Nga Denis Dyrnjaja
Hapja e kutive të votimit dhe rinumërimi i votave si për subjektet dhe për kandidatët në rreth 40% të totalit të kutive të votimit për të gjithë Shqipërinë, pritet të nxjerrë në pah një fenomen që do të kompletojë të gjithë propagandën e pretendimeve për ndershmëri dhe integritet të procesit të 11 majit në tërësi.
Debati me i madh është nëse PS ka tjetërsuar vota në kurriz të kundërshtarëve të saj, por ndërkohë lajmi i fortë dhe turpi më i madh është nëse rezulton e vërtetë me fakte orientimi dhe tjetërsimi i votës për kandidatë preferencialë brenda opozitës. Thënë ndryshe disa kandidatëve, iu janë hequr vota, për t’ua dhënë disa kandidatëve të tjerë. Kjo besohet se ka ndodhur edhe në radhët e PS.
Vetë fakti që menjëherë pas procesit të numërimit, disa kandidatë socialistë kërkuan rinumërim, tregon pikërisht dyshimet e mëdha se votat edhe brenda mazhoramcës janë prekur për të favorizuar individë të caktuar. Rama ndërhyri dhe iu mbylli gojën të vetëve duke i “urdhëruar” me dashamirësinë dhe “butësinë” që e karakterizon të ndërpresin çdo apelim e pretendim. Kokëçarje e panevojshme kjo për të si lider i mazhoramcës që i intereson që siguroi mandatin e katërt si kryeministër dhe nuk është se ia ndjen fort nëse në Parlament do jetë Zegjineja apo Pandeli Majko.
Në PS sikurse e do tradita dhe i dinë rregullat e padronit, ulën kokën, qepën gojën dhe heshtja mbizotëroi. Në PD ku kaosi politik vazhdon që nga koha e përçarjes se madhe Basha-Berisha, njerëzit kanë më shumë hapësirë të pretendojnë, sepse Berisha e ka pushtetin, por jo në terma absolut si dikur, pasi nuk ka luksin të pësojë një përçarje apo hemorragji tjetër brenda partisë, që tashmë e frakturuar nga thyerjet e mëparshmel, bën rolin e liderit liberal që lejon të ngrihen edhe pretendime për rinumërim votash.
Në fakt nëse ka siklet me të madh sot nga ana politike për Berishën, është pikërisht rinumërimi i votave, që mund të çelë Kutinë e Pan’dorës, pasi do të nxjerrë në pah horrëllëqet mes kandidatëve në PD, që i kanë marrë vota njëri tjetrit në mënyrë të turpshme. Kjo do të korruptonte dhe demoralizonte edhe kauzën politike të opozitës në tërësi, se Rama iu vodhi a bleu zgjedhjet me banda e pa banda. Pasi kur ti vjedh vota brenda partisë tënde e mes kandidatëve të tu, atëherë me çfarë morali pretendon të vësh para përgjegjësisë politike, por edhe ligjore kundërshtarin tënd?
Gjithsesi kjo nuk legjitimon absurdin e rezultateve të votave për disa kandidatë të panjohur në mazhoramcë, që kanë thyer çdo ushtrim, kombinim, apo logjikë elektorale, duke marrë maksimumin e votave pa i njohur asksuh, pa qenë askush dhe pa kontribuar për asnjë kauzë madhore shoqërore apo publike. Dhe për më tepër të marrin edhe vota nga diaspora a thua se janë figura të shquara kombëtare me ndikim në fusha të ndryshme që njihen për kontributin e dhënë brenda e jashtë vendit.
Në çdo rast 11 maji shërbeu për të na dhënë të kuptojmë të gjithë si shoqëri, që ne nuk synojmë të zhvillojmë zgjedhje në mënyrë të drejtë dhe të sinqertë, por synojmë të krijojmë skema sesi të mundim këdo, përfshirë dhe rivalë brenda partisë, duke manipuluar dhe tjetërsuar vullnetin e njerëzve. Sigurisht sa herë të ketë ditë zgjedhjesh njerëzit do të votojnë, por nuk do të zgjedhin ata që preferojnë por ata që i orientojnë që të votojnë. Kjo nuk është liri, por pseudodemokraci. Përsa kohë do të mbizotërojë idea e skemave për të kamufluar manipulimin në një garë fiktive, do të kemi një rezultat votash të deformuar dhe një parlament ku njerëzit në çdo rast do të jenë të papërfaqësuar!