Nga Enver Sulaj
Në Këngët Kreshnike (Gjergj Elez Alia, balada Konstandini e Doruntina, Ali Bajraktari etj.) deri më tani është nënvizuar lidhja mes vëllait dhe motrës dhe veprimeve mitike e epike, por asnjëherë nuk është vënë theksi te lidhja e fortë në mes vëllezërve, Mujit e Halilit. Studiuesi i njohur shqiptar, Eqrem Çabej, ka tërhequr një paralele analogjie mes kohës ilire dhe vëllezërve Mujit e Halilit, duke i krahasur me krijimet e popujve tjerë, por pa u ndalur më shumë në këtë çështje, por thjesht duke shprehur një “pëlqim” të tijin. “Mua, te Muji dhe Halili më pëlqen të shoh analogjinë shqiptare të lashtë e ndofta ilire të atij çifti vëllazërish trima, që na ndeshim te Grekët (dioskurët), Keltët, Gjermanët dhe Indët (Açvins).” Çabej në një rast tjetër thotë se disa elemente folklorike që i kanë sllavët e jugut, e të cilat nuk i gjejmë fare te krijimtaria e sllavëve tjerë, janë si rezultat i një substrati parasllav të Gadishullit Ballkanik, të cilin vetëm ardhacakët sllavë të jugut e hasën në këto troje, e pranuan, e asimiluan dhe u përpoqën vazhdimisht edhe ta përvetësonin. Studiuesja amerikane Osborn, këtë “çift vëllezërish trima“ e sjell më afër në kohë.
Ajo, lidhjen e fuqishme vëllazërore në mes Mujit e Halilit e vë në rrafshin e njëjtë figurativ me shën Florin dhe shën Laurin, me dy martirët dardanë të fillimeve të krishterimit, të cilët u martirizuan për shkak të religjionit të tyre. “Fakti se shenjtorët binjakë Florus dhe Laurus janë vendosur gjeografikisht në Iliri (Illyricum) është i rëndësishëm, sepse sugjeron lidhjen e fortë me kultin e binjakëve, ndoshta që nga religjionet e hershme.” Muji dhe Halili janë martirë iliro – shqiptarë, figura të folklorit tonë, që mund të krahasohen me shenjtorët Florin dhe Laurin – të cilët u persekutuan për fenë e bindjet e tyre, ndërsa kreshnikët kishin zgjedhur martirizimin dhe luftën pafund, për të ruajtur ekzistencën e vet dhe të fisit që i takonin. Prifti italian i shekullit 16-të, Antonio Gallonio, në librin “Martirizimi dhe kryqëzimi” sjell të dhëna lidhur me binjakët Florin dhe Laurin. Ai i përshkruan vëllezërit si gurëthyes të shekullit të dytë të erës sonë, që mësojnë tregtinë e tyre nga Proclus dhe Maksimus, të cilët më vonë janë torturuar dhe hedhur në një pus. Pas kësaj, Flori dhe Lauri e kanë braktisur Bizantin dhe shkojnë në Illyricum, në Ulpianë. (Galloni, 204). (Hi viri sancti erant fratres gemelli, caefores lapidum, quam artem didicerant a Proclo et Maximo; postea vero quam eorum magistri pro Christo martyrium perpessi sunt, relicto Byzantio venerunt in Illyricam regionem, in urbem Ulpianorum, ubi apud Lycionem Praesidem metalla perscrutantes propriam artem nobiliter exercebant. Postremo multos passis cruciatus, a Licione Praeside in profundum puteum dejecti Deo ipsi animas suas commendarunt).
Studiuesi Gaspër Gjini, duke cituar Farlatin thotë se (Flori e Lauri- shënim E.S.): “Qenë vëllezër, bineq, me profesion gurgdhendës. Pas martirizimit të mësuesve të tyre, të cilët e dëshmuan Krishtin, të dy vëllezërit e lanë Konstandinopojën dhe erdhën në Ilirik, ku, duke i hulumtuar disa xeherore për qeveritarin, merreshin edhe me zejen e vet. Atëherë ai i drejtoi te Licini, i cili u dha të holla për t’ua ndërtuar një faltore idhujve. Ata, këto të holla ua shpërndanë të varfërve dhe pastaj e ndërtuan faltoren. Kur më u bë gati krejtësisht, ata vetë i thyen idhujt dhe faltoren ia kushtuan Krishtit. Kur dëgjoi për këtë Licini, i hodhi në një pus të thellë, ku ia dhanë shpirtin Zotit.” “E dhëna se shenjtorët binjakë, shën Flori dhe shën Lauri janë vendosur gjeografikisht në Iliri (Ilirik) është e rëndësishme, sepse sugjeron lidhje të forta me një kult të tillë, ndoshta që nga religjionet e hershme.
Pra, me këtë dëshmohet se jo rastësisht kemi kultin e vëllezërve në traditën tonë (edhe në krijimet epike – heroike) që në kohët më të hershme, para dhe pas lindjes së religjionit. Është i njohuar, poashtu fakti se Ilirikumi ishte ndër rajonet e para që e pranoi krishterimin nga shën Pali. “Eposi i kreshnikëve ka ngjashmëri me shumicën e epopeve të popujve europianë dhe të botëve të largëta. Njësoj si në epopenë antike sumere dhe në atë greke, heronjtë qendrorë janë dy.” Kemi kështu kultin e vëllezërve binjakë, që e hasim edhe në religjionet e vjetra. Studiuesja Osborn, duke tërhequr një paralele krahasimi me vëllezërit Dioskuri, thotë se Muji dhe Halili ndajnë një lidhje të ngjashme me Dioskurët dhe lidhja e tyre karakterizohet nga sakrifica, dhe secili del jashtë sheshit të tij për t’u siguruar se vëllai i tij është i sigurtë.” Muji dhe Halili, megjithë rivalitetin që mund ta kenë ndonjëherë, ata kurrë nuk e braktisin njëri-tjetrin dhe “ashtu si Dioskurët, njëri vëlla nuk mund të jetojë pa tjetrin, njëri vëlla nuk mund të ndahet nga tjetri.” “Ekziston gjithashtu një vëllazërim i fortë për luftëtarët aga dhe personazheve tjera mitologjikë, të quajtur ”vëlla gjaku”, dikush që nuk është i lidhur fare, por gjithsesi i detyrohet një luftëtari deri në vdekje. Zakonisht vëllai i gjakut është një tjetër aga, por Muji është unik në atë që vëllezërit e tij të gjakut janë tri zana që i japin atij fuqi të madhe dhe premtimin për ta ndihmuar atë sa herë që është e nevojshme.” Pra, vëllamërinë, që njihet edhe në të drejtën tonë zakonore, Muji ua dedikon zanave të malit, të cilat e ndihmojnë e i japin forcë për të përballuar të keqen. Por, edhe Muji e kryen detyrimin ndaj zanave, duke i ndihmuar çdoherë kur e thërrasin, si një vëllamë i mirë e i ndërgjegjshëm për detyrimet që ka.
(Fragment nga libri në dorëshkrim “Visaret e kombit II-interpretim letrar i teksteve”. Fusnotat u hoqën nga autori për shkak të natyrës së mediumit ku publikohet shkrimi).