Qeveria në detyrë e Kosovës ka konfirmuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta në territorin e Kosovës, duke respektuar kushtet e përcaktuara.
Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë (REL) se për një periudhë njëvjeçare, deri në pesëdhjetë persona mund të zhvendosen përkohësisht në Kosovë me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes.
“Qeveria ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet, me mundësinë për të përzgjedhur individë nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik,” tha Kryeziu, duke shtuar se informacione të tjera do të jepen në vijim.
Nga ana tjetër, Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) konfirmoi më 6 qershor për REL-in se vendet e Ballkanit janë pjesë e një strategjie më të gjerë të SHBA-së për menaxhimin e çështjes së migrantëve pa status të rregulluar.
“Partnerët amerikanë dhe udhëheqësit rajonalë po punojnë ngushtë me ne për t’i dhënë fund krizës së migrimit të paligjshëm dhe masiv,” tha DASH-i, duke theksuar se zbatimi i politikës së migracionit të administratës së presidentit Trump mbetet një prioritet.
Sipas DASH-it, largimi nga SHBA-ja i personave me urdhra përfundimtarë për dëbim dhe i imigrantëve të paligjshëm është një masë që synon të mbrojë Shtetet e Bashkuara nga kërcënimet e mundshme për sigurinë kombëtare dhe rendin publik.
Bashkëpunimi i vazhdueshëm me qeveritë e vendeve të tjera vlerësohet si thelbësor për parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe për forcimin e sigurisë kufitare.
Qeveria e Kosovës ka riafirmuar se Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat i palëkundur i Republikës së Kosovës dhe se partneriteti me SHBA-të është i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe bashkëpunim të ngushtë. Qeveria theksoi se e vlerëson mbështetjen amerikane në rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.
Ndërkohë, sipas një raportimi të agjencisë Reuters, duke cituar Bloomberg News, administrata e presidentit Trump po ushtron trysni mbi Serbinë dhe vende të tjera të Ballkanit për të pranuar migrantët e dëbuar nga SHBA.
Muajin e kaluar, Gjykata Supreme e SHBA-së i dha dritën jeshile administratës Trump për të tërhequr statusin e përkohshëm ligjor për qindra mijëra migrantë nga Venezuela, Kuba, Haiti dhe Nikaragua, duke e forcuar më tej politikën e dëbimeve të kësaj administrate.