Ballina Sport ​Brazili i Ancelottit siguron kualifikimin në Botëror

​Brazili i Ancelottit siguron kualifikimin në Botëror

18
0

Brazili ka siguruar matematikisht kualifikimin në Kupën e Botës FIFA 2026, duke regjistruar gjithashtu fitoren e parë nën drejtimin e trajnerit të ri Carlo Ancelotti. “Seleção” mposhti Paraguain me rezultatin minimal 1-0 në São Paulo, duke shënuar fitoren e gjashtë radhazi në shtëpi kundër këtij kundërshtari në takimet direkte, transmeton Kp.

Pas një barazimi pa gola ndaj Ekuadorit në debutimin e tij dhe një humbjeje 1-0 në ndeshjen e dytë, trajneri italian Ancelotti kishte nevojë për reagim nga skuadra. Ai bëri tre ndryshime në formacionin titullar, përfshirë rikthimin e Raphinha-s, por Brazili vazhdoi të tregonte vështirësi në fazën sulmuese.

Rasti më i mirë në pjesën e parë erdhi kur Vinícius Júnior nuk arriti të përfitonte nga një pasim i saktë i Matheus Cunha-s, ndërsa në anën tjetër Paraguai rrezikoi me një goditje spektakolare me gërshërë të Juan Cáceres që devijoi jashtë portës së Alisson.

Me kalimin e minutave, Paraguai filloi të humbiste intensitetin, duke lejuar Brazilin të fitonte më shumë hapësira. Gabriel Martinelli gjeti Cunha-n në shtyllën e dytë, por ky i fundit preferoi një pasim në vend të goditjes direkte, duke shpërdoruar një tjetër rast të mirë.

Megjithatë, Cunha u shfajësua pak më vonë duke ndihmuar në aksionin që solli golin e vetëm të ndeshjes. Pas një inkursioni të Raphinha-s që tërhoqi tre mbrojtës, Cunha asistoi për Vinícius, i cili shënoi në fundin e pjesës së parë.

Pavarësisht dominimit në pjesën e dytë, Brazili nuk arriti të konkretizonte rastet e tjera. Portieri i Paraguait, Gatito Fernández, u shqua me ndërhyrje vendimtare ndaj goditjeve të Bruno Guimarães dhe Raphinha-s. Në fund, Paraguai pati një mundësi të artë për të barazuar, kur Júnior Alonso gjuajti me kokë mbi traversë, pas një aksioni të gjatë.

Brazili rifitoi kontrollin në minutat e fundit, por dy pritje të shkëlqyera nga Fernández i mohuan golin e dytë vendasve. Megjithatë, një gol mjaftoi për të vulosur një fitore të rëndësishme dhe për të konfirmuar pjesëmarrjen në finalet e verës së ardhshme në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Nga ana tjetër, kjo ishte humbja e parë për Paraguain në 10 ndeshje në këtë fushë. Megjithatë, ata kanë ende shpresa për kualifikim dhe u duhet vetëm një pikë nga dy ndeshjet e mbetura për të arritur në Botëror për herë të parë që nga viti 2010.