Në fund të këtij muaji, sytë e botës do të drejtohen nga Venediku, aty ku manjati i teknologjisë Jeff Bezos pritet të martohet me të fejuarën e tij, prezantuesen Lauren Sanchez. Ceremonia, e cila do të mbahet në një nga qytetet më romantike të Evropës, pritet të jetë një event me shumë shkëlqim, por me një ton dukshëm më të matur nga sa pritej për një ndër njerëzit më të pasur në botë.
Megjithëse pasuria e Bezos kap shifrën marramendëse prej 220 miliardë dollarësh, dhe vetëm mirëmbajtja vjetore e jahtit të tij “Koru” kushton rreth 34 milionë dollarë, burime nga Venediku raportojnë se dasma do të jetë “çuditërisht modeste”.
Më pak se 200 të ftuar, një vend i izoluar dhe shpenzime që nuk pritet të kalojnë 12 milionë euro janë tregues të qartë të një qasjeje më të rezervuar që çifti ka zgjedhur për këtë ditë të veçantë.
Ceremonia do të mbahet në “Fondazione Cini”, një ish-manastir në ishullin San Giorgio Maggiore, i njohur për privatësinë dhe sigurinë që ofron. Objekti është mbyllur për publikun të mërkurën, më 25 qershor, që pritet të jetë edhe data zyrtare e dasmës. Lokacioni ndodhet fare pranë zonës ku do të ankorohet jahti gjigant “Koru”, i cili për shkak të rregullave të mbrojtjes së mjedisit, mund të qëndrojë vetëm në portin San Basilio pika më e afërt me qendrën e qytetit për anijet e mëdha.
Sipas raportimeve nga DailyMail, çifti ka rezervuar edhe hapësira të tjera luksoze për të mirëpritur të ftuarit. Hoteli legjendar “Cipriani”, i cili numëron 79 dhoma, është bllokuar tërësisht nga data 24 deri më 26 qershor. Çmimet e suitat më të shtrenjta në këtë hotel arrijnë deri në 20 mijë euro për natë, ndërsa objekti përfshin pishinën më të madhe në Venedik dhe kopshtin romantik “Casanova”.
Gjithashtu, është rezervuar edhe hoteli “Aman Canal Grande”, një pallat luksoz me 24 dhoma, i njohur për dasmën ikonike të George dhe Amal Clooney në vitin 2014. Pritet që një nga festat e dasmës të zhvillohet në rezidencën e stilistes së njohur Diane von Fürstenberg, mike e afërt e çiftit.
Në përpjekje për ta ruajtur privatësinë, burimet theksojnë se nuk janë dërguar ftesa tradicionale as në letër, e as në mënyrë elektronike. Lista e të ftuarve është përzgjedhur me kujdes dhe ka pësuar shkurtime të konsiderueshme.