvendoset.

Një krizë globale që po përkeqësohet

Sipas një studimi të Universitetit Teknologjik Nanyang (NTU) në Singapor, rreth 76 milionë njerëz jetojnë në qytete bregdetare që janë zhytur mesatarisht të paktën 1 cm në vit midis 2014 dhe 2020. Qytete si Tianjin (Kinë), Bangkok, Ho Chi Minh City, dhe Shanghai përballen me të njëjtin rrezik si Jakarta.

Në disa raste, efektet janë dramatike: në vitin 2023, në Tianjin u evakuuan 3,000 banorë nga pallate të larta pas çarjeve të mëdha në rrugë për shkak të zhytjes së tokës.

Nxjerrja e ujit nëntokësor – shkaku kryesor

Ekspertët thonë se një ndër shkaktarët kryesorë të zhytjes së tokës është nxjerrja e ujit nëntokësor. Në qytete si Jakarta, për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, banorët dhe bizneset shpesh hapin puse private. Kjo shkakton që toka të kompaksohet dhe të zhytet, së bashku me çdo gjë që është ndërtuar mbi të.

“Shumë nga qytetet që po zhyten ndodhen në Azi Juglindore”, thotë Cheryl Tay, udhëheqësja e studimit. “Këto janë zona me popullsi që rritet me shpejtësi dhe kërkesë të madhe për ujë, që çon në nxjerrje të tepërt dhe pasojë të rënda.”

Ndërhyrje me pasoja të dyfishta

Disa qytete si Jakarta, Aleksandria (Egjipt) dhe Ho Chi Minh City (Vietnam) kanë ndërtuar mure bregdetare për të ndalur përmbytjet nga deti. Por kjo krijon efektin “tas”, ku uji i shirave dhe lumenjve ngec brenda qytetit dhe nuk ka ku të rrjedhë.

Për këtë arsye, qytete si Jakarta kanë ndërtuar stacione pompimi – por këto nuk adresojnë shkakun kryesor të problemit: nxjerrjen e pakontrolluar të ujit nëntokësor.

Shembulli i Tokios
Ndryshe nga shumë qytete të tjera, Tokio vendosi të adresojë rrënjësisht shkakun e zhytjes. Në vitet 1970, ajo vendosi rregulla të rrepta për ndalimin e pompimit të ujit nëntokësor dhe ndërtoi një sistem të qëndrueshëm menaxhimi të ujit. Si rezultat, zhytja e tokës u ngadalësua ndjeshëm.

Studimi i NTU tregon se Tokio sot është relativisht stabile, edhe pse disa zona të vogla vazhdojnë të bien mes 0.01 dhe 2.4 cm në vit.

Një e ardhme e pasigurt për Jakartën
Për shkak të rrezikut në rritje, qeveria indoneziane ka vendosur të ndërtojë një kryeqytet të ri – Nusantara – në ishullin Borneo, larg bregdetit. Projekti ambicioz prej 34 miliardë dollarësh synon të shmangë varësinë nga uji nëntokësor përmes një sistemi të madh rezervuarësh dhe pastrimi të ujit.

Megjithatë, projekti është përballur me kritika për ndikimin në një nga ekosistemet më të pasura të planetit, si dhe për koston e lartë.
Ndërkohë, për banorët si Erna, mbijetesa në një qytet që po fundoset mbetet një betejë e përditshme – kundër natyrës, mungesës së burimeve dhe premtimeve të paqarta për të ardhmen.