CIA ka publikuar sot 54 dokumente pas urdhërit të Presidentit të SHBA Donald Trump, të deklasifikuara që lidhen me atentatin ndaj Senatorit Robert F. Kennedy, në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv Nr. 14176 të Presidentit Donald J. Trump.
Ky publikim sjell rreth 1,450 faqe material historik që Agjencia po i bën për herë të parë të disponueshme për publikun.
Këto dokumente plotësojnë mijëra faqet që CIA kishte dorëzuar më parë te Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) dhe Administrata e Arkivave Kombëtare (NARA) në kuadër të publikimeve të lidhura me ish-Presidentin John F. Kennedy, gjatë këtij viti.
Dokumentet zbulojnë për herë të parë se Senatori Kennedy kishte ndarë me CIA përvojat e tij nga udhëtimet në ish-Bashkimin Sovjetik, duke reflektuar angazhimin e tij patriotik për të shërbyer vendit.
CIA mbetet e përkushtuar për të përmbushur urdhrin e Presidentit Trump për të publikuar të gjitha dokumentet lidhur me vrasjen e Senatorit Kennedy, dhe këto përpjekje të sotme përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt realizimit të këtij qëllimi.
“Publikimi i sotëm përmbush premtimin e presidentit Trump për transparencë maksimale, duke i dhënë CIA-së mundësinë të hedhë dritë mbi informacionin që shërben interesit publik,” tha drejtori i CIA-s, John Ratcliffe.
“Jam krenar që ndajnë me popullin amerikan punën tonë mbi këtë temë jashtëzakonisht të rëndësishme.”
Ky publikim është rezultat i një përpjekjeje të përbashkët, e drejtuar nga presidenti Trump dhe koordinuar nga drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, me bashkëpunim të ngushtë mes CIA-s, Departamentit të Drejtësisë, FBI-së dhe NARA-s.
“Publikimi i sotëm është një tjetër hap i rëndësishëm në përmbushjen e premtimit të Presidentit Trump për transparencë maksimale. Falënderoj të gjithë ata në CIA, ODNI dhe NARA që punuan me përkushtim për të gjetur, shqyrtuar dhe dixhitalizuar këto dokumente, shumë prej të cilave nuk janë publikuar kurrë më parë,” tha Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard.
“Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me partnerët tanë në komunitetin e inteligjencës për të realizuar premtimin e Presidentit Trump për transparencë maksimale.”
“Zbulimi i dokumenteve të RFK-së është një hap i domosdoshëm për rikthimin e besimit tek qeveria amerikane,” tha sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Jr.
“Unë përgëzoj presidentin Trump për guximin dhe angazhimin e tij për transparencë. Jam gjithashtu mirënjohës për përpjekjet e palodhshme të Tulsi Gabbard dhe John Ratcliffe për të zbuluar dhe deklasifikuar këto dokumente.”
Materialet e reja të publikuara rrisin në mbi 200 numrin e dokumenteve të CIA-së të deklasifikuara dhe publikuara në lidhje me këtë çështje, që përbëjnë gati 5,000 faqe.