Polonia është përballur me stuhi të fuqishme që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa rajone të vendit, duke lënë rreth 30,000 persona pa energji elektrike. Erërat e forta kanë rrëzuar pemë dhe kanë dëmtuar linjat e transmetimit, ndërsa shirat e rrëmbyeshëm dhe breshëri kanë goditur veçanërisht rajonin jugor të vendit.
Sipas autoriteteve, dëmet janë përqendruar kryesisht në fasadat e ndërtesave banesore dhe bujqësore. Shërbimi i zjarrfikësve ka qenë në terren që nga mbrëmja e së enjtes, duke kryer ndërhyrje të shumta për të përballuar pasojat e motit ekstrem.
“Vetëm në rajonin e Suietokrzyskie kemi pasur mbi 200 ndërhyrje,” deklaroi Kapiteni i Lartë Marcin Bajur, zëdhënës i Shërbimit Shtetëror të Zjarrfikësve në Kielce. Në mbarë vendin janë regjistruar mbi 2,000 ndërhyrje.
Zyrtarët lokalë raportojnë për përmbytje të pronave dhe bodrumeve, rrugë të bllokuara nga pemët e rrëzuara dhe dëme në infrastrukturën publike. Autoritetet paralajmërojnë se kushtet e vështira mund të vazhdojnë dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm.