Ballina Politika Gjykata rrëzon padinë e Edi Ramës, akuzat e Bashës për lidhjet e...

Gjykata rrëzon padinë e Edi Ramës, akuzat e Bashës për lidhjet e politikës me krimin ishin të drejta

24
0

Lulzim Basha ka fituar sot përballjen gjyqësore me Kryeministrin Edi Rama, i cili e kishte paditur për cenim të nderit dhe personalitetit pas deklaratave publike të vitit 2018 mbi përfshirjen e zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste në aferat e dosjes “339”.

Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë rrëzoi padinë e Ramës, duke vlerësuar se deklaratat e Bashës përbënin një opinion politik të ligjshëm, të mbështetur në fakte të njohura publikisht, dhe të bërë në funksion të detyrës së tij si lider i opozitës.

Në qendër të deklaratave të kontestuara ishin akuzat për përfshirjen e Vangjush Dakos dhe strukturave të PS-së në bashkëpunim me grupe kriminale për blerje votash, akuza të ngritura nga Basha dhe të mbështetura më pas nga përgjime zyrtare të Prokurorisë, si dhe nga raportime të mediave ndërkombëtare si “BILD” dhe “Zëri i Amerikës”.

Në thelb, gjykata pranoi se Basha kishte të drejtë të denonconte publikisht ndërhyrjen e politikës në drejtësi dhe bashkëpunimin me krimin e organizuar, si pjesë e një debati politik me interes të lartë publik.

Tiranë, më 02.06.2025

 

KONKLUZIONE

 

DREJTUAR:                           GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM TIRANË

 

GJYQTARES:                         Z. ENGJËLLUSHE TAHIRI

 

NR.REGJ.THEM./VITI          4399/VITI 2019

 

Të dhëna për palën e paditur

 

Lulzim Basha, i biri i Xhelal dhe Remzije, i ditëlindjes 12.06.1974, lindur dhe banues në Tiranë, me adresë njoftimi Partia Demokratike, Donika Kastrioti Nr.3, Tiranë me përfaqësues Av.Indrit Sefa me Nr.Liç:5460 dhe NUIS: M21730026T anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë

 

  1. Rrethanat e Çështjes

 

Sipas paditësit, i padituri Lulzim Basha, në datën 22.10.2018, ka përhapur publikisht në një prononcim për mediat një sërë deklarimesh, ku ato për të cilat paditësi pretendon se është cënuar në nderin dhe personalitetin e tij janë:

 

Pra, peshku i madh i kësaj çështje quhet Vangjush Dako, të tjerët janë peshq të vegjël të cilët po serviren si pjesë e përpjekjes së Edi Ramës, Fatmir Xhafës dhe Donika Prelës, për të shpëtuar peshkun e madh të kësaj dosje Vangjush Dakon dhe për të shkatëëruar provat, hetimet, të cilat çojnë dhe duhet të çojnë në arrestimin një orë e më parë të Vangjush Dakos.

Peshqit e vegjël që kanë arrestuar mbrëmë, do të lirohen dhe akuzat do t’u lehtësohen. Është e gjitha pjesë e një përpjekje të Prokurorisë të kapur nga krimi dhe Edi Rama dhe Fatmir Xhafa.

Sot ne faktikisht nuk kemi një Prokurori të Krimeve të Rënda, kemi një celulë kriminale e cila i shërben pikërisht këtij plani…

Nuk ka asnjë paragjykim këtu, por ka faktim të asaj që kam thënë prej kohësh, Edi Rama dhe fatmir Xhafa, bashkë me Donika Prelën e cila ka qenë prokurore në Durrës, të bëjnë gjithçka që hetimi për Vangjush Dakon të degjenerojë në arrestimin e përkohshëm të disa ish-deputetëve dhe disa cironkave të tjera”.

 

Theksojmë se të dy palët në këtë gjykim janë dhe kanë qënë kryetarë të partive politike më të mëdha ne vend, respektivisht paditësi si kryetar i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryeministër i Republikës së Shqipërisë si dhe i padituri si ish kryetar i Parisë Demokratike, po ashtu të dy palët kanë qenë deputetë (sa i përket të paditurit në momentin e deklarimit të pretenduar) të Kuvendit të Shqipërisë dhe politikanë aktivë. Aktualisht Partia Socialiste është në maxhorancë dhe Partia Demokratike në opozitë.

 

Si fillim duhet të theksojmë se në provat bashkëlidhur padisë nuk rezulton një material që të provojë autenticitetin e deklarimeve të të paditurit, çka na bën ne si palë mbrojtëse që ta bazojmë këtë deklaratë mbrojtjeje në deklarime hipotetike. Për këtë arsye, mbrojtja si më poshtë vijon do të konsiderohet vetëm në pala paditëse do të mund të provojë autenticitetin e deklarimeve të të paditurit për aq kohë sa ajo e ka barrën e provës.

 

Nëse deklarimet objekt i këtij gjykimi nga ana e të paditurit arrijnë të provohen, duhet t’i referohemi situatës pararendëse të tyre.

 

Në datën 21.10.2018, në kuadër të një operacioni policor janë arrestuar dy ish deputetë të Patisë Socialiste, Arben Çuko[1] dhe Arben Ndoka[2].

 

Të ndesërmen, në datë 22.10.2018, Drejtori i Pergjithshme e Policise se Shtetit, dhe drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela, dolën në një konferencë[3] për të dhënë detaje të operacionit, i cili pati goditjen finale të dielën e 21 tetorit.

Pjesë e arrestimeve të këtij operacioni, përveç dy ish deputetëve të sipërcituar, kanë qene edhe të ashtuqujturit “të fortët e Shijakut” të cilët janë:

“1. Jasin Kala, alias Jasin Avdyli, me pseudonimin “Cine”, nga Shijaku;

  1. Shkëlqim Avdyli, me pseudonimin “Kiçi”, nga Shijaku;
  2. Denis Llaftiu, nga Shijaku;
  3. Fatos Llaftiu, nga Shijaku;
  4. Hajri Seferi, nga Shijaku;
  5. Petro Kuci, alias Abedin Kuçi, nga Delvina;
  6. Ilirjan Prifti, nga Fieri;
  7. Elton Shehaj, nga Tirana;
  8. Armand Spiro, nga Tirana;
  9. Astrit Balliu, alias Avdyli, Sulejmani, me pseudonimin “Titi”, nga Shijaku;
  10. Altin Avdyli, me pseudonimin “Niçja”, nga Shijaku;
  11. Saimir Gjepali, nga Shijaku;
  12. Gjevi Ndoka, alias Xhevahir, me pseudonimin “Xhevi”, nga Lezha;
  13. Esat Mehmeti, me pseudonimin “Çakja”, nga Fieri;
  14. Saimir Sulejmani, nga Fieri;
  15. Orges Jahelezi, alias Artan Elezi, me pseudonimin “Nita”, nga Tirana;
  16. Elis Bahushi, nga Elbasani;
  17. Elis Guri, nga Shkodra.
  18. Artur Balla, nga Elbasani”[4].

 

Në lidhje me dy ish-deputetët e arrestuar, ka rezultuar se në datë 15.11.2018[5] masa e sigurisë për ta u ndryshuar nga arrest në burg në arrest shtëpie, çka sërish përputhet me deklarimet e të paditurit.

 

Nëse i padituri, ka mbajtur një qëndrim në lidhje me sa më sipër, ku të ketë përfshirë edhe shtetasin Vangjush Dako si dhe vëtë paditësin, ky fakt është tërësisht i provuar, pasi të gjitha mediat kanë publikuar përgjimet që kanë dalë nga dosja Nr. 339/1 e vitit 2016, një pjesë e të cilave raportohen në media si vijojnë:

Vangjush Dako, kryetari i Bashkisë së Durrësit, rezulton të jetë përgjuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në një bisedë telefonike me një person që në dosjen e organit të akuzës identifikohet si Niçja.

Televizioni Klan ka siguruar një pjesë të bisedës së Dakos që sipas Prokurorisë mban numrin 069 20 99 300 dhe Niçes që mban numrin 89 67 77 65 dhe që ka qenë objekt i përgjimit:

BISEDA 1

Niçja: Hë kryetar, hë vllai.

0692099300: Niçe, ku je?

Niçja: Këtu vërdallë…

0692099300: Ku është Astriti?

Niçja: Ka lëviz një çikë.

0692099300: Ku ka lëviz? Jashtë Durrësit?

Niçja: Eh… ça ka? Ka ndonjë gjë?

0692099300: Po jo mo, doja ta takojsha, ta falenderojsha, ta pyesja një çikë.

Niçja: Po, po ku je ti? Të vij të të takoj…

Njësoj është, si ai si unë, e di që jemi një

0692099300: Po mirë mo mirë, por doja ta takoja…kanë pi ato.

Niçja: Po, e di po, kanë lëviz… Me të taku një çikë unë ty!

0692099300: Unë tani jam duke ardh nga… rrugës… rrugës…

Po kush është Nicja, cila është lidhja e Vangjush Dakos me të dhe për çfarë bisedon kryebashkiaku i Durrësit me këtë individ?

Vangjush Dako do të japë sqarime për këtë përgjim sonte në emisionin “Opinion” në Tv Klan, në orën 21:00, përballë një paneli gazetarësh.

Pjesë e përgjimeve të Prokurorisë është një tjetër bisedë e zhvilluar mes një personi të paindetifikuar dhe Niçes, që kuptohet se është objekti i përgjuar në shumë raste nga organi i akuzës, ashtu si në rastin e telefonatës me kryebashkiakun.

BISEDA 2 – NIÇJA

1-            Niçja: Të marr unë se jam me rob pra…

2-            Alo, ça po bën?

1-            Niçja: Të marr unë se jam me rob të thashë!

2-            Ku je? Je andej nga fshatrat, ku ishe?

1-            Jo! Jo! Jo!

2-            Kam ca me mbiemër Kurti, kam zonjën këtu…

… po deshe…

1-            Niçja: …mirë…

2-            6 veta janë!

1-            Niçja: Hajt se të marr unë!

2-            Thuaj Vangjushit t’i japim ndonjë lek, që të ..tojnë (nuk kuptohet)!

Edhe për këtë përgjim, pjesë e dosjes së famshme 399 Vangjush Dako pritet të japë sqarime në orën 21:00 në Opinion në Tv Klan, sikundër edhe për akuzat që ka artikuluar kundër tij Partia Demokratike, si të lidhur me bandën e trafikut të drogës në Shijak, të cilën, opozita thotë se e ka përdorur për blerje votash/ TVKLAN”.[6]

 

Më tej kanë dalë përgjime të tjera, si fillim në median gjermane “BILD” dhe më pas në të gjitha mediat shqiptare nga ku figuron ndër të tjera se:

  1. Astrit Avdylaj (një nga personat kryesor nën hetim për çështjen e Prokurorisë Nr. 339/1 të vitit 2016) cakton kandidatët për deputetë në qarkun e Durrësit për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017;
  2. Fisi Avdylaj i bëjnë presion nëpunësve publikë për të votuar Partinë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017;
  3. Fisi Avdylaj i kërkon shtetasit Vangjush Dako favore pranë ZVRPP Durrës; dhe
  4. Fisi Avdylaj komandon drejtues të administratës duke kërkuar favore.[7]

Të gjitha sa më sipër janë të lidhura me disa përgjime pjesë e të cilave është edhe shtetasi Vangjush Daku që pretendohet se është cituar nga i padituri në deklaratën e tij.

 

Në të njëjtën linjë, media gjermane “BILD”, ka vijuar të analizojë këtë situatë të paprecedentë të ndodhur në Shqipëri nëpërmjet shkrimit me titull “Si mafia manipulon zgjedhjet në Shqipëri” ku ndër të tjera citohet se “A lejohet të hyjë në BE ky vend? Shqipëria e dëshiron, Brukseli nuk ka gjë kundër- dhe Gjermania e mbështet në parim çeljen e negociatave të pranimit me shtetin ballkanik, duke i dëshmuar atij përparim të madh në demokratizim. Por në të vërtetë, vendi po zhytet në kaos, gjendet në udhëkryq: ose në rrugën drejt kushteve demokratike- ose përfundmisht si republikë e mafias. Protesta masive çdo javë, policë dhe prokurorë që largohen nga vendi, një udhëheqje e korruptuar policore, pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë funksionale- Shqipëria është në një krizë të madhe, pavarësisht disa përparimeve në turizëm.

 

Një nga arsyet, që i ka nxjerrë masat në rrugë: akuzat se qeveria e kryeministrit Edi Rama ka blerë votat në mënyrë masive- me ndihmën dhe paratë e mafias së drogës, që dominon vendin. Që kur Edi Rama mori detyrën, kultivimi i marihuanës është përhapur në të gjithë vendin- duke u bërë industria kryesore e vendit përveç trafikut të drogës.

 

Dhe paratë e drogës po qeverisin vendin!

 

Kur ‘Bild’ raportoi para pak kohësh për një transkriptim të përgjuar, në të cilin kryeministri Edi Rama e pyet një zyrtar vendor të zgjedhjeve, nëse gjërat kanë shkuar ashtu siç ishte rregulluar, qeveria u zemërua: ‘Bild’ është një gazetë e blerë, pretendimet (që në fakt bazohen në dokumentet e hetuesve shqiptarë dhe të Evropës Perëndimore) janë krejtësisht të pabaza. Edhe hetuesit shqiptarë e konfirmojnë vërtetësinë e telefonatave.

 

Por tani Bild ju sjell përgjimet telefonike, duke treguar se si përpara zgjedhjeve të vitit 2017, një baron famëkeq i drogës blen votat për Partinë Socialiste të Ramës. Ai siguron që një politikan i caktuar të futet në parlament. Ne po u tregojmë gjashtë përgjime konkrete.

 

Përgjimet janë pjesë e një hetimi të policisë shqiptare- të ashtuquajturës ‘Dosja 339/1’. Dokumentet e bollshme u morën nga hetuesit shqiptarë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. Dhe që atëherë janë kryesisht të mbyllura në dosje- pjesë të saj nuk mund të fshihen.

Sipas hetuesve, ky është vetëm një fragment ekzemplar nga një tërësi komplekse regjistrimesh, që janë mbledhur gjatë muajve të vitit 2017”.

 

Në lidhje me mbrojtjen që paditësi ka marrë përsipër, është vetë paditësi që e ka konfirmuar me deklarimet e tij nëpër media. Ja si i raportojnë mediat këto deklarime:

“Pavarësisht skandaleve të ndodhura gjatë pushtetit të Kryeministrit Rama, ky i fundit gjithnjë ka marrë në mbrojtje të besuarit e tij, edhe pse janë zbuluar fakte që tregonin të shkuarën e tyre kriminale, ose lidhjen me krimin. Rasti i fundit është ai i kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako.

 

Në 24 tetor 2018, opozita publikoi një përgjim të dosjes hetimore të grupit kriminal të Durrësit Avdylaj, ku dëgjoj një bisedë mes kryebashkiakut Dako dhe kreut të bandës, Astrit Avdylaj, i njohur me presudonimin “Niçe”, për blerjen e votave në Durrës gjatë zgjedhjeve të përgjithshme 2017.

 

Një javë pas publikimit tpërgjimit, kryeministri Rama i ftuar në emisioni Top Story të Sokol Ballës, në vend që t’i sqaronte qytetarët për këtë përgjim dhe të distancohej nga kjo ndodhi, ai e mbrojti Dakon:

 

“Përgjimet në rastin Dako nuk flasin qartë fare. Pasi dhe përgjimet për Saimir Tahirin flisnin qartë për ju, flisnin qartë për opozitën, por Prokuroria e Italisë ua tha qartë përgjigjen. Ne nuk manipulohemi.”

 

Në shkurt 2019, Zëri i Amerikës publikoi të plotë përgjimet e telefonatave mes Dakos dhe Astrit Avdylajt për blerjen e votave në Durrës, por kryeminsitri sërish e mbrojti Dakon dhe zgjodhi të sulmoi mediat që e hetuan. Sërish nga studio e emisionit Top Story ai tha:

“Nuk janë fakte, janë muhabete telefonash. Me muhabete mund të ngatërrohej gjithë Shqipëria. Nuk mund të ngresh akuza për dikë bazuar në raporte telefonatash. Nëse bëhet fjalë për këto muhabete , Dako mund të kandidojë edhe 500 herë të tjera. Përgjimet nuk mund të merren dot për bazë për të sulmuar njerëz. Nëse do të ishte për përgjimet, Saimir Tahiri do kishte shkuar në burg që 48 orë pas daljes së disa bisedave mes kriminelëve, por ishte sërish prokuroria italiane, një nga më të ashprat, që tha se ky nuk ka lidhje. ”

 

Sot, në një takim me qytetarët e Librazhdit, Kryeminsitri lavdëroi dhe mbrojti sërish kryebashkiakun Dako:

 

“Vangjush Dako që i janë qepur për ta kthyer në shënjestër duke e treguar si njeriun e lidhur me krimin. E mundi Saliun, shtetin me gjithë hordhitë e tyre në 2007, në 2011, pastaj në 2013 e në 2017. I kemi mundur me herë të tëra Saliun me hordhitë e tij.””[8]

 

Në lidhje me Prokurorinë e Krimeve të Rënda apo dhe me vetë paditësin, deklarimet e pretenduara të të paditurit konfirmohen nga një investigim tjetër i medias gjermane “BILD”[9], por po ashtu edhe nga vetë deklarimet e paditësit[10] pas bërjes publike të këtij investigimi.

Ky investigim është bazuar në përgjime të prokurorisë për dosjen Nr. 184 të vitit 2016, dosje kjo e iniciiuar me kallëzim të Partisë Demokratike[11], ish kryetar i të cilës është i padituri. Që në lidhje me këtë procedim nuk është marrë asnjë person nën hetim prej gati 3 vitesh, ky është fakt i njohur botërisht dhe që të japësh një opinion në lidhje me kapjen e organit të prokurorisë bazuar pikërisht në këtë çështje për të cilën Partia Demokratike, si subjekt i dëmtuar, këtu nuk ka asnjë element të paligjshëm.

 

Pra edhe sa i përket këtij deklarimi (gjithmonë në rastin hipotetik që është i tillë si në kërkesë padi), kemi të bëjmë me informacion që i padituri ja ka përcjellë publik në interes të këtij të fundit. Përfshirja e paditësit dhe e drejtuesve të lartë të Partisë Socialiste ku përfshihen kryetarë të bashkive, ministra, deputetë, nënpunës civilë etj. së bashku me pjestarë të krimit të organizuar në dy qarqe rë vendit, e konfirmuar tashmë me përgjime zyrtare të prokurorisë nëpërmjet dy dosjeve të saj, tregojnë më së miri që nuk ka elementë të pavërtetë.

 

Pikërisht bazuar në sa më sipër, mund të ketë ndodhur dhe deklarimi i të paditurit Lulzim Basha në cilësinë që mbante në atë kohë të Kryetarit të Partisë opozitare më të madhe ne vend, deklarime këto që pretendohen si të pavërteta dhe fyese nga paditësi, por që tashmë janë konfirmuar të gjitha.

 

Në këtë gjykim vërtetuam me anë të provave dhe faktin që pala paditëse ka mbajtur qëndrime të ndryshme mbi të njëjtat deklarime ku n mënyrë të vazhdueshme paditësi është akuzuar nga politikan të ndryshëm për ndërhyrje në organet e drejtësisë. Përveç faktit që kjo gjykatë dhe publiku është në dijeni për akuza e përditëshme që sot i bëhen paditësit si personi që ka nën varësi dhe kontrollon organet e drejtësisë madje ai akuzohet se dhe drejton strukturat e posaçme të drejtësisë. Nga ana e paditësit nuk u paraqit një provë në këtë gjykim që të vërtetojë që nga ana e tij për të njëjtat akuza ka inicuar dhe proçese gjyqësore civile me objekt të ngjashëm.

 

Fakti që pala paditëse paraqiti prova që Vangjush Dako është nën hetim apo i dënuar tregon qartësisht faktin që ai nuk u akuzua kurrë për akuzat e Proçedirmit Penal Nr. 339 i vitit 2016 por totalisht për vepra të tjera penale që nuk kanë lidhje me këto deklarime të bërë nga pala e paditur. Fakti që nga organet e posaçme të drejtësisë u ngritën akuza dhe u regjistruan proçedime penale ndaj funksionarëve të lartë të PS tregon që debati publik i ngritur në media nga ana e ish kryetarit të opozitës i ka shërbyer çrënimit të kulturës së pandëshkueshmërisë.

 

Siç shihet qartësisht dhe në mënyrë pa ekuivok nga ana e ish kryetarit të PD-së këto deklarime përbëjnë një opinion politik të tij dhe të bëra të gjitha në funksion të debatit politik dhe në shërbim të informimit të qytetarëve funksion ky i çdo politikani.

 

Në lidhje me arsyetimin ligjor, sipas objektit dhe bazës ligjore të kërkesë padisë, duhet që për t’u gjendur përpara përgjegjësisë për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor, të plotësohen në mënyrë kumulative këto kushte:

 

  • Ekzistenca e dëmit;
  • Veprimi, apo mosveprimi i kundërligjshëm;
  • Faji si kusht i përgjegjësisë; dhe
  • Lidhja shkakësore

 

Ekzistenca e dëmit. Dëmi është kusht me rëndësi i përgjegjësisë, sepse pa ekzistencën e tij nuk mund të flitet për përgjegjësi dhe si rrjedhojë as për mundësinë e shpërblimit të dëmit. Kodi Civil nuk jep ndonjë përkufizim ekzakt të tij, por doktrina dhe jurisprudenca janë munduar që t’i japin një definim gjithpërfshirës duke e konsideruar si: pakësim të pasurisë së dikujt dhe pengim të rritjes së saj, si dhe shkaktimi i vuajtjes fizike, psikike, ose frikës. Nga ky përkufizim mund të dallojmë atë që nga doktrina dhe jurisprudenca klasifikohet si dëm pasuror dhe dëm jopasuror, të cilët konsistojnë në:

 

  1. Dëmi pasuror sjell si pasojë cënimin e pasurisë se të dëmtuarit në kuptimin e ngushtë ekonomik, pra humbjen e pasurisë (deminutio patrimonii) në mënyrë të paligjshme. Prandaj edhe shpërblimi i dëmit pasuror ka për qëllim të rikthejë pasurinë e të dëmtuarit në gjendjen e mëparshme, duke “mbushur” diferencën e krijuar ndërmjet gjendjes ekonomike aktuale të tij, me atë në të cilin do të ndodhej, nëse nuk vërtetohej fakti i paligjshëm (quanti ea res erit, tantam pecuniam condemnato).

 

  1. Dëmi jopasuror, i cili bazuar në jurisprudencën e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë shfaqet: në formen e dëmit moral, dëmit biologjik dhe dëmit ekzistencial. Për të mos u ndalur në secilin prej tyre, meqënëse pretendimet kanë të bëjnë me shkaktimin e dëmit moral, vlen të trajtohen shkurtimisht aspektet kryesore materiale dhe procedurale të tij, të sanksionuara në jurisprudencën e Gjykatës së Lartë. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë e konsiderojnë dëmin moral (pretium doloris ose pecunia doloris), si një shfaqje të brendshme, të përkohshme, të turbullimit të padrejtë (non iure perturbatio) të gjendjes shpirtërore të njeriut, dhimbje e vuajtje shpirtërore, apo gjendje ankthi e mundimi shpirtëror që rrjedh si pasojë e faktit të paligjshëm. Sipas Kolegjeve të Bashkuara, cilido që pëson cënime në sferën e shëndetit dhe të personalitetit të tij nga veprimet a mosveprimet e paligjshme dhe me faj të një të treti ka të drejtën të kërkojë edhe dëmshpërblimin e dëmit moral të pësuar.[12]

 

b.1. Bazuar në kuptimin e mësipërm që Gjykata e Lartë ka përcaktuar për dëmin moral, prapësojmë se paditësi nuk ka pësuar asnjë dëm jopasuror në formën e dëmit moral siç pretendon, i cili parashikohet në nenin 625 të Kodit Civil të cilin jurisprudenca e ka konsideruar si: nje kategori e gjerë dhe gjithpërfshirëse e dëmeve jashtëkontraktore, i cili përfshin çdo lloj dëmi të pësuar nga cënimi i të drejtave dhe interesave jopasurore që bëjnë pjesë në vlerat e njeriut dhe që nuk janë subjekt vlerësimi të drejtpërdrejte ekonomik në treg.

 

b.2. Siç e kemi arsyetuar edhe më sipër, deklarata e të paditurit objekt gjykimi (nëse do të provohet nga paditësi), kurrsesi nuk mund t’i ketë shkaktuar paditësit një dëm moral, kjo pasi, reagimi i të paditurit ka qenë i bazuar në informacione në media online, të shkruara apo audio-vizive si dhe në konfirmime të mëtejshme të asaj se çka është deklaruar. Paditësi duhet të mbajë parasysh që të qenit Kryetar i Partisë Socilaiste dhe Kryeministër i Republikës së Shqipërisë duhet t’i kultivojë një ndjenjë të lartë tolerance dhe respektimi të lirisë së shprehjes, si një e drejtë themelore e individit në shoqëri e po ashtu kur flasim për ish kryetarin e opozitës kjo e drejtë është akoma më e rëndësishme për t’u respektuar për më tepër kur kemi të bëjmë me hetime që cënojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë Partinë Demokratike. Në një republikë demokratike është krejtësisht e patolerueshme që kreu i ekzekutivit me veprimet dhe deklarimet e tij të shkojë në limitet kushtetuese apo dhe në shkelje të parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve e me pas të kërkojë dëmshperblim për opinione që të ish kryetarit të opozitës që kanë të bëjnë pikërisht me sjelljen e tij.

 

b.3. Përsa i përket barrës së provës për vërtetimin e dëmit moral, sigurisht që në bazë të K.Pr.Civile është e paditësit. Por, nisur nga natyra subjektive e këtij dëmi dhe veçanërisht nga karakteri, shfaqja e brendshme e tij, vërtetimi i cënimit të personalitetit në turbullime, dhimbje e vuajtje shpirtërore, etj., nuk mund të provohet në mënyrë tjetër përveçse duke i vlerësuar ius receptum si të mbështetura ligjërisht dhe duke i çmuar si te provuara ipso iure, me vërtetimin nga ana e paditësit të vetë faktit të paligjshëm dhe lidhjes së këtij fakti me cënimin moral të pësuar, sipas parimit të rregullshmërisë shkakësore. Duke qënë provë në formën e prezumimit të thjeshtë, ne si palë e paditur nëpërmjet kësaj deklarate mbrojtjeje të arsyetuar më poshtë në lidhje me mungesën e një veprimi të paligjshëm nga i padituri dhe provave bashkëlidhur saj, arrijmë të vërtetojmë të kundërtën, që nuk jemi në kushtet e asnjë veprimi të paligjshëm nga i padituri e për rrjedhojë nuk ka se si të jetë shkaktuar ndonjë dëm moral në dëm të paditësit.

 

Veprimi, apo mosveprimi i kundërligjshëm. Përsa i përket kundërligjshmërisë së veprimit, apo mosveprimit, doktrina mban qëndrime të ndryshme. Njëra është teoria objektive, e cila kërkon që veprimi, apo mosveprimi të jetë në kundërshtim me një normë juridike konkrete. Kjo konsiston në sjelljen e subjektit aktiv në kundërshtim me të drejtën objektive dhe si rrjedhojë shkaktimin e dëmit.

 

Nga ana tjetër është teoria subjektive, e cila e konsideron të kundërligjshëm automatikisht një veprim apo mosveprim, në momentin që cënon të drejta apo interesa që mbrohen nga rendi juridik në fuqi. Pra, në mometin që subjekti pasiv pëson një dëm, automatikisht veprimi, apo sjellja e subjektit aktiv do të konsiderohet e kundërligjshme, me përjashtim të disa rasteve të specifikuara shprehimisht në ligj. Pavarësisht dy teorive, qëndrimi dominant i doktrinës dhe jurisprudencës është bashkimi i të dyjave, pasi në çdo rast që cënohen të drejta, apo interesa të mbrojtura nga rendi juridik, veprimet apo mosveprimet që i kanë cënuar bien në kundërshtim edhe me nje normë juridike objektive. Ky arsyetim gjen mbeshtetje ne detyrimin Kushtetues per respektimin e dinjitetit, te te drejtave dhe lirive te njeriut te sanksionuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Kushtetutë dhe në ligje.

 

Referuar rastit konkret, në çështjen Cordova vs Italisë (2003), Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut shprehet se “Gjykata thekson se, ndërsa liria e shprehjes është e rëndësishme për çdokënd, ajo është veçanërisht e tillë për një përfaqësues të zgjedhur nga populli; ai ose ajo përfaqëson elektoratin, tërheq vëmendjen mbi shqetësimet e tyre dhe mbron interesat e tyre. …. Arsye shumë të rëndësishme duhet të verifikohen që të justifikojnë ndërhyrjen në lirinë e shprehjes së ushtruar aty”.

 

Pikërisht në rastin në shqyrtim duhen vendosur në balancë respektimi i nderit dhe dinjitetit per te cilin paditesi pretendon se eshte cenuar, si dhe e drejta e shprehjes per te dhene nje informacion e opinion te të paditurit të bazuar në të dhëna ne favor te interesave publike kombetare, te drejte te cilen i padituri ka zbatuar, jane te drejta te cilat mbrohen nga Konventa dhe Kushtetuta e Republikes se Shqiperise ne menyre te njejte dhe asnjera prej tyre nuk ka prioritet ndaj tjetres.

 

Por ne rastin ne shqyrtim, siç edhe vlereson Kolegji Penal i Gjykates se Larte ne Vendimin e tij Nr. 7 date 11.12.2009 “duke i vene ne balance keto te drejta, se cila prej ketyre vlerave eshte me e rendesishme ne situaten konkrete, deri ne ate mase sa megjithese nga keto deklarime mund te cenohet nderi i personit tjeter, nese ajo behet per te mbrojtur nje interes te parashikuar nga paragrafi i dyte i Konventes”, atehere nuk mund te kemi kufizim te te drejtes se shprehjes, pra pergjegjesi per veprime te kundërligjshme te te paditurit .

 

Në klimën politike konkrete i padituri supozohet se ka bërë deklaratën objekt gjykimi (të paprovuar nga paditësi) duke ushtruar lirinë e debatit politik që siç ka theksuar Gjykata e Lartë në vendimin nr.7, datë 07.06.2010 “…qëndron në thelbin e konceptit të një shoqërie demokratike”. Në vendimin e mësipërm, Gjykata e Lartë thekson se GJEDNJ, në vendimin e saj të datës 23.04.1992, në çështjen “Castells kundër Spanjës”, shpjegon se: “liria e shprehjes është e rëndësishme për këdo, por në veçanti për përfaqësuesin e zgjedhur të komunitetit. Është pikërisht ai që i përfaqëson zgjedhësit e tij, kthen vëmendjen ndaj shqetësimeve të tyre dhe mbron interesat e tyre”. Në këtë kuptim, deklarimet e të paditurit janë bërë me qëllim informimin e publikut, sa i takon veprime të paditësit në cilësinë e Kryeministrit të vendit dhe kryetarit të Partisë Socialiste.

 

Pra, në kontekstin e veprimeve dhe deklarimeve të vetë paditësit, arrestimeve, ndryshimin e masave të sigurimit personal dhe përgjimeve të konfirmuara më vonë, i padituri ka deklaruar duke informuar publikun se paditësi dhe bashkëpunëtorë të tij kanë cënuar lirinë kushtetuese të votës duke bashkëpunuar më krimin e organizuar. Në këto kushte, theksojmë se perhapja e te dhenave të tilla, ka interes publik në kontekstin e debatit politik të zhvilluar mes pozitës dhe opozitës. Pra, vlerësojmë se, publiku duhet të dijë dhe marrë informacion nëse Kryeministri i vendit dhe partia që ai drejton janë përfshirë në çështje që cënojnë lirinë e votës dhe zgjedhjet. Duke marrë këtë informacionin, publiku ka mundësi të vlerësojë se sa të lira janë zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë, çka ka qenë dhe shkak kryesor për djegien e mandatave parlamentare nga opozita.

 

Gjykata e Lartë në vendimin nr. 7, datë 07.06.2010, thekson se “GJEDNJ, në rastin Dichand dhe të tjerë kundër Austrisë, 26 shkurt 2002, Aplikimi Nr.29271/95, i jep vlerë të veçantë debatit politik dhe debatit për çështje të tjera me rëndësi publike. Çdo deklaratë e bërë gjatë zhvillimit të këtij debati mund të kufizohet vetëm atëherë kur është absolutisht e nevojshme: “Ka pak vend … për kufizime të fjalimeve politike ose debateve për çështje me interes publik”. Ndërsa në rastin Bladet Troms dhe Stensaas kundër Norvegjisë, 20 maj 1999, Aplikimi Nr.21980/93, dhe Bergens Tidende dhe të tjerë kundër Norvegjisë, 2 maj 2000, Aplikimi Nr.26131/95, Gjykata, gjithashtu, ka sqaruar që kjo mbrojtje e veçantë gjen zbatim edhe kur personi i sulmuar nuk është “figurë publike”; mjafton që deklarata të jetë bërë për një çështje me interes publik. Nisur nga kjo praktikë, ky Kolegj thekson jo vetëm të drejtën e të zgjedhurit për t’u shprehur, por edhe detyrimin që ka ai për të informuar opinionin publik mbi problemet që atë e shqetësojnë, pa qenë i kërcënuar nga sanksionet shtetërore.” Sa më sipër, theksojmë se paditësi duhet të tregojë tolerancë më të lartë në lidhje me thëniet e të paditurit.

 

Duke patur parasysh parimin e proporcionalitetit midis objektit te cenuar (paditësit) dhe atij te mbrojtur (shoqërisë), vlerësojmë se në deklarimin e tij te supozuar, i padituri, ka qene duke ushtruar te drejten e tij per te shprehur opionione në kuadër të të bërit opozitë ndaj qeverisë dhe përfaqësuesit të saj si një funksion thelbësor në një shoqëri demokratike, ne lidhje me veprimet dhe deklarimet e vetë të paditurit.

 

Ne detyren e tij si ish kryetar i partisë opozitare aktuale më të madhe në vend, ngjarje te tilla te konfirmuara tashmë, perbejne per te nje lajm te rendesishem per t’ja bere me dije mbare opinionit publik dhe per t’i bere te ditur qendrimin e tij dhe te opozites ne lidhje me ngjarje që lidhen me veprimtarine e organeve shteterore ligjzbatuese dhe ligjvënëse.

 

Si i tille ky deklarim pikes se pari nuk eshte kurrsesi “produkt” i krijuar drejtperdrejt nga i padituri, por i marre si tille “i gatshem” nga veprime e deklarime të paditësit dhe nga media të tjera  dhe përcjellë per opinionin publik shqiptar duke dhënë dhe një opinion të tijin si ish kryetar i opozitës dhe garantues i demokracisë në vend pasi ky është roli i opozitës në një republikë. Ne kete kontekst një opinion i tillë në kuadër të të bërit opozitë është një rrethanë qe nuk mundet kurrsesi te rendojë poziten e pales se paditur duke pretenduar qe ky i fundit ka qene i detyruar te verifikonte vertesine e tyre, që tashmë janë të vërtetuara.

Në analizë të këtyre kushteve mbajmë parasysh garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe njëkohësisht lirinë e shprehjes, të parashikuara këto në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

 

Liria e shprehjes pёrbёn njё nga elementёt thelbёsorё tё njё shoqёrie demokratike dhe njё nga kushtet bazё pёr progresin e saj dhe pёr vetё-realizimin e çdo individi. E nёnshtruar ndaj kufizimeve/kushteve tё vendosura sipas paragrafit tё dytё tё nenit 10, ajo ёshtё e zbatueshme jo vetёm pёr “informacione”, apo “ide”, qё priten apo konsiderohen si tё padёmshme apo si çёshtje indiferente, por edhe pёr ato qё fyejnё, trondisin apo shqetёsojnё.

 

Janё kёrkesat pёr pluralizёm dhe tolerancё, pa tё cilat nuk ka “shoqёri demokratike”. Në çështjet e polemikave ose interesit publik, gjatë debateve politike, në fushata elektorale, ose aty ku kritika bëhet në nivele qeveritare, tek politikanët ose autoritetet publike, mund të priten fjalë të rënda dhe kritika të ashpra dhe do të tolerohen në një shkallë më të madhe nga Gjykata.

 

Në nenin 10 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, parashikohet se “1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. … 2. Ushtrimi i këtyre lirive, që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet disa formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara nga ligji dhe që, në një shoqëri demokratike, përbëjnë masa të nevojshme për sigurimin kombëtar, integritetin territorial ose sigurinë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.

 

Kushtetuta e Republikes se Shqiperise, në nenin 15 të saj parashikon se “Te drejtat dhe liritë themelore të njeriut jane të pandashme, të patjetersueshme e te padhunueshme dhe qendrojnë ne themel të të gjithë rendit juridik. Organet e pushtetit publik, në përmbushje te detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojne në realizimin e tyre”.

 

E gjithë struktura shtetërore dhe ajo legjislative, ndërtohet pikërisht me qëllimin për të bërë të mundur realizimin e të drejtave dhe lirive themelore.

 

Pavarësisht kësaj, në nenin 17 të Kushtetutës janë vendosur kriteret për kufizimin e këtyre të drejtave ku parashikohet se “Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë  Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj, per nje interes publik ose per mbrojtjen e te drejtave te te tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në perpjesetim me gjendjen qe e ka diktuar ate. Keto kufizime nuk mund te cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe ne asnjë rast nuk mund te tejkalojnë kufizimet e parashikuara ne Konventen Europiane per te Drejtat e Njeriut“.

 

Nga ana tjetër, referuar nenit 22 të Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Europjanë për të Drejtat e Njeriut, Handyside kundër Mbretërisë së Bashkuar është parashikuar se “… liria e shprehjes eshte nje nga shtyllat e shoqërisë demokratike, bazë per zhvillimin e saj dhe kusht per vetrealizimin e individit … Ajo nuk mund te perfshijë vetëm informacionet dhe opinionet e perceptuara pozitivisht, ose te konsideruara si të padëmshme, apo indiferente, por edhe të tilla qe fyejne, turbullojne, apo qe jane shqetësim për shtetin ose për një grup të caktuar të shoqërise. Te tilla jane kriteret e pluralizmit, te tolerances dhe te hapjes, pa te cilat nje shoqeri demokratike nuk mund te ekzistoje”.

 

Në rastin konkret rezulton se deklarimi i të paditurit lidhet me rëndësinë që ka pasur misioni i tij si kryetar i partisë politike opozitare më të madhe në vend i cili duhet të ketë të drejtën për t’i shfaqur hapur dhe i pacensuruar opinionet e tij, të cilat përbëjnë një mendim të tijin të bazuar në informacione dhe analiza publike për paditësin dhe veprimet apo mosveprimet e tij.

 

Te dyja gjykatat (si ajo e GjENDNj ashtu edhe Gjykata e Larte) jane shprehur dhe kane argumentuar e arritur ne konkluzionin se asnjera nga te drejtat, as ajo per respektimin e nderit dhe dinjitetit dhe as ajo per t’u shprehur (liria e shprehjes), nuk duhet te kene formalisht prioritet ndaj njera tjetres, pasi si KEDNj, ashtu edhe Kushtetuta e Shqiperise, dinjitetit të njeriut dhe të drejtave dhe lirive të tij i japin mbrojtje te njejte. Por, rast pas rasti, duhet analizuar duke i vendosur ne balance, se cila prej ketyre vlerave eshte me e rendesishme ne situaten konkrete, deri ne ate mase sa megjithese nepermjet  deklarimeve mund te cenohet nderi i personit tjeter, nëqoftëse ajo bëhet për të mbrojtur një interes të parashikuar nga neni 10 paragrafi i dytë të Konventës, atëhere autori do të përjashtohet nga përgjegjësia për efekt të vlerësimit të një veprimi, si veprim i paligjshëm ose jo.

 

Në përcaktimin nëse kemi të bëjmë me deklarata (veprime) të kundërligjshme ose jo, mbajmë parasysh dhe i referohemi vendimeve të GjEDNj e cila i ka kushtuar vemendje të posaçme, lirisë së shprehjes së individit, vecanërisht e shprehur kjo në subjekte të posacme, sic janë mediat dhe politikanët apo përfaqësuesit e zgjedhur.

 

Në vlerësimin tonë mbajmë parasysh se respektimi i nderit dhe i dinjitetit të njeriut për të cilin paditësi pretendon se i është cënuar dhe e drejta e shprehjes për të dhënë një opinion në favor të interesave të cilin i padituri ka zbatuar, janë të drejta të cilat mbrohen nga KEDNj dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të njëjtë asnjera prej tyre nuk ka prioritet ndaj tjetrës.

 

GjEDNj, në një sërë vendimesh të saj, ka përcaktuar qartë dallimin midis atyre që ajo i quan fakte (informacione) dhe gjykimeve vlerësuese (opinioneve, mendimeve). Sipas saj, ndërsa opinionet janë pikëpamje ose vlerësime personale të një ngjarjeje ose situate dhe nuk janë të perceptueshme si prova për të qenë të vërteta ose të pavërteta, faktet mbi të cilat bazohen opinionet, janë të mundshme për t’u provuar si të vërteta apo të pavërteta. Për çdo rast, ato duhet të veçohen me kujdes. Në këtë kuptim, ekzistenca e fakteve mund të provohet, ndërkaq që vlerësimet/opinionet nuk mund të provohen. (shih vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Lingens kundër Austrisë, Dalban kundër Rumanisë, Cumpana dhe Mazare kundër Rumanisë dhe Harlanova kundër Letonisë).

 

Leximi i veprimeve dhe deklarimeve të paditësit si dhe përdorimi i informacionit të marrë nga media publike nga ana e të paditurit është bërë në kontekstin e dhënies së një opinioni në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tij si ish kryetar i opozitës kundrejt veprimeve dhe deklarimeve të paditësit. Për sa më sipër vlerësojmë se nuk ka asnjë veprim të kundërligjshëm të të paditurit në ushtrimin e të drejtës së tij të shprehjes dhe informimit të opinionit publik, nëpërmjet dhënies së opinioneve dhe vlerësimeve të tij për publikun aq më tepër kur për këto informacione publike ku ai është bazuar nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë përgënjeshtrimi.

Për aq kohë sa në rastin objekt gjykimi nuk ekziston veprimi i paligjshëm nuk mund të ekzistojë elementi i fajit e as ai i lidhjes shkakësore.

 

Duke qenë se sipas provave në gjykim dhe arsyetimit ligjor të sipërcituar nuk plotësohen në mënyrë kumulative kushtet e “ekzistencës së dëmit”, “veprimit, apo mosveprimit të kundërligjshëm”, “fajit si kusht të përgjegjësisë” dhe “lidhjes shkakësore”,

 

KËRKOJMË

  • Rrëzimin e padisë si të pambështetur në ligj e në prova.
 

 

I PADITUR

        Lulzim BASHA
        përfaqësuar me prokurë të posaçme nga

 

 

  1. INDRIT SEFA

[1] http://ëëë.oraneës.tv/article/tirane-arrestohet-ish-drejtori-ipergjithshem-i-burgjeve-arben-cuko

[2] https://shqiptarja.com/lajm/arrestohet-ishdeputeti-i-ps-arben-ndoka

[3] http://oraneës.tv/article/arrestimet-e-se-dieles-ne-1030-konferenca-e-perbashket-shtyp

[4] https://gazetamapo.al/operacionit-vol-vo-4-me-27-te-arrestuar-policia-publikon-pamjet/

[5] https://ëëë.javaneës.al/ndryshon-masa-e-sigurise-arrest-shtepie-per-dy-ish-deputetet-cuko-e-ndoka/

[6] http://ëëë.standard.al/2018/10/25/dalin-pergjimet-e-dosjes-339-vangjush-dako-bisedon-me-nicen/

[7] http://telegraf.al/politike/e-plote-te-gjitha-pazaret-kriminale-dako-avdylaj-per-blerjen-e-zgjedhjeve/

[8] https://lapsi.al/2019/04/02/pas-rroshit-e-tahirit-rama-merr-ne-mbrojtje-vangjush-dakon/

[9] http://top-channel.tv/2019/06/17/pergjimet-e-reja-te-bild-publikohet-telefonata-e-kryeministrit-rama/

[10] https://ëëë.syri.net/politike/260921/pergjimet-e-bild-rama-jane-te-verteta-por-zgjedhjet-me-30-qershor/

[11] https://balkanëeb.com/pd-kallezon-zyrtare-te-larte-ne-diber-ja-skema-kriminale-se-si-po-blejne-vota-dhe-po-kanosin-qytetaret/

[12] Vendimi unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr. 12, datë 14.09.2007.