Aleksandër Vuçiç shkel tokën e Ukrainës për herë të parë që prej shpërthimit të luftës. Presidenti Serb ka udhëtuar në mënyrë surprizë drejt vendit që po i reziston përpjekjes së Rusisë për pushtim, ndërsa pritet të marrë pjesë në samitin “Ukrainë-Europa Juglindore”.
Njoftimi vjen nga vetë zyra e presidentit të Serbisë. Kjo nuk është përtypur mirë nga Rusia, që ka ashpërsuar gjuhën me akuza ndaj Beogradit zyrtar se po dërgon në Ukrainë municione dhe armatime. Zëdhënsja e ministrisë së jashtme, Maria Zakharova, përdori një ton kërcënues teksa shtroi pyetjen për vendin aleat se në anën e kujt janë, të Moskës, apo të atyre që i quajti “neonazistë”.
“Ata që flasin për dëshirën për të zhvilluar marrëdhënie me Rusinë, për të ndërtuar një dialog me të, duhet së pari të pyesin veten nëse janë në anën e së vërtetës apo të neonazizmit”, u shpreh zyrtarja. Zakharova u pyet nga gazetarët nëse kjo vizitë e Vuçiç në Odesa është detyruar nga perëndimi që i bën presion vazhdimisht, pasi javë më parë ishte në Sheshin e Kuq të Moskës për Paradën e Fitores.
“Duhet të shtrohet pyetja se me kë do të shoqërohet. Çfarë idesh do të ndajnë ata që janë atje? Me kë do të identifikohen? Regjimi i Kievit është një regjim që i lavdëroi kriminelët nazistë”, shtoi mes tjerash zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse. Nga fjalët, Moska kaloi në vepra. Në qytetin ku mbahet samiti Ukrainë-Europa Juglindore, ushtria e Rusisë lëshoi një sulm masiv me dronë dhe raketa. Përveç Odesës, trupat e Putinit kanë bombarduar edhe rajone të tjera. Në Kharkiv raportohen viktima dhe të plagosur, ndërsa mbrojtja ajrore ukrainase konfirmon se ka rrëzuar 40 dronë nga 85 të lëshuar gjithsej.