Nga Namir Lapardhaja
I gjithë angazhimi politik i Sali Berishën, prej fillimit të demokracisë e deri më sot, është një përpjekje e vazhdueshme për të gjetur armiq në radhët e demokratëve dhe për t’i zbuar ata. Ka krijuar, gjetur dhe larguar aq shumë nga radhët e partisë, saqë të duket sikur i përket një kohe tjetër, në të cilën, edhe kur nuk kishte armiq dhe tradhëtar, do gjeje me patjetër, sepse e kishte vendosur udhëheqja.
Nuk mund të shpjegohet ndryshe se si partia që u themelua nga intelektualët dhe studentët, ka përfunduar te figurat e sotme komike, të cilët zbatojnë në përditshmëri atë që rubrikat humoristike të gazetave krijojnë si trille artistike.
Sali Berisha nuk e ka problemin as me Edi Ramës, as me Partinë Socialiste, as me ata që i ka përballë, sepse ai e polarizon ekstremisht diskurin politik, duke e kthyer debatin për jetë a vdekje në ‘ne’ dhe ‘ata’. Sigurisht ky polarizim vlen për sa kohë që Berishës i nevojitet, sepse pastaj, nëpërmjet akrobacive, ai ulet në pazar me kundërshtarin dhe e justifikon atë si të mirë për vendin dhe demokracinë, ndërkohë që ajo mund të jetë e mirë vetëm për atë.
Sulmet e dikurshme ndaj një gjyqtareje të Gjykatës Kushtetuese, e cila bashkëjeton me një ish-eksponent të PD-së dhe sulmet e sotme ndaj Ilir Rusmailit, ish-zëvendëskryeministrit të PD-së dhe një ndër zyrtarëve më me integritet të qeverisjes së Partisë Demokratike, tregon më së pari që Berisha e ka problemin me armiqtë ‘e brendshëm’. Edhe pse në Gjykatën Kushtetuese ka anëtar, të cilët janë familjarë të afërt me zyrtarë të lartë socialsitë, Berisha asnjëherë nuk ka gjetur kohë t’i sulmojë, ndërkohë që vazhdimisht ka helmuar opinionin publik nëpërmjet njerëzve të tij apo atij vetë për bashkëjetuesen e Alibeajt.
Të njëjtën gjë ka bërë këto kohët e fundit ndaj Ilir Rusmailit, edhe pse ky ka qenë shpesh në kundërshtim me anëtarët e tjerë të KAS, në favor të pretendimeve të kandidatëve të PD-së për hapje apo rinumërim kutish.
Mirëpo, edhe sot, nëpërmjet gjuhës së një prej kasnecëve të Berishës, Rusmaili u quajt si anëtari i tretë i PS-së në KAS.
Një gjë e tillë nuk vjen për shkak të qëndrimeve të Rusmailit, por sepse Berisha dhe PD-ja që ai ka rreth vetes nuk mund të jetojnë dot pa një gjuhë anakronike, polarizuese dhe pa gjetur përditë armiq të brendshëm. Vetëm ashtu mund të ecë përpara lufta e klasave dhe vetëm ashtu ‘misionari’ mund të mbijetojë politikisht. Më sulmet e sotme ndaj Ilir Rusmailit, nuk po bën gjë tjetër vetëm se po u thotë mbështetësve: ‘Rrini urtë se erdhi Rusmaili!’
Nesër do vijë ‘dikush’ tjetër, por përderisa e nesërmja të vijë, hë për hë, e kemi një armik në dispozicion, që i plotëson të gjitha kushtet.