Ballina Politika Ligji i ri: Nga të rinjtë tek veteranët: Të gjithë diplomatët do...

Ligji i ri: Nga të rinjtë tek veteranët: Të gjithë diplomatët do dalin në provim

0
8

Të gjithë diplomatët do t’i nënshtrohen provimit për të matur njohuritë e tyre.  Një projektligj për Shërbimin e Jashtëm, i depozituar në Kuvend, parashikon që jo vetëm diplomatët e rinj por edhe ato që kanë shërbyer për një kohë të gjatë në ambasadat e Shqipërisë anekënd botës do të testohen pavarësisht karrierës apo gradave që kanë marrë ndër vite.

Brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të gjithë diplomatët në shërbim duhet t’i nënshtrohen një testimi të detyrueshëm për të verifikuar aftësitë e tyre. Procedurat dhe kriteret e testimit do të përcaktohen me akt nënligjor.

Projektligji i propozuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, parashikon të forcojë kriteret profesionale për rekrutimin e diplomatëve të karrierës, mbështetur në nivelet akademike. Por risi është edhe ngritja e një akademie diplomatike, e cila do të shërbejë për të trajnuar diplomatët e rinj.

Akademia diplomatike, si institucion varësie, do të jetë jo vetëm në shërbim të rritjes profesionale të diplomatëve, por edhe si një strukturë, që, në bashkëpunim me struktura të ngjashme homologe, do të ofrojë kurse dhe trajnime në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ky projektligj vjen si nevojë për të përmirësuar ligjin aktual, i hartuar 25 vite më parë. Zgjeron hapësirat e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në fushën e marrëdhënieve me jashtë si dhe siguron pastërtinë e figurës së personelit të jashtëm.