Ballina Opinion Raporti që nuk është publikuar ende, por i flet Shqipërisë në sy

Raporti që nuk është publikuar ende, por i flet Shqipërisë në sy

15
0

Nga Baton Haxhiu 

Ka raporte që kalojnë pa u vënë re. Dhe ka raporte që, pa u bërë ende publikë zyrtarisht, të japin ndjesinë se janë më të sinqertë se vetë realiteti. I tillë është dokumenti që Parlamenti Evropian pritet të miratojë për Shqipërinë, dhe që e kam lexuar me vëmendje rresht pas rreshti.

Ky nuk është më një raport standard vjetor për përparimet në rrugën e integrimit. Është një dokument që i flet Shqipërisë pa diplomaci të tepërt, pa mbështjellje formale, pa lavdërime mekanike. Dhe për këtë arsye, është ndoshta raporti më i rëndësishëm që është shkruar për vendin tonë në 10 vitet e fundit.

Për herë të parë, Brukseli nuk përpiqet më të ruajë ekuilibrin mes kritikës dhe mbështetjes. E ndan Shqipërinë në dy pjesë shumë të qarta: një vend me qëndrim të pakundërshtueshëm politik ndaj Perëndimit, por me një strukturë të brendshme të kalbur nga brishtësia institucionale dhe mungesa e vërtetë e llogaridhënies.

Raporti e përmend me emër SPAK-un. E njeh si një prej zhvillimeve më të rëndësishme në drejtim të drejtësisë, por kërkon më shumë. Shumë më shumë. Jo më raste të bujshme. Por dënime përfundimtare për zyrtarët e lartë. Jo më heshtje nga politika. Por mbrojtje të qartë për prokurorët e gjyqtarët që kërcënohen. Dhe jo më ndërhyrje të fshehta. Por respekt të plotë për pavarësinë e strukturave që përballen me krimin dhe korrupsionin.

Të njëjtën qartësi raporti e ka edhe për mediat. Nuk ka më asnjë iluzion për lirinë e shtypit në Shqipëri. Përdor fjalë që më parë shmangeshin: intimidim, përqendrim, mungesë transparence, pasiguri, dhunë seksiste ndaj gazetareve. Dhe mbi të gjitha, një konstatuese e rëndë: Shqipëria ka një treg mediatik të kapur, ku politika, biznesi dhe propaganda kanë krijuar një trekëndësh të pashkatërrueshëm.

Në raport përmendet edhe fenomeni më i rrezikshëm i dekadës së fundit: ndikimi i huaj që është kancerogjen.
Rusia, Kina, platformat propagandistike, financimet e dyshimta dhe fushatat e koordinuara për të minuar besimin e publikut te institucionet. Shqipëria është fushëbetejë për këto luftëra të reja. Dhe mbrojtja e saj institucionale është ende e dobët.

Në nivel të përgjithshëm, raporti i jep një sinjal shumë të qartë qeverisë shqiptare: Perëndimi nuk ka më nevojë të bindet për besnikërinë gjeopolitike të Shqipërisë. Kjo është një çështje e mbyllur. Tani ka nevojë për rezultate. Dhe mbi të gjitha, për koherencë mes asaj që thuhet dhe asaj që bëhet.

Raporti e thotë mjaft më me integrimin si flamur për të maskuar pushtetin absolut. Dhe , mjaft më me Evropën si kartë për t’u justifikuar brenda. Shqipëria është testuar. Dhe nuk do të kalojë më asnjë kapitull të rëndësishëm pa dhënë prova reale.
Brukseli nuk e thotë hapur, por e lë të kuptohet: fondet, mbështetja dhe përshpejtimi i procesit do të varen nga një kusht i vetëm dhe kërkesa është e qartë se a është Shqipëria e gatshme të ndërtoi një shtet që funksionon?

Ky raport e sheh Shqipërinë si një vend me potencial dhe me përparime të dukshme në digjitalizim, në infrastrukturë dhe në përfshirje rajonale. Por asnjë nga këto nuk do të mjaftojë nëse nuk garantohet një sistem drejtësie që nuk ndalet përballë emrave të mëdhenj. Një media që nuk trembet përballë pushtetit. Një administratë që nuk kontrollohet nga partia. Dhe një qytetar që e ndjen se shteti është aty për të, jo kundër tij.

Në këtë raport lexova edhe një gjë tjetër! Thuhet troç se durimi i Brukselit po soset. Jo ndaj Shqipërisë si vend. Por ndaj klasës politike që mendon se integrimi është një proces komunikimi, jo një reformim i thellë. Dhe ndaj një opozite të papërgjegjëshme.

Ky dokument do të botohet së shpejti. Dhe kur të botohet, do të ketë shumë që do të përpiqen ta relativizojnë, ta shpjegojnë, ta përkthejnë sipas interesit. Por e vërteta është kjo: Brukseli po e kupton më mirë se kurrë se Shqipëria e sotme është në një pikë kritike. Ose do të përqafojë me të vërtetë shtetin e së drejtës. Ose do të vazhdojë të sillet si një vend që kërkon Evropën, por i druhet reformës që Evropa kërkon.

Dhe për këtë zgjedhje, nuk do të ketë më raporte të buta. Do të ketë pasojë. Dhe ndarje të qartë mes atyre që e duan integrimin si retorikë dhe atyre që e duan si ndryshim real.