Ballina Aktualitet Tragjedia e heshtur! 56 vetëvrasje nga janari. Shëndeti mendor nuk është turp,...

Tragjedia e heshtur! 56 vetëvrasje nga janari. Shëndeti mendor nuk është turp, por stigma po vret njerëzit

18
0

Në pesë muajt e parë të këtij, 56 jetë janë fikur para kohe, jo nga sëmundje, as nga aksidente, por nga një dhimbje e padukshme që shpesh kalon në heshtje.

Vetëvrasjet po shtohen në ritme alarmante, duke ndjekur një trajektore tragjike që vitin e kaluar shënoi 112 raste në gjithë vendin. Pas çdo shifre fshihet një histori e pathënë, një britmë që nuk u dëgjua kurrë. Dhe pyetja që ngrihet është: a jemi duke bërë mjaft për t’i dëgjuar?

“Ne si shoqëri i kemi fshehur problemet e shëndetit mendor. Sepse në fillim nuk I kemi njohur. Edhe kur i njohëm i stigmatizuam dhe i mbajtëm të fshehta brenda familjes. Kur problemi  nuk ekspozohet, ai rritet aq sa personi nuk e mban dot më”, shprehet Aurela Agalliu, psikologe.

Vetëm javën e fundit në vendin tonë janë shënuar 3 raste të renda ku viktima kanë mbetur 3 të rinj nga Pogradeci, Korça dhe rasti më i fundit u shënua në tiranë ku një i ri ende i pa identifikuar u vetëhodh nga tarraca e qytetit student.

Në kushtet ku roli i psikologut në shoqërinë tonë nuk është shumë i konsoliduar theksi vendoset tek rrethi familjar që të mos neglizhojnë asnjë shenje në sjelljen e të afërmve të tyre.

“Kur ndryshimi në sjelljen e njeriut ka ndodhur duhet që të çohet në psikolog, ti bëhet një propagandë pozitive. Të mbahet afër. Mos injorohen shenjat. Jemi një shoqëri që po bëhet shumë individualiste.  Individualizmi ka vrarë njerëz”, shton më tej Agalliu.

Në një shoqëri që vuan në heshtje, çdo jetë e humbur nga vetëvrasja është një alarm që nuk duhet shpërfillur. Kur institucionet mungojnë, kur psikologu shihet si stigmë dhe jo si mbështetje, barra bie mbi familjen, mbi miqtë, mbi çdo sy që sheh dhe çdo vesh që dëgjon. Sepse shpesh, shpëtimi i dikujt fillon thjesht duke qenë aty.