Ballina Aktualitet KQZ refuzon të paguajë faturat e DHL-së për transportin e votës së...

KQZ refuzon të paguajë faturat e DHL-së për transportin e votës së diasporës, kërkon dokumentacion të detajuar

21
0

Pas përfundimit të procesit të transportimit të votave nga diaspora, kompania postare DHL ka dorëzuar faturat tatimore për vlerën totale prej 9.2 milionë euro, duke kërkuar pagesën e plotë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Megjithatë, faturat e dorëzuara nga DHL janë të padetajuara, të ndara vetëm në bazë të muajve dhe dërgimit/kthimit, pa shpjeguar saktësisht numrin e dërgesave për shtete të veçanta, ashtu si kërkohet nga KQZ-ja.

KQZ ka refuzuar pagesën në këtë formë dhe ka kërkuar që DHL të paraqesë faturë të veçantë për secilin shtet ku është kryer transporti. Gjithashtu, për secilin shtet kërkohet edhe kopje elektronike e firmave të zgjedhësve që kanë tërhequr zarfin me votë.

DHL ka dorëzuar firmat për pjesën më të madhe të shteteve, ndërsa stafi i KQZ-së ka nisur kontrollin e tyre. Rezulton se në disa raste, në vend të firmave janë gjetur vetëm vizë, pika apo mungesë e nënshkrimit.

Pagesa do të kryhet vetëm për transportet e zarfeve që kanë firma të rregullta, ndërsa nuk do të paguhen ato me shenja të dyshimta apo pa firmë fare.

Deri tani, DHL nuk ka marrë asnjë pagesë për shërbimet e kryera.