Ballina Opinion Spaçi, krimi që nuk restaurohet!

Spaçi, krimi që nuk restaurohet!

28
0

Nga Beti Njuma 

“Unë kam bërë një skenar filmi me kërkesë të regjisorit Namik Ajazi. Ndodh rrallë në botë që dy autorë të burgosur bëjnë një film, regjisori dhe skenaristi. I është kërkuar institucioneve përgjegjëse të financohet një dëshmi, një vepër arti sepse duhet të shpëtojmë nga monologu, nga të rrëfyerit vit për vit të të njëjtës gjë, siç bën Izraeli me Holokaustin. Regjisori ka kontaktuar kryeministrin i cili i ka premtuar, meqenëse duhet ribërë burgu për të xhiruar, me këtë rast si të thuash, një rrugë dhe dy punë, Spaçi ose Qafë Bari do të kthehen në një muzeum”. Gjatë një interviste për Ora e Betit, në 23 maj të 2023, ku kujtuam dy revoltat e përgjakshme të Spaçit dhe Qafë Barit, shkrimtari Visar Zhiti më foli për herë të parë për projektin e një filmi kushtuar burgjeve komuniste në Shqipëri.

Ajo që nuk dinim, madje as vetë skenaristi Zhiti, ishte se kjo marrëveshje verbale mes kryeministrit Rama dhe regjisorit Ajazi u bë zanafilla e një ndërhyrjeje restauruese në Spaç, një monument kulture i kategorisë së dytë. Denoncimet me foto dhe pamje nga aktivisti Arnen Sula e të përhapura me shpejtësi në rrjetet sociale, treguan se ishte suvatuar dhe lyer me bojë të bardhë një prej godinave të kampit ndërsa janë planifikuar ndërhyrje në vlerë mbi 100 mijë euro në disa godina të tjera që i kanë shpëtuar rrënimit, përfshirë edhe tarraca e apelit. Këto ndërhyrje të bëra nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, që në emër të restaurimit kanë dëmtuar kujtesen historike në kampin më të egër komunist në Shqipëri janë kundërshtuar nga ish-të burgosur politikë, aktivistë të shoqërisë civile arkitektë dhe studiues pasi rrezikojnë të deformojnë të kaluarën dhe ta manipulojne atë. Reagimet kundershtuese dhe një peticion kanë ngritur alarmin jo vetëm për mungesën e transparencës institucionale, porse ndërhyrjet e bëra pa një konsultim publik dhe plan konservimi po shkatërrojnë identitetin e kësaj hapësire kujtese.
Sot, shumë ish të dënuar të regjimit komunist dhe aktivistë protestuan në burgun e Spaçit në Mirditë.

Kundër shkatërrimit të historisë së burgut kamp, në përpjekje për të mbrojtur atë çfarë ka mbetur legjenda e gjallë e burgjeve, Fatos Lubonja tha se menca dhe kuzhina tashmë janë shkatërruar ndaj asnjë gur nuk duhet prekur më. Reagimi i djeshëm i Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Gonxhe, në vend që të kërkonte faljen për ndërhyrjen e pavend foli për ë “tymnajë”, për fabul të sajuar mbi “prishje të kujtesës dhe Sanço Panço të politikës së vjetër. Por me sa duket ministri qëllimisht “harron” se në ballë të zërave kundër kësaj ndërhyrje nuk janë dy personazhe periferikë të Servantesit por dy të mbijetuar të burgjeve komuniste si Visar Zhiti dhe Fatos Lubonja, pa harruar edhe shumë të tjerë që janë shprehur publikisht. Do t’i lushesha ministrit që të lexonte shkrimin e Zhitit “Mos zbukurini ferrin” që së paku të heshtte, duke mos përdhosur dhimbjen e tij! E këtij kori do të kisha dashur t’i bashkohej edhe zoti Ajazi.

Sepse ne fakt Spaçi nuk është thjesht një kamp me ca godina të rrënuara por një plagë ende e hapur e shoqërisë shpiptare. Është kujtimi i gjallë i atyre që u përballën me dhunën e regjimit totalitar dhe një dëshmi që flet me gjithçka, me muret, qelitë e ftohta, me telat me gjemba, me heshtjen e atyre që nuk dolën të gjallë nga ai ferr. Në një shtet serioz, restaurimi i një vendi të tillë kujtese do të bëhej me transparencë, me pjesëmarrjen e viktimave, me përkushtim për të ruajtur autenticitetin e dhimbjes që ai mbart.

E lyer me bojë të bardhë, një nga godinat e kampit ku është ndërhyrë nuk ka më asnjë gjurmë të së shkuares si dëshmi e vuajtjeve të qindra të burgosurve. “Kulla e rojës, – siç tha me ironi Fatos Lubonja, -ngjan më shumë me një produkt hollivudian sesa me realitetin që ai dhe qindra bashkëvuajtes kanë përjetuar për vite të tëra.” “Të mos lëvizet asnjë tullë! – këmbënguli me dhimbje Dashamir Biçaku në studion time, gjatë emisionit për këtë çështje. “Ishte burg, jo hotel” tha familjari i një ish të dënuari për gazetaren Enkelejda Mema në Euronews. Në fakt terrori i komunizmit nuk mund të mbulohet me suva dhe as të lyhet me bojën e 2025-ës. Nuk mund të restaurohet e kaluara për hir të një projekti filmi. Në një vend dhimbjeje dhe kujtese si Spaçi kjo ndërhyrje është një dhunim i dytë ndaj viktimave për ta bërë krimin të pranueshëm. Sot rrezikojmë të harrojmë jo vetëm të shkuarën, por edhe kuptimin e saj. Spaçi nuk ka nevojë për dekor, skenografi dhe efekte. Spaçi ka nevojë për ruajtje dhe respekt! Spaçi ka nevojë për ndalimin e menjëhershëm të çdo ndërhyrjeje deri në miratimin e një plani tërësor konservues ku fjalën e fundit duhet ta thonë ata pak ish-të burgosur politikë që kanë mbetur gjallë dhe specialistët e trashëgimisë.

Sepse Spaçi nuk është skenë filmi. Është dëshmi krimi. Dhe krimi nuk lyhet me bojë, e as mund të restaurohet!