Ballina Kuriozitete Zbardhet vrasja e priftit në vitin 1337. Mund të kenë qenë hakmarrje

Zbardhet vrasja e priftit në vitin 1337. Mund të kenë qenë hakmarrje

21
0

Gati 700 vjet më parë, në një rrugë të mbushur me njerëz pranë Katedrales së Shën Palit në Londër, prifti John Ford u ther publikisht në mënyrë të egër. Ishte mbrëmje e 4 majit 1337, sapo kishin përfunduar lutjet e mbrëmjes, dhe rruga në Westcheap ishte plot kalimtarë. Para syve të tyre, një burrë i preu fytin me një hanxhar, ndërsa dy të tjerë e goditën me thika të gjata në bark.

Hetimet e kohës identifikuan vrasësit dhe porositësen: zonja e pasur Ela FitzPayne, gruaja e një fisniku që kishte emëruar Fordin prift në një famulli në Dorset. Vetëm një person, një ish-shërbëtor i FitzPayne-it, u dënua. Nuk u dha asnjë motiv për krimin.

Shtatë shekuj më vonë, profesori Manuel Eisner nga Universiteti i Kembrixhit zbuloi dokumente që hedhin dritë mbi një motiv të mundshëm: hakmarrjen. Sipas tij, FitzPayne kishte pasur një lidhje dashurie me Fordin dhe kishin bashkëpunuar më parë në një sulm të dhunshëm ndaj një manastiri benediktin. Një letër tregon se ajo ishte akuzuar për tradhti bashkëshortore, përfshirë me Fordin, dhe ishte urdhëruar të kryente një pendesë publike poshtëruese, të cilën ajo e injoroi. Eisner beson se pikërisht Fordi e kishte spiunuar dhe se vrasja ishte një akt hakmarrjeje.

“Bëhet fjalë për një histori shantazhi, seksi dhe hakmarrjeje që nxjerr në pah tensionet mes kishës dhe elitave angleze,” thotë Eisner. Ai e përshkruan vrasjen si “një ekzekutim në stil mafioz ndaj një kleriku, nga një grup vrasësish mesjetarë me urdhër të një gruaje të fuqishme”.

Rasti i Fordit është një ndër qindra vrasjet mesjetare në Londër, Jork dhe Oksford që Eisneri ka përfshirë në projektin online Medieval Murder Maps. Sipas tij, edhe pse shumë gjëra kanë ndryshuar, diçka ka mbetur e njëjtë: zonat me shumë njerëz dhe lokale janë gjithmonë epiqendra të dhunës. Por ndryshe nga sot, në mesjetë, krimet ndodhnin më shpesh në lagjet e pasura, sepse aty kishte më shumë për të humbur dhe më shumë për të treguar.

Ela FitzPayne, një grua që sfidoi kishën, bastisi manastire dhe urdhëroi vrasjen e një prifti, mbetet një figurë e jashtëzakonshme e asaj kohe.