Nga Uvil Zajmi
Ajo ishte ndeshja e tretë e skuadrës tonë kombëtare për vitin 1967. Pas takimeve në Dortmund, Republika Federale Gjermane – Shqipëri, 6-0, dhe Tiranë, Shqipëri-Jugosllavi, 0-2, do të luhen edhe dy takimet e fundit, Jugosllavi – Shqipëri më 12 nëntor dhe Shqipëri – RF Gjermane, e caktuar më 17 dhjetor. Kualifikimi ishte ende në lojë, asgjë nuk ishte përcaktuar për dy pretendentet, RF Gjermane e Jugosllavi, pasi Shqipëria e fundit, pa asnjë pikë. Ndeshjet kishin ende interes dhe ajo e Tiranës, do të tregonte se kombëtarja kuqezi, do të përcaktonte finalisten e Romës, për qershorin e 1968-ës. Por, cila ishte atmosfera politike dhe ajo sportive në prag të ndeshjes së Beogradit? Ndryshimet e formacioneve dhe pse serbët vendosën dhjetë topa në portën shqiptare?
Si e kujtojnë Zan Rragami, Mikel Janku e Iljaz Çeço dhe komenti kritik që trajneri Loro Boriçi, bëri ndaj skuadrës së tij? 90 minutat e paharruara të zhvilluara gjysmë shekulli më parë, pikërisht të dielën e 12 nëntorit 1967, në një stadium të mbushur me shqiptarë, ku nuk mungonin thirrjet “Eho! Eho! Eho!”.
Pasojat pas “17 Nëntori” – “Partizani”…
Pasojat pas ndeshjes “17 Nëntori” – “Partizani” 2-1, në qershorin e 1967-ës që vijuan me përjashtimin e të dyja skuadrave nga kampionati. Ajo periudhë karakterizohet me kritika, autokritika, individuale dhe kolektive publike, të klubeve sportive. Sidoqoftë, kampionati përfundon me “Dinamon” kampione me 38 pikë, “17 Nëntori” 33, “Besa” 26, “Skënderbeu” 26, “Partizani” 25 pikë. “Flamurtari” me 12 pikë, mbijetoi pas dy ndeshjeve kualifikuese me “Tekstilistin”, (e Tiranës), ndërsa “Luftëtari” me 10 pikë, bie në Kategorinë e Dytë. Ndërkohë hidhet shorti i turit të parë të Kupës së Kampioneve dhe “Sporti Popullor” informon: “Dinamo” – “Eintracht”, e Braunshvejgut.
Me një vendim, FSHF-ja vendos të mos zhvillojë kampionatin kombëtar, por në shtator, sajohet një aktivitet mbarëkombëtar, si “Kupa e FSHF-së” me skuadrat e ndara në dy grupe: “Dinamo”, “Partizani”, “Besa”, “Lokomotiva”, “Tomori”, “Flamurtari” dhe “Vllaznia”, “17 Nëntori”, “Skënderbeu”, “Apolonia”, “Traktori”, “Labinoti”. Pastaj luhet për “Kupën e Sportit Popullor”, që ndan skuadrat e Kat. II në katër grupe. Vijohet me Kupa e Gazetës “Luftëtari” tre grupe të Kat. III dhe Kupa e “Komitetit Qendror të Bashkimit Rinisë së Punës Shqipërisë” për të rinj. Aktivitete këto që do të përfundojnë në fund të vitit. Ndërkohë, “Dinamo”, e caktuar të luajë në Kupën e Kampioneve, vazhdon përgatitjet, por pak javë para takimit, vjen urdhri për mospjesëmarrje.
Ngjarjet sportive, Marjeta Pronjari me rekord të ri!
Atletja Marjeta Pronjari, vendos rekord të ri në kërcim së larti me 1.64 m., “Traktorul”, një skuadër volejbolli e Rumanisë, vijon turneun miqësor në Shqipëri. Zhvillohen aktivitete për nder të 25-vjetorit të Shtypit Popullor, Gazetës “Zëri i Popullit”, që fitohet nga “17 Nëntori”. “Vllaznia” sapo është kthyer nga Rumania, duke barazuar 1-1 me Jiul dhe humbur 5-3, me Minerul. Shkodranët kanë në përbërje: Dani, Rama, Gjinali, Gjoni, Dedja, A. Mema, N. Jareci, Gjergji, Çeço, Bizi, Andoni, Puka, Qeraj. Për Kupën Ballkanike, “Partizani” mund në Tiranë 2-0, “Fenerbahçen”. Fillon kampionati i 42-të i shahut, me match-in Duraku-Konçi, që fitohet nga ky i fundit.
Në këtë turne marrin pjesë jashtë gare edhe dy shahistë rumunë, Partosh dhe Ungureanu. Në Turqi, Partizani luan ndeshjen e dytë kundër “Fenerbahçe”-s, që fitohet 3-2 nga vendësit. Në Republikën Popullore të Kinës, nisen volejbollistët dhe qitësit. Më 3 tetor, në Bukuresht, qitësi Ismail Rama, realizon 593 pikë, në garën 1×10, me precizion. Starton “Rrethi Çiklistik” dhe Sali Hima, është fitues. Organizohet Spartakiada e Kooperativave Bujqësore dhe qendrave të punës. Nis në Stamboll, Kampionati i Shtatë Europian i Volejbollit për meshkuj dhe Shqipëria është në grup me Poloninë, Rumaninë, Bullgarinë dhe Republikën Federale Gjermane.
Atmosfera politike shqiptare dhe në botë
Në muajin shtator, Enver Hoxha viziton Shkodrën, ndërsa një delegacion qeveritar i kryesuar nga Mehmet Shehu, shkon në Pakistan. Në Tiranë zhvillohen dy kongrese: Ai i Frontit Demokratik dhe Kongresi i 6-të i Bashkimit të Grave të Shqipërisë. Më 8 tetor, bota tronditet nga lajmi se Che Guevara është kapur dhe presidenti i Bolivisë, Rene Barrientos, sapo mori vesh lajmin për kapjen e tij dha urdhër që të pushkatohet. Ai u ekzekutua në orën 13:10, të 9 tetorit 1967. Më pas, trupi i tij u vendos në një helikopter dhe u dërgua në Vallegrande, ku edhe iu tregua shtypit.
Me Jugosllavinë e Titos, të paktën marrëdhëniet sportive ishin normale, kjo u reflektua para, gjatë dhe pas ndeshjes në “Qemal Stafa”, që u fitua 2- 0 nga jugosllavët. Në Kupën Ballkanike për klube në futboll, nuk kemi asnjë përballje (e para “Sloboda” – “Partizani” 1-1 dhe 1-2, në vitin 1970) dhe ajo e Beogradit midis përfaqësueseve, pritej me interesim, pasi edhe atmosfera ishte pak më ndryshe se ajo e Tiranës, pak muaj më parë. Ka tension, së pari sportiv, sepse vendësve u kërkohet jo vetëm fitorja, por të shënojnë sa më shumë gola. Ndërkaq ka edhe presion politik, pasi mjaft shqiptarë, që jetojnë në trevat e ish-Jugosllavisë, do të vërshonin për të ndjekur takimin.
Grupi i futbollistëve anti-Jugosllavi
Deri para kësaj ndeshjeje, Kombëtarja shqiptare nuk zhvilloi asnjë miqësore, ndërkohë luhet për Kupat e FSHF-së. Vetëm disa javë para përballjes, “Sporti Popullor”, jep njoftimin: “Filluan përgatitjet e skuadrës sonë kombëtare të futbollit, për ndeshjen e 12 nëntorit në Beograd. Trajneri L. Boriçi ka grumbulluar: Rama, Janku, Jozja (portierë); Jorgaqi, Vaso, Dembo, G. Xhafa, Stringa (mbrojtës); Mema, Rragami, Shllaku, Kazanxhi (gjysmëmbrojtës); Andoni, Pano, Çeco, Zhega, Bizi, Hyka, sulmues. Parashikohen edhe tri ndeshje miqësore”.
Grumbullimi u organizua në Tiranë. Pastaj, një natë qëndrimi dhe stërvitje në Pogradec dhe sërish me autobus drejt Serbisë. Një natë në Shkup, ku ora e madhe e qytetit kishte ngelur 6 pa pesë minuta, pikërisht në çastin kur ishte regjistruar tërmeti i rëndë, ndërkohë që përgjatë rrugës, futbollistët vështrojnë çadra të ngritura ku ishin vendosur familjet e dëmtuara. Për në Jugosllavi udhëtuan lojtarët e formacionit, trajnerët, një portier dhe tre futbollistë rezervë (ende nuk lejoheshin zëvendësimet gjatë ndeshjes), mjeku Ismail Feta dhe kryetar delegacioni, Pandi Allabashi, kryetar i Komitetit të Fizkulturës së rrethit të Korçës. Mbërritja në Beograd të premten, më 10 nëntor, dhe sistemimi në hotelin “Pallas”, para të cilit qëndronin qindra shqiptarë që i prisnin. Ndeshja do të luhej ditën e diel, në mesditë.
Para ndeshjes, situata në grup ishte: Republika Federale Gjermane, 4 pikë në 3 ndeshje (2 fitore, 1 humbje me golavarazh 6-1); Jugosllavia me 4 pikë në 2 ndeshje (2 fitore, 1 humbje me golavarazh 4- 3). Takimet e zhvilluara kishin përfunduar: RF Gjermane-Shqipëri 6-0; Shqipëri-Jugosllavi 0-2; Jugosllavi-RF Gjermane 1-0 dhe e fundit ishte ajo e luajtur midis RF Gjermane dhe Jugosllavisë përfunduar 3-1.
Ajo që përbën kuriozitet si një eveniment i madh për kohën, ka qenë se pikërisht ndeshja e grupit të katërt, sfida midis RF Gjermane – Jugosllavi, 3-1, e luajtur në Hamburg më 7 tetor të 1967-ës, e drejtuar nga italiani i famshëm Concetto LoBello, regjistron ndeshjen e parë të futbollit, të transmetuar me ngjyra në televizion. Por, sipas shtypit të huaj, në pjesën e dytë, për shkak të keqësimit të kushteve atmosferike, shiut të madh, transmetimi ka vijuar bardhezi.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0, kur Loher realizoi nga një distancë e largët, ndërsa në fillim të pjesës së dytë, Zambata barazoi. Në të 70′, RFGJ kthehet në avantazh me një gol shënuar me kokë nga Myler dhe, në 86′, sërish me kokë Zeler, trefishon shifrat.
Nga ndeshja me RF Gjermane në Dortmund, pastaj në Tiranë me Jugosllavinë, Boriçi bën disa ndryshime. Në portë, në Beograd, portier i parë do të jetë Jani Rama, titullar i “Dinamos”, shtatlartë, elegant, që luan mirë në ajër. Ky mund të jetë edhe motivi i aktivizimit të tij, pasi Boriçi e dinte se loja e vendësve do të përqendrohej në dyluftimet ajrore. Për Ramën, kjo ishte e para si titullar me përfaqësuesen, ndërsa Janku, qëndron rezervë, madje ndeshja me Jugosllavinë në Tiranë, do të rezultojë e fundit për të me përfaqësuesen.
Nëse në Beograd luan Rama, në përballjen me RF Gjermane pas një muaji, tjetër portier do të shohim në portë. Rama do të rikthehet edhe në dy takime të tjera, në vitin 1973, në Magdeburg, RD Gjermane-Shqipëri 2-0 dhe në “Qemal Stafa”, një muaj më vonë, kundër Rumanisë 1-4. Në Beograd nuk luajnë Frashëri e Kazanxhi, po kështu edhe Xhaçka e Vorfi, që ndahen përfundimisht me kombëtaren. Bashkë Ramën, debuton Gani Xhafa dhe mbrojtësi biond, Jorgaqi i “Labinotit” të Elbasanit. Rikthehet Sabah Bizi dhe pas Irlandës 1-1, sërish në formacion është edhe Foto Andoni i “Partizanit”, i konsideruar një ndër talentet e mëdha të kohës (edhe për të do të jetë ndeshja e fundit).
Edhe jugosllavët me të tjerë lojtarë
Ndryshmi te skuadra jugosllave është i madh. Nga ndeshja në “Qemal Stafa”, luajnë vetëm tre lojtarë: Fazllagiç, Holcer dhe Xhaiç. Po kështu edhe ndaj Gjermanisë dhe para takimit me Shqipërinë, ai ka ndryshime thelbësore: Nga ndeshja me RF Gjermane, luajnë vetëm Fazllagiç, Holcer, Osim e Xhaiç, dhe jo Zambata, autori i golave kundër nesh dhe i të vetmit në Hamburg, as Skoblar. Ndaj shqiptarëve, trajneri Mitic, aktivizon gjashtë futbollistë të tjerë: Vukçeviç, Damjanoviç, Djordeviç, Paunoviç, Lazareviç e Spreko.
“Kërcënimi” me dhjetë topa në rrjetë…!
Në prag të takimit, që siç thamë, është e fundit për Jugosllavinë, duke parë golavarazhin, media dhe i gjithë opinioni në Jugosllavi, kishin përgatitur një terren agresiv ndaj Kombëtares Shqiptare, me pretendimin se do të shënonin mbi dhjetë gola. Me një atmosferë të rëndë psikologjike janë përballur stafi shqiptar, sapo ka mbërritur në Beograd, madje në seancën stërvitore, një ditë para takimit, jo pa qëllim, në njërën portë, kanë gjetur dhjetë topa, që vendasit i kishin vendosur për të treguar supremacinë dhe sasinë e golave, që do të shënonin. “Ishte Zhega që shkoi te porta dhe i nxori topat”, kujton Iljaz Çeço.
Ky ishte një tjetër moment i vështirë, që i parapriu sfidës. Pas himnit të ekzekutuar në “Qemal Stafa” (pa asnjë tifoz të ardhur që shoqëronte skuadrën kundërshtare), ai në Beograd, ishte ndryshe: Për herë të parë pas gati 20 vitesh, në një stadium jugosllav të mbushur me shqiptarë nga e gjithë Jugosllavia, që kishin ardhur për të ndjekur takimin, do të ekzekutohej himni i Shqipërisë. Dhe ai u shoqërua nga zërat e dhjetë mijë kosovarëve të pranishëm aty, që e këndonin me zë të lartë atë.
Stadiumi “Armatës”, ora 16:00
JUGOSLLAVIA: Vukceviç, Fazllagiç, Pavloviç, Damianoviç, Holcer, Georgeviç, Spreca, Rora, Lazareviç, Osim, Xhaiç. Trajner: Rajko Mitiç.
SHQIPËRIA: Rama, Xhafa, Jorgaqi Vaso, A. Mema, Rragami, Bizi, Shllkaku (Kapiten), Andoni, Pano, Zhega. Trajner: Loro Boriçi.
GOLAT: Screçko 40′, Osim 48, 71, Lazareviç 56′.
NGJYRAT E UNIFORMAVE: Jugosllavia bardheblu; Shqipëria kuqezi.
Kronika e ndeshjes, golat erdhën nga… ajri
Ajo që na mundëson disa momente filmike nga ky takim, është një filmi mi kohës. Golin e parë Jugosllavia e realizon me Screçkon në minutën e 40-të: Harkim pa asnjë pretendim nga e majta, topi në shtyllë, aty ku bashkohen ajo vertikale me horizontalen lart, në të majtë të Ramës, përplaset në tokë. Ka protesta, gol, jo gol, por topi sipas arbitrave, e ka kaluar vijën e portës. Goli vijues realizohet sapo ka filluar pjesa e dytë. Ivica Osim, pak diagonal, godet fuqishëm dhe gol në krahun e majtë lart Ramës. I treti, sërish harkim nga e majta dhe Lazareviç te zona e 5-metrëshit, i pambuluar, devijon me kokë saktë nga e djathta e Ramës.
Dhe i fundit, po nga e majta, një harkim dhe Osim, ndonëse në dyluftim, godet me kokë një top pa pretendime, por Rama reagon me vonesë dhe ngjitur me shtyllën në të djathtë të tij, topi ndalon në rrjetë. Para shënimit të golit të katërt, Shqipëria ka një rast: Pano i jep një pasim inteligjent Sabah Bizit, që i vetëm pak diagonal, godet, por pret portieri vendës. Pjesa e dytë zhvillohet në një presion të madh të vendësve. Ai që pritej të shënonte, Xhaiç, nuk mundi të realizonte asnjë një gol. Ndërkohë, edhe rezultati pritej më i thellë.
Pas këtij takimi renditja është:
Jugosllavia 6 pikë, RF Gjermane 4, Shqipëria 0
Për RFGj-në, fitorja është vendimtare për kualifikim, pasi edhe golavarazhin e ka në favor. Në të kundërtën, edhe një barazim do i ndëshkonte rëndë….!
Ndeshja Jugosllavi – Shqip%ri, është transmetuar në televizionin vendës, por në Shqipëri është ndjekur dhe parë, në pjesën veriore të vendit, nga ata pak televizorë që mund të kishin familjet e qyteteve, kryesisht Shkodra, që e merrte sinjalin direkt nga kanalet jugosllave, për afërsinë me transmetuesit të vendosur në Malin e Zi. Në Shqipëri janë vitet e Televizionit Eksperimental dhe ende nuk funksiononte ajo lidhje apo transmetim direkt, ndërsa në Radio, sipas Ismet Bellovës, një koment ka bërë Pandi Allabashi, Përgjegjësi i Kombëtares. Ndryshe në Mal të Zi, Maqedoni dhe Kosovë, kjo ndeshje është parë në televizion dhe është transmetuar në radio.
Analiza te “Sporti Popullor”: Boriçi kritikon skuadrën e tij
Kuptohet që në Beograd, nuk ka pasur gazetar sportiv të shoqërojë skuadrën shqiptare. Me kthimin në Shqipëri, në numrin e “Sportit Popullor” të datës 21 nëntor, nga Loro Boriçi, trajner i përfaqësues, krahas kronologjisë së 90-të minutave, lexojmë një koment kritik të tij ndaj skuadrës Kombëtare, të cilën e drejton ai vetë. Midis të tjerave ai thekson se: “Ekipi ynë nuk ishte i përgatitur në mënyrë të gjithanshme, për të përballuar ndeshjen.
Atij i mungonte përgatitja e duhur fizike, e cila e ka shkakun në punën e dobët dhe jo serioze, që bëhet në skuadrat e rretheve dhe të klubeve”. Nuk ishte hera e parë, sepse edhe pas kthimit nga RF Gjermane dhe humbjes së thellë 6-0, ishte vetë Boriçi, trajneri skuadrës që analizonte disfatën. Një koment të tillë, ai do ta bënte edhe pas kthimit të “Partizanit” nga Torino. Mungesa e një gazetari sportiv, ndoshta e provokonte Boriçin e madh, të bënte edhe punën e analistit e kritikut. Kështu funksiononte në ato vite, kur në raste të veçanta, trajneri i bënte analizën publike, skuadrës së tij.
Ditët beogradase të shqiptarëve
Ka qenë e jashtëzakonshme pritja, dëshira dhe malli pa kufi i shqiptarëve që jetonin atje. Për sa ditë Kombëtarja qëndroi në Beograd, ka qenë e rrethuar në çdo moment nga bashkëkombësit e ardhur nga të gjitha trojet shqiptare. Por, si i kujtojnë ato çaste, disa nga protagonistët e atij takimi? Loro Boriçi në gazetën “Sporti” shkruante: “Nuk mund të harrohen çastet më prekëse të atyre takimeve. Midis tyre kishte edhe pleq edhe të rritur, të rinj e të reja. Ata dëshironin një kujtim nga Shqipëria.
Nxorëm paketat dhe u dhamë nga një cigare Shqipërie. Madje edhe disa fëmijë e morën cigaren… ‘do ia çojmë babait si kujtim, pasi nuk mundi me ardh’, na thoshin. Edhe kutinë bosh e kërkuan, kur ajo mbaroi. Një tjetri i dhamë një gazetë ‘Zëri i Popullit’. Edhe në largim, na përcollën me këngë të kompozuara prej tyre. Dëshira për të bërë një foto, reflektohej qartë tek ata, madje kërkuan ta bëjnë një të tillë para autobusit, duke pasur kujdes që të dukej qartë targa, me inicialet TR”.