Ballina Kronika Vrasja e Albi Bashaliut, Artan Tafani rrëfehet në GJKKO: Lekët na i...

Vrasja e Albi Bashaliut, Artan Tafani rrëfehet në GJKKO: Lekët na i solli babai i Laert Haxhiut

22
0

Gjykata e Posaçme zhvilloi sot seancën e radhës për një nga dosjet e bujshme që lidhet me bandën kriminale për të cilën akuzohet si drejtues Laert Haxhiu, i ekstraduar nga Greqia vitin e kaluar dhe njëkohësisht rival i Aldo Bares, kreut të “Bandës së Lushnjës”.

Sot ishte hera e dytë që Artan Tafani, i penduari i drejtësisë dhe SPAK, ka dhënë dëshminë e tij para palëve dhe të pandehurve të çështjes, për të gjithë sagën kriminale të organizatës, urdhrat, viktimat, atentatet, pjesëmarrësit dhe motivet.

Seancën e kaluar ai rrëfeu për disa krime të rënda dhe vrasje të kryera me udhër të Haxhiut, me motive hakmarrjeje dhe rivaliteti, për shkak të sulmeve që kundërshtarët i kishin bërë ndër vite, duke i vrarë edhe të afërm të tij. Tafani e nisi dëshminë aty ku e la seancën e kaluar, për vrasjen e Albi Bashaliut, dinamika pas atentatit, fshehja e armës pas çmontimit dhe pagesa 30 mijë euro që e solli në Tiranë babai i Laert Haxhiut:

“Pasi mbaruam punë nuk na ndezi makina “Audi” që kishim. Mora “Benzin” gri me targa greke. Pasi kaluan Kavajën, kam çmontuar armën, në atë kohë kalonin dhe makina të tjera që sduhet të na shikonin që hidhnim pjesë të armës. Kur errdhëm në Tiranë kemi lënë Benzin në Astir dhe për të humbur gjurmë, kemi ecur në këmbë. Kemi marrë 30 mijë euro, na ka sjellë i ati i Laertit, Qamil Haxhiu dhe atë 30 mijë i kemi ndarë në 3 pjesë; unë, Lulzim Arapi dhe Laerti. Këto lekët i ka dhënë një person që e thërrisnin Limi, me të cilin para ngjarjeve fliste Laerti me të”.
Çfarë ndodhi seancën e kaluar:

Seancën e kaluar Tafani rrëfeu disa krime në seri dhe motivet e tyre. Në paraburgim, Tafani tregon se u njoh me disa djem nga Lushnja, pas një ngjarjeje ku u plagos Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares. Sipas tij, arma e përdorur u gjet në stanin e babait të Laert Haxhiut, Qamil Haxhiu. “Pas ngjarjes erdhi Lulzim Spahiu në paraburgim, më pas edhe Qamil Haxhiu. Me Lulzimin ndenjëm aty bashkë,” dëshmoi Tafani, ndërsa ka treguar edhe takimin e parë me Laert Haxhiun pasi doli nga qelia.

Tafani rrëfeu me detaje për vrasjen e parë, atë të Çajup Selimit. Plani ishte që Ligor Romaçka do e ndihmonte të largohej, por nuk ndodhi. Pasi vrasja u krye, hodhi armën në Vjosë dhe u nis për në Tiranë për të takuar Laertin. Një tjetër rrëfim tronditës u bë nga Tafani, kësaj here për vrasjen e kushëririt të Laert Haxhiut, Fridman Xhaferrit në Korçë.

Artan Tafani foli edhe për tentativën për të vrarë avokatin Adriatik Doga, i cili sipas tij ishte kushëri i Haxhiut. Sipas dëshmisë, Laerti dyshonte se avokati po ndihmonte kundërshtarët e tij dhe për këtë arsye kishte vendosur ta eliminonte.

Për këtë dosje SPAK ka marrë të pandehur 9 persona që akuzohen për ngjarje kriminale në disa qytete të vendit. Artan Tafani u arrestua në shtator të 2023 pasi grabiti me armë një pikë këmbimi valutor në zonën e Astirit dhe më pas mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë duke zbardhur krimet e bandës së Laert Haxhiun, mes të cilave 4 vrasje në Shqipëri dhe 2 të tjera në Greqi. Mes rrëfimit ishte dhe planifikimi i Haxhiut për të vrarë persona të drejtësisë, përfshirë prokuroren e SPAK, Doloreza Musabelliu, dhe atë të Lushnjës, Merita Selimi.