Partia Demokratike ka denoncuar një rast ku sipas saj institucionet janë përdorur nga Partia Socialiste gjatë procesit zgjedhor të 11 majit.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsion në PD, Genta Vangjeli, ka akuzuar Presidencën dhe Shkollën e Magjistraturës se kanë vënë në dispozicion njerëz të lidhur politikisht.
Deklarata:
Presidenca vendosi në dispozicion të partisë – shtet kabinetin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Kjo ishte arsyeja që në datën 30 Maj, Grupi Parlamentar i PD paraqiti kërkesën e tij drejtuar Presidentit për mosndërhyrje të Institucionit të Presidentit të Republikës në procesin zgjedhor dhe ruajtjen e neutralitetit politik nga ana e këtij institucioni.
Kjo kërkesë lidhej me emrin e Ilirjan Rusmali, pjesë e kabinetit të Presidentit Begaj, i cili mban njëherazi detyrën e anëtarit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, duke sjellë si pasojë shkeljen e dispozitave ligjore nëpërmjet cenimit të parimit të neutralitetit politik dhe përfaqësimit të unitetit të popullit.
Përjashtimi i Rusmalit nga shqyrtimi i kërkesës ankimore, ka qenë objekti i kërkesës së PD -ASHM në datën 2 Qershor duke arsyetuar sjelljen dhe vendimmarrjet e tij në cilësinë e anëtarit të KAS-it haptazi kundër palës ankuese, subjektit zgjedhor ‘Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore’, dhe përfaqësuesve të saj ligjor, duke krijuar arsye serioze për njëanshmëri, në mbështetje të nenit 42, pika 2, të Kushtetutës, nenit 6, pika 1, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nenit 30 të Kodit të Procedurave Administrative, si dhe nenit 135 të Kodit Zgjedhor.
Kërkesa e mësipërme sigurisht u rrëzua nga KAS duke mos pranuar përjashtimin e Rusmaliׅ.
Nga ana tjetër, Shkolla e Magjistraturës ka vënë në dispozicion të Partisë studentët e saj, kështu kandidatja për gjyqtare sipas listës përfundimtare të publikuar në 13 Maj nga këshilli drejtues i shkollës së magjistraturës zonja Shila Vital Ballhysa, rezulton njëherësh përfaqësuese e PS në KQZ (eksperte e komisionit të reformës zgjedhore për PS).
Partia Demokratike kërkon me urgjencë nga Presidenti i Republikës dhe Shkolla e Magjistraturës të distancohen me veprime konkrete nga këto paligjshmëri në të kundërt, mosveprimi i tyre dëshmon se përzierja e PS me strukturat që prezumohen të jenë të paanshme në vlerësimin e procesit zgjedhor sjell si pasojë vetëm farsa elektorale si ajo e 11 Majit 2025, përshkruar më së miri në Raportin Paraprak të OSBE/ODIHR.