Në mbrëmjen e 7 qershorit 2025, skena antike e Teatrit të Butrintit u mbush me emocione, muzikë dhe duartrokitje të pafundme, teksa këngëtari me origjinë shqiptare dhe karrierë të suksesshme në Itali, Ermal Meta, solli një performancë të jashtëzakonshme në kuadër të Javës Kulturore Italiane.
Koncerti, i cili shënoi nisjen e turneut të tij “LIVE 2025”, u zhvillua në një prej skenave më të bukura të Mesdheut – Teatri Antik i Butrintit, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Të pranishëm në këtë mbrëmje të veçantë ishin përfaqësues të rëndësishëm nga Shqipëria dhe Italia, mes tyre: ambasadori italian në Tiranë Marco Alberti, drejtori i Institutit Italian të Kulturës Alessandro Ruggera si dhe zëvendësministrja e Kulturës së Shqipërisë Lira Pipa krahas një numri të madh spektatorësh që kishin mbushur shkallët e teatrit antik.
Jemi të lumtur që jemi në Butrint për koncertin e Ermal Metës, i organizuar nga Instituti italian i Kulturës dhe ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. E rëndësishme është të jemi këtu sepse Butrint është një xhevahir shqiptar, i zbuluar nga italiani Ugolini 100 vjet më parë. Dhe pastaj historia e Ermal Metës, një xhevahir shqiptar dhe i zbuluar edhe falë kontributit të Italisë. Në këtë kuptim, të qenit këtu, për të folur për të ardhmen me njëkëngëtar që tregon historinë e një miqësie midis popujve tanë”, tha ambasadori italian.
“Këtë mbrëmje kemi Ermal Metën në një koncert të bukur në amfiteatrin e Butrintit. Eventi më i rëndësishëm i Javës Kulturore Italiane që është organizuar nga ne, ambasada italiane, ministria e Kulturës dhe kemi vendosur të sjellim një artist që është simbol i bashkimit mes Italisë dhe Shqipërisë se është një artist që është rritur kulturalisht në Itali, i lindur në Shqipëri.”, u shpreh mes të tjerash drejtori i institutit të Kulturës Italiane.
“Është kënaqësi që në ciklin e aktiviteteve në kuadër të Javës Kulturore Italiane organizojmë këtë koncert të këngëtarit Ermal Meta për të çelur njëherësh edhe sezonin turistik në Butrint. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është të promovojmë vendin edhe për pasuritë kulturore dhe të pasurojmë kalendarin kulturor edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.”, tha zv. Ministrja e Kulturës.