Ballina Aktualitet ‘Katër vatra të murtajës së bagëtive në vend’, Ministria e Bujqësisë: Masa...

‘Katër vatra të murtajës së bagëtive në vend’, Ministria e Bujqësisë: Masa të forta kufizuese për ndalimin e përhapjes

20
0

Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se deri më tani janë identifikuar katër vatra të murtajës së ruminantëve të vegjël në Shqipëri. Sëmundja ka prekur 716 bagëti, prej të cilave 25 kanë ngordhur dhe 153 janë eliminuar. Pjesa tjetër e tufës është në proces eliminimi.

Vatrat janë konfirmuar në Shkodër, Bulqizë, Dibër dhe Skrapar. Rasti i parë është raportuar më 4 qershor 2025 në fshatin Domen të Shkodrës, pasuar nga rastet në Dibër më 5 qershor, Bulqizë më 9 qershor dhe Skrapar më 11 qershor.

Ministria sqaroi se murtaja e ruminantëve të vegjël është një sëmundje virale, shumë ngjitëse te delet dhe dhitë, me rrezik të lartë ngordhshmërie, por që nuk transmetohet te njerëzit.

Për të frenuar përhapjen, që prej 9 qershorit është ndaluar çdo lëvizje e dhenve dhe dhive të gjalla në të gjithë vendin. Po ashtu, është ndaluar tregtimi i tyre në tregje, panaire dhe ambiente të hapura. Lejohet vetëm transporti i kafshëve drejt thertoreve, me certifikatë shëndetësore veterinare.

Ministria ka ngritur 39 grupe kontrolli në terren, të cilat kanë monitoruar deri tani 983 ferma në rang vendi, duke kontrolluar mbi 164 mijë krerë. Paralelisht, janë kryer fushata ndërgjegjësimi me fermerët për rrezikun dhe masat mbrojtëse.

Prania e sëmundjes është raportuar në sistemin evropian të njoftimit të shpejtë të sëmundjeve të kafshëve dhe në Komisionin Evropian. Aktualisht, në Tiranë po zhvillohet një takim me dy ekspertë të BE-së, të cilët do të vizitojnë edhe vatrat e prekura dhe do të japin rekomandimet për menaxhimin e situatës.

Ministria i bën thirrje të gjithë fermerëve të respektojnë me përpikëri masat kufizuese dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë në numrin falas 08003366. Sipas autoriteteve, vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë mund të garantohet mbrojtja e tufave dhe e ekonomisë blegtorale në vend.