Regjisori Namik Ajazi ka ndarë detaje të reja mbi punimet që do të kryhen në ish-burgun e Spaçit dhe konceptimin e filmit që do të realizohet në këtë vend me rëndësi historike. Në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon, Ajazi theksoi se filmi nuk është ai që orienton punimet në Spaç, por se ato zhvillohen në varësi të projektit më të gjerë për rivitalizimin e Spaçit.
“Ne u vendosëm në plan të parë të kësaj ndërhyrjeje që po bëhet,” u shpreh Ajazi. “Nëse Spaçi do të rivitalizohet, ne mund të xhirojmë një pjesë të filmit aty. Do të ishte e pamundur të rikrijohej çdo detaj i tij. Nuk jemi ne që orientojmë punimet për filmin. Ka një kronologji ngjarjesh që duhet të sqarohen. Ne jemi në varësi të Spaçit dhe mundësive që do të krijohen.”
Ajazi shpjegoi se ndërhyrja që do të bëhet është shumë e pjesshme dhe se filmi do të mbështetet gjerësisht te efektet vizuale për të rikrijuar atmosferën e brendshme të burgut famëkeq.
“Ne hartuam skenarin dhe, kur pamë që qeveria mbështeste projektin për rivitalizimin e Spaçit, menduam që një pjesë të përdorim për të realizuar filmin. Ndërhyrja e parë është bërë në dhomën e takimeve,” sqaroi regjisori.
Ai theksoi rëndësinë e filmit si një homazh për revoltat që ndodhën në Spaç, duke shtuar se “në rastin e filmit, cilido që të ishte kryeministër, do të duhej të ndërhynte, pasi filmi i bën homazh revoltave.”
Ekipi i producentëve nga Roma, pasi u sigurua për realizimin e projektit të rivitalizimit të Spaçit, erdhi në dhjetor 2023 dhe analizoi vendin me detaje për një javë.
Regjisori shprehu shpresën se qeveria do ta çojë përpara këtë projekt dhe theksoi angazhimin e tyre për të sjellë një paraqitje autentike të ngjarjeve. “Në film do të punohet me efekte, por gjithmonë duke pasur si bazë Spaçin. Do të mundohemi të mos i qëndrojmë vetëm vitit 1973. Skenari është ndërtuar mbi materiale arkivore dhe ne kemi përmbledhur të gjitha shkrimet e rëndësishme. Do të jemi brenda të gjithë ngjarjes,” përfundoi Ajazi.
Filmi synon të sjellë në vëmendje historinë e dhimbshme të Spaçit, duke shërbyer si një dëshmi e kujtesës dhe një paralajmërim për të ardhmen.