Ballina Rajoni Ibrahimoviç: Mali i Zi do të mbështesë Kosovën për anëtarësim në Këshillin...

Ibrahimoviç: Mali i Zi do të mbështesë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës

15
0

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq ka thënë se vendi i tij do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Sipas tij, çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe mbështetja e Malit të Zi për këtë kërkesë, nuk do ta kërcënojë koalicionin qeverisës, sepse, siç ka thënë ai, qëllimet e politikës së jashtme janë përcaktuar qartë.

“Mali i Zi njihet nga partnerët ndërkombëtarë si një vend që kultivon marrëdhënie të mira fqinjësore. Prandaj, ne do ta mbështesim vendin tonë mik, Kosovën, sepse është një përparësi e politikës së jashtme të jetë anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian dhe kjo nuk bie ndesh me atë rrugë”, citohet të ketë thënë Ibrahimoviq.

Ministri theksoi se Mali i Zi ka mbështetjen e Kroacisë në rrugën e tij drejt BE-së.

“Gjëja e mirë është se, pas pesë vitesh, filluam konsultimet politike dypalëshe. Gjërat kanë ecur përpara. Nuk dua të flas në terma të përgjithshëm, por mendoj se brenda 12 ose 13 ditësh do të kemi përgjigje për disa pyetje”, tha Ibrahimoviq.

Si kreu i diplomacisë, ai do të jetë pjesë e delegacionit malazez në samitin e NATO-s në Hagë, ku do të diskutohet për ndarje më të mëdha fondesh për mbrojtjen.

“Gjëja kryesore është që Mali i Zi të njihet si një partner i besueshëm dhe ne, si një vend i vogël, do të kontribuojmë në sigurinë kolektive”, tha ai