Një tërmet me magnitudë 6.4 ballë goditi Kilin verior të premten, duke shkaktuar dëme të vogla në infrastrukturë dhe duke ndërprerë energjinë elektrike për më shumë se 20,000 njerëz.
Autoritetet nuk kanë raportuar për viktima pas tërmetit.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), tërmeti ndodhi në orën 13:15 (ora lokale) në një thellësi prej 76 kilometrash.
Shërbimi Hidrografik dhe Oqeanografik i Kilit tha se karakteristikat e tërmetit nuk plotësonin kushtet e nevojshme për të gjeneruar një cunami përgjatë bregdetit të Amerikës së Jugut, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ndërsa Miguel Ortiz, zëvendësdrejtor i shërbimit kombëtar të reagimit ndaj fatkeqësive të Kilit, Senapred, bëri të ditur se tërmeti i fuqishëm shkaktoi dëme “të vogla” në infrastrukturë dhe ndërprerje të energjisë elektrike, duke lënë gati 23,000 njerëz pa energji elektrike.
“Janë regjistruar disa rrëshqitje të vogla toke, të cilat po monitorohen dhe koordinohen me komunat”, tha ai.
Kujtojmë se vetëm në fillim të muajit të kaluar, një tërmet me magnitudë 7.4 ballë goditi brigjet jugore të Kilit dhe Argjentinës.
Tërmeti goditi midis Kepit Horn dhe Antarktidës në një thellësi prej vetëm 10 km (6 milje) dhe u pasua nga disa lëkundje të tjera më të vogla.