Partia e Lirisë ka akuzuar Ministrinë e Arsimit për propagandë dhe shou mediatik lidhur me projektin e “kabineteve inteligjente”, ndërsa sipas këtij subjekti, arsimi në Shqipëri është i rrënuar dhe shumë shkolla nuk kanë as kushtet bazë si tualete funksionale.
Në mungesë të kryetarit Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024, në një konferencë për mediat doli Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PL, Arla Merja, e cila renditi problemet e sistemit arsimor, duke theksuar se ky sistem ka nevojë për reforma të thella.
Merja kritikoi mënyrën se si Ministria po e trajton arsimin, duke e quajtur propagandë promovimin e “kabineteve inteligjente” në një kohë kur në shumë shkolla mungojnë kushtet më bazike si ujë i rrjedhshëm, ngrohje, libra dhe trajnime serioze për mësuesit.
Ajo theksoi se arsimi në Shqipëri po përjeton një krizë të thellë, ku numri i nxënësve bie çdo vit, jo si pasojë e uljes natyrore të popullsisë, por për shkak të largimit masiv të të rinjve që nuk shohin më shpresë në këtë sistem.
Partia e Lirisë i bëri thirrje Ministres së Arsimit të fokusohet tek reformat reale dhe përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies, duke vendosur në qendër nxënësin dhe mësuesin, jo fasadat dixhitale për qëllime propagandistike.
Deklarata e plotë e PL:
“Të nderuar qytetarë! Jemi në periudhën e provimeve të maturës.
Mijëra maturantë përballen me provime që shpesh nuk matin dijen reale por stresin dhe pabarazinë, prindërit janë të shqetësuar, mësuesit të lodhur e të lënë në harresë, dhe nxënësit të pambrojtur në një sistem që nuk ka më as busull, as drejtim.
Në vend që të fokusohet te përmirësimi rrënjësor i cilësisë së mësimdhënies, te rritja e meritokracisë apo te investimi serioz në formimin profesional të të rinjve, Ministrja e Arsimit ka zgjedhur sërish rrugën më të lehtë, propagandën.
Dhe këtë herë, ajo na flet për “kabinete inteligjente”. A thua se teknologjia mund të fshijë mungesën e librave, mungesën e mësuesve të përgatitur dhe zbrazjen dramatike të bankave të shkollës. Po si mund të flasim për “kabinete inteligjente” në një sistem që nuk ka zgjidhur ende problemet më elementare?
Si mund të flasim për teknologji të avancuar, kur shumë shkolla në Shqipëri nuk kanë as tualete funksionale, as ngrohje gjatë dimrit, as ujë të rrjedhshëm apo libra të mjaftueshëm për nxënësit?
A nuk është cinike që flasim për laboratorë virtualë, kur mësuesit vetë shpesh nuk marrin trajnime reale dhe paguhen nën nivelin minimal të dinjitetit?
Të dhënat janë alarmante, çdo vit numri i nxënësve në shkolla bie ndjeshëm. Jo sepse popullsia po zvogëlohet natyrshëm, por sepse rinia po largohet. Po largohet sepse nuk beson më në një sistem që nuk i ofron shpresë, që nuk i jep as dije, as një profesion për ta përdorur në një treg të mirëpaguar.
Ndërkohë që klasat zbrazen, Ministria bën foto me projeksione digjitale dhe pretendon se po modernizon shkollën shqiptare.
E vërteta është se arsimi ynë nuk ka nevojë për makijazh. Ka nevojë për ndërhyrje serioze, për reforma të thella, për një riorientim të plotë të prioriteteve. Duhet të investohet te mësuesi, te nxënësi dhe te përmbajtja e dijes, jo te fasadat dixhitale pa thelb që i shërbejnë vetëm propagandës politike.
Prandaj, në vend të shfaqjeve me “kabinete inteligjente”, i bëjmë thirrje Ministres së Arsimit dhe gjithë qeverisë, zbrisni në tokë. Shkoni në shkolla, jo për kamera, por për të parë realitetin. Flisni me nxënësit, dëgjoni mësuesit, dhe sillni politika që nisin nga nevojat reale, jo nga ambiciet për tituj lajmesh boshe.
Arsimi është themeli i çdo shoqërie. Kur ai rrënohet, shoqëria rrezikon të shembet. Dhe sot, Shqipëria po e ndjen këtë kërcënim më shumë se kurrë. Arsimi në Shqipëri nuk ka nevojë për shoë mediatik. Ka nevojë për dinjitet, për dije të vërtetë dhe për politika që vendosin nxënësin dhe mësuesin në qendër.
Por rilindja nuk është e interesuar ta bëjë këtë gjë, pasi e di që qytetari i mirë edukuar është gardian i demokracisë, i zbatimit të ligjit dhe i drejtësisë sociale, koncepte që kjo qeveri i ka shkatërruar në themel.”