Mesfushori kroat Luka Modriç, do të kryejë vizitat mjekësore në vendlindjen e tij, Kroaci, të cilat do ta bëjnë zyrtarisht lojtar të Milanit.
Ky hap formal do t’i paraprijë nisjes së tij drejt Shteteve të Bashkuara, ku do të bashkohet me shokët e ekipit të Real Madridit për të marrë pjesë në Botërorin e Klubeve.
Një kompeticion që do të shënojë aventurën e fundit me fanellën e “Los Blancos” për fituesin kroat të “Topit të Artë”, përpara se të hapë një faqe të re të karrierës së tij, siç raporton “Corriere dello Sport”.
Prania e tij në Botërorin e Klubeve thekson edhe një herë rëndësinë dhe karizmën e Modric, një lider i padiskutueshëm që, edhe në këtë fazë tranzicioni, do të jetë element kyç për ambiciet e Realit në këtë kompeticion ndërkontinental.
Në aspektin individual, Modriç ka fituar “Topin e Artë” në vitin 2018, çmimin “The Best FIFA Men’s Player” dhe “UEFA Men’s Player of the Year”.
Ai është përfshirë 6 herë në formacionin ideal të vitit “FIFPro World 11” dhe dy herë është shpallur mesfushori më i mirë I Ligës së Kampionëve. Me fanellën e Real Madridit ka luajtur 590 ndeshje, duke shënuar 43 gola.
Ka fituar gjithashtu një “Top të Artë” dhe një “Top të Argjendtë” në Botërorin e Klubeve. Me kombëtaren kroate ka zhvilluar 186 ndeshje, duke vendosur rekordin absolut të paraqitjeve atje. Ka fituar “Topin e Artë” të Botërorit 2018 në Rusi dhe “Topin e Bronztë” në Botërorin e Katarit 2022.