Ballina Ekonomia Nisma e qeverisë: Pleqëri pa taksa! Stimuj pensionistëve që punojnë: U ulet...

Nisma e qeverisë: Pleqëri pa taksa! Stimuj pensionistëve që punojnë: U ulet tatimi, bonuse në sajë të performances

8
0

Shqipëria po plaket. Sot gati 1 në 3 shqiptar është mbi 60 vjeç. Sipas të dhënave të CENS 2023 në vend jetojnë 667 mijë qytetarë të kësaj moshe dhe rreziku është që popullsia e plakur të shtohet edhe shumë, një kërcënim ky për ekonominë. Në vitin 2031, projeksionet tregojnë se për çdo 100 qytetarë në moshë pune, 35 prej tyre do të jenë të moshuar.

Për këto arsye qeveria ka vendosur të mbështesë këtë kategori me lehtësi në taksa, në energji elektrike dhe stimulim punësimi.

Në dokumentin për politikat e moshimit dhe planin e veprimit 2025-2030, të miratuar nga qeveria, thuhet se do të ulet tatimi mbi pagën për të gjithë pensionistët që punojnë.

“Të paktën 30,000 individë kontribuues në moshë pensioni përfitojnë nga stimujt, si rishikim i kornizës ligjore në drejtim të uljes së normave të tatimit për të ardhurat e të punësuarve në moshë pensioni; Bonuse për qëndrueshmëri dhe performancë; Mbështetje për pensione private; Fleksibilitet të orareve të punës”, thuhet në dokument.

Për të mbrojtur moshën e tretë nga kostot e jetesës në dokument thuhet se të gjithë qytetarët mbi 60 vjeç të përfitojnë ulje të çmimit të energjisë elektrike. Masa tjetër që qeveria synon të marrë brenda këtyre 5 viteve është heqja e taksës së shtëpisë për të gjithë pensionistët që marrin pension social ose që nuk e arrijnë pensionin mesatar.

“Me qëllim reduktimin e varfërisë për të moshuarit, një nga drejtimet është dhe krijimi i lehtësirave fiskale, të tilla si përjashtimi nga taksat për pronat e pasurive të patundshme të pronarëve të moshuar”, thuhet në dokument.

Brenda kësaj periudhe do të bëhet e mundur heqja e taksës vjetore për makinën për të gjithë qytetarët mbi 65 vjeç që kanë mjet në pronësi.

“Heqja e taksës vjetore për automjetet vetjake të të moshuarve 65+ dhe reduktimi i gjobave dhe kamat-vonesave”, vijon dokumenti.

Ndërsa bashkive do tu kërkohet që të pajisin të gjithë pensionistët me ‘kartën e pensionistit’, duke mundësuar përfitimin e transportit publik falas, heqjen e detyrimeve si taksa e pushtetit vendor dhe lehtësira të tjera në strehim apo shërbime. (Shqiptarja.com)