Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së përsëritur të Unionit të Gjyqtarëve për rritje pagash, duke e cilësuar këtë praktikë si të paprecedentë dhe të rrezikshme për ekuilibrin mes pushteteve në Shqipëri.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama u shpreh se është hera e dytë brenda tre viteve që Unioni i Gjyqtarëve i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar rritje pagash, duke përfituar nga një vendim i mëparshëm i kësaj gjykate që në vitin 2022 pranoi kërkesën e tyre dhe garantoi një pagë bazë të lidhur prej 156 mijë lekësh.
Kryeministri theksoi se, pas rritjes së pagave të administratës në maj 2023, Unioni po kërkon sërish që pagat e gjyqtarëve të rriten automatikisht, kësaj here duke kërkuar një rritje prej 700 eurosh në pagën bazë.
Rama paralajmëroi se qeveria nuk do të heshtë më përballë kësaj që e konsideron si një “abuzim madhor” dhe një ndërhyrje të padrejtë të gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit dhe të legjislativit.
“Ky është një rrezik për seriozitetin e Republikës së Shqipërisë dhe për Kushtetutën. Nëse kjo do të ndodhte përsëri, nuk do të ketë më heshtje nga ana jonë”, u shpreh Rama.
Ai përfundoi se mbështetja për drejtësinë nuk mund të shfrytëzohet si një privilegj i përjetshëm dhe as të shndërrohet në precedent ku pagat vendosen me vendime gjykatash dhe jo nga qeveria apo parlamenti.