Ballina Kulturë Gjenocidi ushqimor, moral dhe shpirtëror në romanin “Djalli i dytë” të Qazim...

Gjenocidi ushqimor, moral dhe shpirtëror në romanin “Djalli i dytë” të Qazim Shehut

19
0

Nga Halil Rama, Mjeshtër i Madh

Në fjalorin politik të tri dekadave të fundit, fjala “gjenocid” ka gjetur përdorim të gjerë, sa here iu referohemi gjyqeve të montuara dhe dënimeve me burgje e internime të qindra- mijëra shqiptarëve të pafajshëm gjatë regjimit të diktaturës komuniste. Dhjetëra shkrimtarë, të njohur e të panjohur, i janë qasur kësaj teme në tregimet, poezitë, novelat e romanet e tyre, duke sjellë të letrarizuara për lexuesin ngjarje nga më tronditëset që përjetuan viktimat e atij sistemi makabër, ndër më të urryerit. Krejt ndryshe i qaset kësaj teme shkrimtari i njohur Qazim D. Shehu në 32 episode (23 në pjesën e parë dhe 9 në pjesën e dytë”) të romanit të tij të sapo botuar “Djalli i dytë” me 210 faqe.

Kjo për faktin se gjenocidin çnjerëzor që përjetuan ish- të burgosurit politikë e trajton lidhur ngushtësisht me gjenocidin ushqimor, moral dhe shpirtëror të pjesës më të madhe të popullsisë.

Nëse në pjesën e parë, përshkruan ngjarje dhe fakte të përjetuara nga personazhi kryesor Arsen Lipa dhe babai i tij Idriz Lipa – ky i fundit i dënuar me vdekje me pushkatim, por që ia shpëtoi jetën një ish – ministër i diktaturës që më pas do dënohej vetë me vdekje nga diktatura që hante bijtë e saj, djali i tij, Arseni, profilizohet mjeshtërish nga autori si përjetues jo vetëm i gjenocidit që vuajti në burgjet e diktaturës si bir armiku, por edhe i gjenocidit ushqimor, moral e shpirtëror, si punëtor në një ish-kooperativë bujqësore.

Arseni e kujtonte edhe Dilo Bërdufin, një fshatar të tyre, që punonte së bashku me Idrizin. Kur erdhën ekspertët e Degës së Brendshme, me Dilon nuk u morën fare, ndërsa sikur ta dinin ose e dinin, iu drejtuan Idrizit dhe Arsenit dhe i arrestuan në vend. I ati e mohoi sabotimin….Por nuk e besuan. A nuk ishte Idriz Lipa një i prekur me një xhaxha të arratisur në Amerikë që villte vrer kundër atdheut në një radio të huaj, duke e quajtur komunizmin një barbari…? Atëherë Arseni nuk dinte gjë, ai u habit kur oficerët e Degës erdhën aq shpejt dhe verifikuan dëmin…Për dy thasë çimento që ishin çarë dhe hedhur nëpër shkurre Idrizi nuk dinte gjë, por përderisa ai hodhi hekurat përse duhej ta kursente çimenton?”

Qoftë dhe nga ky perifrazim (f.6), kuptohet se si i sajonte akuzat përbindëshi Sigurim i Shtetit, për të burgosurit, madje dhe pushkatuar ata që i konsideronte armiq të Partisë.

Autori Q.D.Shehu, njohës gjer në perfeksion i bëmave të kasnecëve të nomenklaturës, sjell më tej episode, kur Arseni përjeton gjenocidin ushqimor. Jo vetëm në ditët e para të daljes nga burgu, kur nga e mospasmja, për ditë të tëra ushqehet vetëm me arrat që i mblidhte natën tek ish- arrat në pronësi të të atit, por edhe kur gratë kooperativiste merrnin me vete bukë misri të lyer me vaj kikiriku dhe për të siguruar 100 pikëshin e ditës së punës që shpërblehej me 3 lekë të reja, nuk nguronin të bëheshin dashnore të brigadierit, kryetarit të këshillit e deri të funksionarëve të partisë në rreth.

“Gjenocidi ushqimor bënte kërdinë në to…Ai i shihte sa herë sesi gratë merrnin bukë misri vetëm me turshi, ose të lyer me pak vaj kikiriku me një shtresë të hollë sheqeri nën të. Hanin të mënjanuara nga njëra-tjetra se u vinte zor, ndërsa ishin të gjitha njësoj….”(faqe 109).

Çfarë përjetimesh të dhimbshme, madje dramatike! Është koha kur partiashtet trumbetonte sigurimin e bukës në vend, ndërsa ata që e prodhonin nuk ngopeshin as me bukë misri të mykur nëpër magazinat e kooperativës.

“Ata mbillnin misër, grurë, patate, fasule, qepë, patëllxhana e çfarë nuk prodhonin, por këto të gjitha ua merrte me çmim të lirë shteti dhe dita e punës ishte tre ose katër lekë. Çoheshin që në tre të mëngjesit kur binte me tërsëllimë çanga, linin krevatet e ngrohtë ose të sëmurin në vatër, gratë linin foshnjat duke qarë dhe dilnin në aksion në fushatën e korrjes së grurit. Dhe nuk hanin bukë gruri por vetëm prej misri…Dhe vlera e ditës së punës ishte sa e një pakete cigareje, pastaj vidhnin fshehtas dhe kush kapej denoncohej publikisht, pështyhej ose dënohej nga gjykatat popullore…”. (f.109)

Kësisoj, autori i mirënjohur Qazim Shehu shkruan qartë e bukur, me mjete shprehëse e stil të veçantë letërsinë e një kohe të trishtë, të cilën brezi i sotëm dhe ata që do të vijnë as që mund ta imagjinojnë.

Autori Qazim Shehu e përshkuan Arsenin në dhjetëra raste kur ai e shihte me sytë e tij sesi shiteshin gratë e gjora për pesë pikë para një maskarai që ishte brigadier dhe sekretar apo kryetar. A s’janë këto aspekte të shthurjes dhe gjenocidit moral të një shoqërie në rrënim?! “Pamundësia për t‘u ushqyer ishte një gjenocid i proteinës…dhe kjo bënte që secili të merrte ndonjë masë në fshehtësi, të dilte natën e të vidhte, të sajoheshin xhepat nën pantollona, sidomos nga gratë, të cilat i maskonin me përparëse ose me fustanet e tyre prej basme të rrjepur ose të dalë boje”.(f.30). Këtu kemi trillin befasues letrar të autorit kur përshkruan rastin e Zogës që u bë dashnorja e brigadier Lymit, kur ai e pa me xhepat e fryrë me fasule poshtë fustanit, e ajo i tha: ”Më bëj ç’të duash, veç mos më nxirr para popullit….” Kësisoj, brigadier Lymi, që autori e përshkruan “një burrë rrondokop, gjithnjë me bllok në dorë”, është përfaqësuesi më i errët i shoqërisë së asaj kohe mynxyrë.

Në këtë rast si dhe në letrarizmin e bëmave të Fanit, kryetarit të këshillit të bashkuar, autori Q. D. Shehu shfaqet para lexuesit me tekst të përzgjedhur letrar prej tij, figurshëm, çka përbën strukturën gjuhësore, stilistike, estetike dhe arkitekturore të këtij romani. Duket fare qartë kjo në episodin e fjalëtjerrjes se gjoja Zoga nuk do të merrte pjesë në votimet për Frontin Demokratik, ndërsa do të ishte Lymi garanti i të kundërtës para autoriteteve partiake e pushtetore. “Brigadieri e dinte se partia për moral nuk të fal dhe imoralët i diskreditonte më shumë se të tjerat….Ai po mendonte se tashmë lidhja e tij e fshehtë me Zogën ishte zbuluar ose në mos ishte në grackat e dyshimit, dhe atij po i silleshin rrotull, për ta kapur me presh në duar…”.

Të gjitha orgjitë e ishfunksionarëve politikë e pushtetorë në ish- kooperativat bujqësore, autori i vendos nën vëzhgimin e rreptë të ish- të burgosurit politik Arsen Lipa, siç lexuesi do ta kuptojë më lehtë tek trilli befasues letrar i letrës së kryetarit të Këshillit të Bashkuar, Fan Marteshi, për mësuese Lirën. Lira si edhe dy shoqet e saj mësuese nga Jugu që po kalonin tre vite si të tilla në këtë fshat të thellë malor, për të siguruar transferimin do të ishin preja e këtij pushtetari, që mishëron veset më të këqija të njeriut. “Fanin, Lira e çonte te kroi dhe nuk i jepte ujë Atij i ishte krijuar ideja fikse se asaj ia kishte qejfi e s’dihej se si pendohej e pse mbrapshtohej, dreqi e merrte vesh…”.

Në këto dilema autori trillon bukur letrarisht një letër dashurie që kryetari i Këshillit të Bashkuar, Fani, ia qëndis Lirës dhe ia jep një nxënësi që t’ia çojë asaj. Por këtu rrokullisen ngjarjet, sepse nxënësi e hedh pa dashje në rrugë letrën e ajo i bie në dorë ish- të burgosurit politik Arsen Lipa. Dhe që këtu nis rrokullima e kryepushetarit, por që ai, pas ndërrimit të sistemit do t`i futet biznesit. Kështu ndodh edhe më Zogën, dashnoren e Lymit, që ndërsa në vitet e ish -kooperativës ndërrojnë rolet duke u bërë ajo brigadiere e Lymi punëtor, pas ’90-tës e paraqet edhe atë me lokalin më të famshëm të fshatit. Po në qasjen e gjenocidit moral, ky autor i sprovuar tashmë ia servir lexuesit lëvizjeve groteske të njerëzve dyfytyrësh, që ndonëse gjatë kohës së monizmit penetruan nëpërmjet pasjes së teserës të PPSH, pas 90-tës e përgjatë këtij tranzicioni të gjatë 35 vjeçar, kaluan në kahjen tjetër, duke u bërë deputetë e zyrtarë të mazhorancave të të dyjave partive e deri anëtarë të shoqatave të ishtë të burgosurve politikë.