Gazetari dhe opinionisti Frrok Çupi ka dorëzuar një kallëzim penal në Gjykatë kundër Ilir Demalias, pas një sulmi verbal të ndodhur në emisionin “Top Story” në Top Channel. Çupi akuzon Demalian për fyerje dhe shpifje publike të rënda ndaj tij, gjatë një debati të zhvilluar në mars 2025.
Sipas kallëzimit, Demalia e ka etiketuar Çupin si “spiun të komunizmit me pseudonimin Llulla”, pa asnjë provë apo dokument zyrtar, dhe ka përdorur fyerje të rënda duke e quajtur “këllirë që del ekran më ekran”.
Frrok Çupi thekson se ky nuk ishte një debat mediatik, por një akt penal i paramenduar dhe i koordinuar, që sipas tij ka ndodhur në të njëjtën studio ku më herët edhe Grida Duma e kishte sulmuar me të njëjtin model. Ai shprehet se në këtë rast i është mohuar e drejta e fjalës dhe mbrojtjes, duke e konsideruar situatën një sulm të njëanshëm dhe të organizuar.
Në padinë e dorëzuar, Çupi mbështetet në nenin 120/1 të Kodit Penal për fyerjen publike dhe nenin 11/2 për shpifjen me dashje, duke kërkuar ndëshkim penal për Ilir Demalian për fyerje publike me terma poshtërues, shpifje pa bazë ligjore dhe etiketim me pseudonim të pavërtetuar.
Frrok Çupi thekson se kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me dinjitetin e tij personal, por është një precedent i rëndësishëm për të luftuar shpifjen publike dhe përdorimin e mediave për linçime politike dhe personale, pa asnjë përgjegjësi ligjore.
“Media angazhon një panel të tërë për të shpifur kundër një njeriu që nuk është i pranishëm. Nuk më dhanë as të drejtën e fjalës, as të drejtën e mbrojtjes. Ky është sulm, jo gazetari!”, është shprehur Frrok Çupi.