Është hapur gara ndërkombëtare 370 milionë euro për ndërtimin e hekurudhës elektrike Vorë-Hani i Hotit. Hekurudha që do të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi do të jetë 120 kilometra e gjatë, do të ketë 12 stacione, 12 ura dhe një tunel 320 metra në Lezhe.
Ky projekt është investim 50% i Bashkimit Evropian dhe 50% financim nga BERZH dhe Banka Evropiane e Investimeve. Ambasadori I BE Silvio Gonzato ka thënë se ringritja e sistemit hekurudhor është gurë themeli për integrimin rajonal dhe evropian ndërsa Banka Botërore ka vënë në dukje se ky projekt do të ketë impakt të madh edhe në ekonomi.
Shpejtësia e lëvizjes së trenave do të jetë deri në 120 kilometra në orë, dhe koha mesatare e udhëtimit nga Vora në Hanin e Hotit do jetë 2 orë.
Fluksi vjetor parashikohet në 2.3 milionë pasagjerëve ose 900 mijë ton ngarkesa mallrash në vit. Në fazën e ndërtimit të kësaj hekurudhe parashikohet të punësohen 1 mijë persona, ndërkohë në fazën e operimit do të ketë 100 punonjës.
Ministria e Infrastrukturës ka konfirmuar se ka përfunduar studimi i fizibilitetit për hekurudhën Durrës-Prishtinë me gjatësi 105 kilometra, e cila do të lidhet me hekurudhën Vorë Hani I Hotit në zonën e Mjedës.