Ballina Sport Shqipëri-Serbi është ndeshje e rrezikshmërisë të lartë, UEFA dërgon të plotfuqishëm në...

Shqipëri-Serbi është ndeshje e rrezikshmërisë të lartë, UEFA dërgon të plotfuqishëm në stadium një ish-shef policie

13
0

UEFA ka lejuar që Shqipëria dhe Serbia të jenë kundërshtarë të mundshëm edhe pas trazirave në Beograd në eliminatoret e Euro 2016 dhe pas 10 vitesh shorti i vendosi përsëri përballë në eliminatoret e Botërorit 2026.

Megjithatë, institucioni që  drejton futbollin kontinental i cilëson këto ndeshje si ato të rrezikshmërisë shumë të lartë, ndaj ka nisur një ekspert për të monitoruar gjithçka.

Delegati i ndeshjes së sotme, praktikisht njeriu i plotfuqishëm i UEFA-s në stadium që ka në dorë çdo vendim madhor për shkak trazirash, edhe ndalimin e saj, është zvicerani Zhak Antenen. Veçoria e tij është se ai është një ekspert sigurie falë eksperiencës së jashtëzakonshme me mbi një dekadë si shef i policisë në kantonin e Vaud në Zvicër.

Për ata që nuk e  dinë, kantoni në fjalë është ai në të cilin gjenden zyrat e UEFA-s, ndaj Zhak Antenen është një emër shumë i njohur për institucionin e futbollit. Nuk është rastësi që krahas punës si shef policie, apo edhe më vonë si ekspert sigurie i pavarur, ai ka bërë edhe rolin e funksionarit të jashtëm të UEFA-s, si këshilltar për sigurinë në evenimente apo edhe delegat për ndeshjet e veçanta.

Dhe në vitin 2023, pikërisht Antenen u caktua si delegati i ndeshjes finale të Ligës së Kampioneve në Stamboll mes Mançester Sitit dhe Interit, që cilësohej e një rrezikshmërie të lartë për shkak të spostimit të madh të tifozëve anglezë drejt Turqisë.

Ndaj nuk është rastësi që UEFA ka dërguar një nga njerëzit më të besuar dhe me ekspertizën më të madhe për ndeshjen e sotme në Tiranë, pasi e cilëson si një nga më delikatet e këtyre kualifikueseve.