Një gjykatë të hënën hodhi poshtë padinë prej 350 milionë eurosh të Justin Baldonit kundër Blake Lively dhe bashkëshortit të saj, Ryan Reynolds.
Lewis J. Liman pranoi një mocion për të rrëzuar atë padi, si dhe padinë e veçantë prej 240 milionë eurosh të Baldonit kundër New York Times për shpifje, sipas dokumenteve të siguruara nga Page Six.
Gjykatësi Liman tha se Baldoni dhe kompania e tij e prodhimit, Wayfarer Studios, “nuk kanë pretenduar se Lively është përgjegjëse për ndonjë deklaratë tjetër përveç atyre në padinë e saj drejtuar Departamentit të të Drejtave Civile të Kalifornisë, të cilat mbrohen me ligj”.
Baldoni akuzon Reynolds, zëdhënësen dhe NYT
Kujtojmë që Blake Lively ngriti një padi kundër Baldonit në dhjetor 2024, duke e akuzuar atë për ngacmim seksual gjatë xhirimeve të filmit “It Ends With Us”.
Baldoni pretendoi në padinë e tij se Reynolds, zëdhënësja e Lively-t, Leslie Sloane, dhe New York Times e akuzuan atë gjithashtu për sjellje të pahijshme seksuale dhe drejtimin e një fushate shpifjeje.
Por gjykatësi Liman arriti në përfundimin se Baldoni nuk kishte paraqitur asnjë provë që Reynolds, Sloane ose Times dyshonin në vërtetësinë e pretendimeve, gjë që është e nevojshme për përgjegjësinë për shpifje sipas ligjit në fuqi.
Ekipi i Baldonit mund ta ndryshojë padinë
Ekipi ligjor i Baldonit ka afat deri më 23 qershor për të ndryshuar padinë në pjesën që lidhet me shkeljen e kontratës së nënkuptuar dhe ndërhyrjen në marrëdhëniet kontraktuale.
Avokatët e Blake Lively, Esra Hudson dhe Mike Gottlieb, e përshëndetën vendimin si një “fitore të plotë” për aktoren. “Që nga dita e parë kemi argumentuar se kjo padi prej 350 milionë eurosh është e pavlerë dhe gjykata e ka pranuar këtë”, thanë ata në një deklaratë.
Ata theksuan se më pas do të kërkojnë tarifat e avokatëve, dëmshpërblim të trefishtë dhe dëmshpërblim ndëshkues për “shpërdorim të sistemit ligjor”.
Gazetari ndryshon deklaratën mbi të cilën bazohej padia e Baldonit
Interesante është se padia e Baldonit bazohej kryesisht në një deklaratë të gazetarit James Vituscka, i cili pretendoi se zëdhënësi i Blake Lively i tha atij se Baldoni e kishte “sulmuar seksualisht” aktoren.
Megjithatë, Vituscka më vonë e tërhoqi deklaratën dhe e korrigjoi veten, duke thënë: “Doja të thoja ‘ngacmuar seksualisht’. Më vjen keq për atë gabim”.