Një nga ikonat më të mëdha të muzikës pop amerikane, Brian Wilson, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare. Lajmin e trishtë e ka konfirmuar familja e tij përmes një postimi emocional në rrjetet sociale.
“Me zemër të thyer njoftojmë se babai ynë i dashur Brian Wilson ka ndërruar jetë. Nuk gjejmë fjalë tani. Ju lutemi të respektoni privatësinë tonë në këtë kohë, ndërsa familja jonë është në zi. E kuptojmë se po e ndajmë hidhërimin tonë me botën. Dashuri dhe mëshirë.”
I njohur si shpirti vizionar dhe forca krijuese pas grupit legjendar The Beach Boys, Wilson krijoi disa nga këngët më të paharrueshme të historisë së muzikës. Me një tingull unik që kombinonte gëzimin rinor me një melankoli të thellë, ai përkufizoi tingullin dhe shpirtin e Kalifornisë së mesit të shekullit XX.
Në kulmin e karrierës së tij, Wilson shkroi dhe prodhoi albumin e vitit 1966, Pet Sounds, i cili konsiderohet gjerësisht si një nga albumet më të mëdha të të gjitha kohërave – një kryevepër muzikore që ndikoi thellësisht në artistë si The Beatles dhe shumë të tjerë.
I lindur në vitin 1942 në Inglewood, Kaliforni, Wilson u dallua që herët si një muzikant me ton të përsosur, duke demonstruar talent të rrallë që foshnjë. Ai dhe vëllezërit e tij Carl dhe Dennis, së bashku me kushëririn Mike Love dhe mikun Al Jardine, formuan më vonë grupin që do të bëhej The Beach Boys. Nën mbështetjen – por edhe presionin – e të atit të tyre, Murry Wilson, grupi u hodh në skenën muzikore amerikane në fillim të viteve ’60.
Kënga e parë e Wilson me grupin ishte “Surfin’” (1961), e ndjekur nga hite të mëdha si “Surfin’ Safari”, “Surfer Girl” dhe “Surfin’ USA”, e cila arriti në vendin e tretë në listat amerikane dhe u bë një prej këngëve më përfaqësuese të epokës.
Pavarësisht suksesit artistik, jeta e Brian Wilson nuk ishte e lehtë. Ai vuante prej vitesh nga probleme të shëndetit mendor dhe ishte pjesërisht i shurdhër në njërin vesh – një dëmtim që besohet të ketë ardhur nga një incident në fëmijëri. Megjithatë, pengesat nuk e ndalën atë të krijonte një katalog të jashtëzakonshëm muzikor, që vazhdon të frymëzojë brez pas brezi.
Trashëgimia e Brian Wilson është e pamatshme – një mjeshtër i melodisë, harmonisë dhe emocioneve, që transformoi muzikën pop në art të vërtetë.