Ballina Politika Rinumërohen kutitë e para në Dibër/ Spahiu i PD i “vodhi” 40...

Rinumërohen kutitë e para në Dibër/ Spahiu i PD i “vodhi” 40 vota Gjunkshit të PD, ndërpritet seanca…

20
0

Ndërpritet seanca në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), ku po rinumërohen votat e kandidatëve të PD për 42 kuti të qarkut Dibër.

Shkak u bë mungesa e një kutie votimi. Për 41 kutitë e tjera numërimi ka përfunduar, ndërkohë që pritet të mbërrijë edhe kutia e fundit për të përmbullur procesin. Seanca nis në orën 15:00.

Nga rinumërimi i deritanishëm rezulton se kandidati Përparim Spahiu i ka marrë 40 vota Xhemal Gjunkshit.

Gjunkshi nuk mundi të fitojë mandat me numërimin që u bë më 11 maj. Ai u rendit i dyti në listën e hapur me 120 vota më pak se nga kandidati Përparim Spahiu.

Mbetet e paqartë se çfarë synon të arrijë Gjunkshi duke qenë se në qarkun e Dibrës, PD mori dy mandate që i shkuan vetëm listës së mbyllur.

Edhe nëse nga rinumërimi, ai do të kalojë kandidatin tjetër Spahiu, nuk ka asnjë shans që të futet në Kuvend.

Ndërkohë, nga java e ardhshme, pritet të nisë rinumërimi i votave për subjektet dhe kandidatët për qarkun Tiranë, më pas për Fierin e në vijim me Durrësin, vendim që u mor gjithashtu nga dy anëtarët e PD në KAS. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi sqaroi se procesi pritet të zgjasë deri në 20 ditë ndërkohë që rezultati në të gjithë Shqipërinë do të certifikohet në mes të gushtit.

Një ditë më parë, u vendos që të hapen edhe 257 kuti votimi në Durrës. PD përdori sërish dy anëtarët e saj për të hapur kutitë, por për qarkun bregdetar numërimi për herë të dytë nuk do të bëhet për të gjithë zonën zgjedhore.

KAS-i vendosi që të rinumërojë kutitë e KZAZ-ve 21 dhe 22 të kërkuara nga Partia Demokratike, dhe 60 kuti të kërkuara nga kandidati demokrat Aulon Kalaja. Ky i fundit po e bën betejën i ndarë nga PD-ja, e cila nuk e mbështeti në pretendimin se kandidati tjetër i saj, ish-prokurori Arjan Ndoja i ka marrë padrejtësisht votat.

KQZ do të finalizojë rezultatin e zgjedhjeve vetëm kur edhe Kolegji Gjyqësor Zgjedhor të jetë shprehur për ankimet. Një ditë më parë, PD, pasi humbi betejën ligjore në KAS, çoi në Kolegjin Zgjedhor qarqet Gjirokastër, Korçë dhe Kukës.